Standartet e dyfishta të Vetingut/ Prela dhe Sevdari, dy prokurore me të...

Standartet e dyfishta të Vetingut/ Prela dhe Sevdari, dy prokurore me të njëjtin problem, njëra kalon vetingun dhe tjetra ngec…

972
0

Nga Eglantina Alliaj

 

Donika Prela dhe Antoneta Sevdari, janë të dyja Prokurore që kaluan në sitën e Vetingut. Prela drejton Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ndërsa Sevdari Prokurore pranë  Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Hetimi për Donika Prelën konkludoi në një problem. Pagën e marrë në ‘të zezë’ të bashkëshortit të prokurores, dy apartamente të blera me një çmim më të ulët se vlera e tregut, si dhe një hua e marrë nga një i afërm. Të njëjtin problem pati edhe prokuroria Sevdari, burimin e krijimit të pasurisë, që sipas saj janë me punë të ndershme nga ana e familjes së bashkëshortit dhe këtij të fundit në emigracion, por Arabia Saudite nuk është përgjigjur në shkresën e dërguar, punëdhënësi ka ndërruar jetë.

Prela dhe Sevdari, të dyja probleme pasurinë nga bashkëshortët, njëra e kalon Vetingun, dhe tjetrën e ‘djeg’ pasuria e bashkëshortit. Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për prokurorët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale.

 

 

Vendimi për Donika Prela

KPK tha se pas hetimit të thellë, ka vendosur rikonfirmimin në detyrë të Prelës. “KPK zhvilloi një procedurë të thellë të hetimit administrativ për 3 objektet e vlerësimit, dëgjoi dokumentacionin shpjegues dhe atë të bërë prezent në seancën e dëgjimit. Për rrjedhojë e konsiderojnë të përfunduar procesin e rivlerësimit. Trupi gjykues vendosi konfirmimin në detyrë për subjektin e vlerësimit Donika Prela, drejtuese e prokurorisë së shkallës së parë të Krimeve të Rënda”, deklaroi KPK. Vendimi ishte vendosur të shpallej më 28 janar por për shkak të disa denoncimeve, KPK vendosi ta shtynte shpalljen e vendimit për më 5 shkurt. KPK ishte përbërë nga trupa gjykuese e drejtuar nga Roland Ilia, Olsi Komici dhe Valbona Sanxhaktari. Pas seancës dëgjimore, opozita ngriti akuza në lidhje me hetimin e kryer ndaj drejtueses së Krimeve të Rënda, duke thënë se, edhe pse janë konstatuar probleme me pasurinë dhe një pjesë e tyre nuk kanë hetuar fare, Prela do të kalojë vetingun.

Hetimi për Donika Prelën konkludoi në një problem. Pagën e marrë në ‘të zezë’ të bashkëshortit të prokurorës, dy apartamente të blera me një çmim më të ulët se vlera e tregut, si dhe një hua e marrë nga një i afërm.

“Dosja juaj më la një shije të keqe”, kështu u shpreh përfaqësuesi i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, Theo Jacobs, ndërsa i kërkoi llogari drejtueses së Krimeve të Rënda, Donika Prelës, për disa probleme në lidhje me pasurinë e saj.

Kryeprokurorja ia justifikoi këtë fakt Jacobs, me realitetin shqiptar.

“Unë dhe bashkëshorti im kemi jetuar dhe punuar në Shqipëri dhe jo në një vend të Bashkimit Europian, ku një marrëdhënie pune fillon dhe mbaron në mënyrë të ligjshme. Bashkëshorti im ka nënshkruar një kontratë dhe u është përmbajtur detyrimeve të saj. Legjislacioni shqiptar ngarkon me përgjegjësi punëdhënësin për detyrimet dhe nuk ka asnjë dispozitë që tregon se tatimi në burim mund të paguhet në mënyrë vullnetare. I qëndroj asaj që kam thënë në parashtrimet e mia, kjo është detyrë e kompanisë, ne e kemi paditur për këtë arsye”, tha në fund Prela. Por, sa i përket dy kritereve të tjera të rivlerësimit, atë të pastërtisë së figurës dhe aftësive profesionale, Prela ishte e përshtatshme për të vazhduar detyrën.

 

Vendimi për Antoneta Sevdari

Komisioni i Pavaruar i Kualifikimit e konfirmoi në detyrë Antoneta Bejko Sevdari, prokuroren pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë. KPK përbëhej nga Firdes Shuli, Roland Ilia dhe Valbona Sanxhaktari. Sipas KPK ka qenë e saktë në deklaratat e pasurisë. Bashkëshorti i saj ka qenë subjekt i hetimit dhe ka burime të ligjshme për pasurinë e tij. Por Komisioneri Publik ankimoi të ardhurat e bashkëshortit të Sevdarit të fituara në Greqi dhe Arabi Saudite.

