Truri në fazën e ëndërrimit, përgatitet për më të keqen duke e përjetuar atë situatë: është sikur të përpiqesh të stërvitesh ose të përgatitesh për frikërat e jetës reale. Stresi, ankthi dhe përvojat dramatike rrisin predispozicionin për të parë ëndrrat e këqija, si edhe shpeshtësinë e tyre. Dhe i njëjti makth mund të përsëritet disa herë, për të trajnuar trurin që të njohë gjendjen negative.
Makthet veprojnë si një realitet virtual në tru, duke riprodhuar skenarët më të tmerrshëm që mund të ndodhin në jetë. Kushdo që sheh ëndrra të këqija kur bie në gjumë, është më i stërvitur për të reaguar në kohë të vështira dhe për të gjetur një zgjidhje.
Mënyra se si i vlerësojmë ëndrrat tona ndikohet nga fakti që informacioni negativ që përmbajnë ato, i bën ato të rëndësishme, por shpesh vetëm në sytë tanë. Niveli i interesit që këto ëndrra mund të ngjallin në të vërtetë është i shtrembëruar nga paragjykimet tona: nuk është e thënë që bashkëbiseduesi ynë të jetë po aq i interesuar për t’i dëgjuar.
Së dyti, duhet të kemi parasysh se ëndrrat tona janë të lidhura me emocionalitetin tonë, kështu që rrëfimi ndikohet nga ndjenjat tona.
Informacioni që nuk kuptojmë shpesh mund të nxisë kuriozitetin tonë, veçanërisht në prani të emocioneve të forta.