Sulmet ndaj Bashës dhe PD si gomari, që edhe digjet, edhe ftohet

Sulmet ndaj Bashës dhe PD si gomari, që edhe digjet, edhe ftohet

508
0

Nga  Mentor Kikia

Lulzim Basha gjendet në një furi kritikash, si brenda ashtu edhe jashtë partisë, për listën e kandidatëve për deputetë. Me gjithë zallamahinë e sulmeve, mendoj se duhet të specifikojmë tri kategori kritikësh: Ata që mbetën jashtë liste, ata që s’u pelqeu vendi në listë dhe ata që kontestuan emrat e imponuar në listë nga kryetari Basha.
Vëmendjen më të madhe e ka marrë në fakt revolta e atyre që nuk u përfshinë në lista, dhe të tillë janë shumë. Ka mes atyre që janë në të drejtën “legjitime” të mbetën të pakënaqur. Por natyrisht flamurin dhe vëmendjen e kanë marrë emra të njohur si Jozefina Topalli, Ridvan Bode, Astrit Patozi, Arben Imami, Majlinda Bregu etj, që kanë kërkuar tashmë edhe shkarkimin e Bashës, pasi sipas tyre po shkatërron Partinë Demokratike. Ankesat e të përjashtuarve kanë marrë mbështetjen edhe të një pjesë të opinionit dhe onpinionbërësve në media. Ata po e akuzojnë Bashën se largoi themeluesit, se largoi ajkën e demokratëve, se po zhbën kujtesën e partisë, po e shkatërron PD-në etj etj. Në fakt ky është një paradoks i madh, pasi jemi ne që në mënyrë sistematike kemi akuzuar gardën e vjetër të politikës, në çdo parti, dhe kemi kërkuar zëvendësimin e saj. Për të pezmatuarit për largimin e kësaj kategorie politikanësh, duhet të sjellim në kujtesë se në 2013, PD u ndëshkua me votë pikërisht për shkak të qeverisjes së korruptuar, për shkak të abuzimit me pushtetin pikërisht edhe nga këta që sot kanë mbetur jashtë liste. Dhe sot ne duhet të jemi kritikë pse nuk janë në lista e në projeksionet e reja qeveritare Imami, Bode, etj? Nëse duhet të jemi kritikë ndaj Bashës, duhet të jemi pse në listë është ende Sali Berisha, si përfaqësuesi tipik i të vjetrës tashmë në PD, apo Genc Pollo apo ca ish kryetarë komunash që sot duhej të ishin në listat e gardianëve të burgjeve dhe në listat e kandidatëve. Jam i sigurtë, se nëse PD do të printinte listën e vjetër të kandidatëve, gjithë do të bërtisnin: Pse kështu do të fitojë opozita, sërish me këta hajdutët e vjetër? Pra jemi fiks si në fabulën “çfarë uji i ke dhënë gomarit”. Keq të ngrohtë e keq të ftohtë.
Basha po kritikohet, siç e thamë më lart, edhe nga ata që nuk u pëlqyen vendin në listë. Madje ka patur një seri dorëheqjesh në shenjë revolte, që nga media po komentohen si zhbërje e kësaj partie. Në fakt deri tani nuk është zbuluar asnjë mundësi që të gjithë të jenë në vendin e parë të një liste, të çcfarëdo liste. Më shumë se sa allishverish i kryetarit të partisë, kjo më duket një mani e gjithkujt që bëhet pjesë e një partie, që të bëhet doemos deputet. Por angazhimi politik duhet të jetë përtej ambicjes për të shkuar në parlament, dhe kjo është dëshmi e qartë se shumica e shqiptarëve politikën nuk e shikojnë si kontribut, por si mundësi përfitimi.
Ndrësa ata që kontestojnë persona të caktuar nga lista e Bashës, duken më të arsyeshmit. Ata janë kundër personalizimit të partisë, janë kundër dërgimit në zona të caktuara të njerëzve që as e dinë ku bie zona, as njohin problematikat e saj, njerëzit e saj dhe mbi të gjitha, nuk kanë patur asnjë kontribut politik. Këta kritikë meritojnë të tërë mbështjen, pasi këta janë kritikë kundër diktatit të kryetarit në parti, i cili listën e kandidatëve nuk e përcakton pas një seleksioni që i kanë bërë njerëzit dhe anëtarësia e partisë, por sipas preferencave të tij. 
PD apo kushdo parti tjetër, nuk shkatërrohet pse në listën nuk është Arben Imami apo Majlinda Bregu, por shkatërrohet kur kryetari, me keq se në kohën e komunizmit, emëron kandidatët sipas preferencave të tij dhe i kërkon votuesve tua shndërrojnë në deputetë.