 

KP është shprehur në seancë: Subjekti nuk ka dhënë prova për ligjshmërinë e këtyre të ardhurave. KP i lë në dorë KPA-së të jap vendimin lidhur me largimin ose jo të detyrës. KP kërkon shkarkimin nga detyre të anëtares së KLP, Antoneta Sevdari. Ndërkohë që vetë prokurorja Antoneta Sevdari është shprehur se ankimi nuk është bazuar në ligj. KPK më konfirmoi në detyrë sipas përputhjeve të kushtetutës. “Burimi i krijimit të pasurisë janë me punë të ndershme nga ana e familjes së bashkëshortit dhe këtij të fundit në emigracion. Sa i përket pasurisë të krijuar nga bashkëshorti në Arabinë Saudite, referencat e KP janë të gabuara”-deklaroi Sevdari.  Sevdari paraqet prova ligjore për justifikimin e të ardhurave, ndërsa thekson se natyra e të ardhurave të tilla, nuk parashtrohet në deklaratat e pasurisë.

Sevdari: Nuk e vërtetojmë sa janë tatimet, pasi nuk kemi arritur të sigurojmë dokumentet. Arabia Saudite nuk na është përgjigjur në shkresën e dërguar, punëdhënësi ka ndërruar jetë.

 

Procedura e shkarkimit të Antoneta Sevdari

 

Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) vendosi me shumicë votash të shkarkojë prokuroren Antoneta Sevdari, njëkohësisht anëtare e Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Kolegji, i cili mori në shqyrtim çështjen e Sevdarit pas ankimimit të Komisionerit Publik Dariel Sina, arriti në përfundimin se prokurorja kishte bërë deklarim të pamjaftueshëm në kriterin e pasurisë, kishte shfaqur probleme profesionalizmi duke mos apeluar një vendim gjykate me të cilin nuk kishte qenë dakord dhe kishte cënuar besimin e publikut te drejtësia. Trupa gjykuese e KPA e kryesuar nga Luan Daci kryesues, Sokol Çomo relator dhe anëtarët Ardian Hajdari, Ina Rama dhe Rezarta Schuetz, njoftoi në seancë publike se shumica e tyre kishin arritur në përfundimin se Sevdari kishte bërë deklarim të pamjaftueshëm në kriterin e pasurisë. Problemet për Sevdarin erdhën, siç doli nga leximi i vendimit të shkurtuar, prej mos paraqitjes së dokumenteve për pagim tatimesh për të ardhurat e bashkëshortit si emigrant në Greqi dhe puna në Arabinë Saudite. Kryesuesi bëri me dije se në një rast të ardhurat për të cilat nuk ishin paraqitur dokumente justifikuese ishin derdhur në llogarinë e Sevdarit dhe cilësoi si cenim të besimit të publikut te drejtësia faktin se “Duke qenë drejtuese e prokurorisë kundër evazionit fiskal, Sevdari nuk mund të justifikonte pagesën e tatimeve për të ardhurat e bashkëshortit”.  Disa anëtarë të Këshillit te Lartë të Prokurorisë ishin të pranishëm gjatë leximit të vendimit për Sevdari, por as prokurorja e shkarkuar dhe as kolegët e saj nuk folën pas vendimit. Kryesuesi Daci tha gjatë leximit të vendimit të shkurtuar se ndërsa ishin rrëzuar disa nga kërkesat e Komisionerit Dariel Sina, një pjesë e pretendimeve të tij ishin gjetur të bazuara. Kolegji arsyetoi se “Sa i takon të ardhurave me burim emigracionin, subjekti i rivlerësimit nuk arriti të shpjegojë bindshëm vlerën e saktë të këtyre të ardhurave dhe të provojë ligjshmërinë e tyre”.

Reagimi i Sevdarit

Prokurorja e Tiranës Antoneta Sevdari pas shkarkimit nga detyra nga Kolegji i Posaçëm të Apelimit, për pamjaftueshmëri në deklarimin e pasurisë dhe cenim të besimit të publikut te drejtësia, u ka dërguar një letër të hapur ndërkombëtarëve. Në këtë letër drejtuar ndërkombëtarëve dhe gjithë aktorëve politikë në vend, nga presidenti, kryeministri, kryeprokurorja e ministrja e drejtësisë, Sevdari ka kërkuar të investigohet ky vendim që sipas saj është i padrejtë. Ajo shton se ky vendim mund të jetë marrë si pasojë e mungesës së profesionalizmit të trupës gjykuese të Kolegjit të Apelimit, ndërsa nuk përjashton mundësinë e një shkarkimi të urdhëruar.

 

Standarte të dyfishta…?

Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për prokurorët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale.

Të dyja Prokuroret, Donika Prela dhe Antoneta Sevdari, nuk patën probleme me dy shtyllat e para: me kontrollin e figurës dhe aftësitë profesionale. Të dyja ngecën tek pasuria e bashkëshortëve. Por Donika Prela e kaloi Vetingun, duke krijuar reagime tek politika, ndërsa Sevdari ‘digjet’, duke patur një mbështetje në rrethin e juristëve. A kemi standarte të dyfishta nga ana e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA)..? Duke analizuar këto dy raste, ku për të njëjtin problem, njëra prokurore kalon vetingun dhe tjera jo, del se ka standarte të dyfishta në dhënien e vendimeve.