Skandali në Burrel, materniteti pa gjinekolog, gruaja shtatzënë lind në rrugë

Skandali në Burrel, materniteti pa gjinekolog, gruaja shtatzënë lind në rrugë

519
0

ambulanca-448x330-550x348

Mungon mjeku gjinekolog në spitalin e Burrelit, shtatzëna lind në rrugë.

Ngjarja ka ndodhur pak ditë më parë në afërsi të Milotit, pasi gruaja shtatzënë nuk është mbajtur në spitalin “Xhavit Mara” të Burrelit, për shkak të mungesës së mjekut.

Ky fakt është mësuar nga bluzat e bardha të spitalit, të cilat kërkojnë ndërhyrjen e dikasterit të shëndetësisë. Prej gati 3 javësh është larguar mjeku gjinekolog, Pjetër Meci, i cili udhëtonte nga Lezha për të qenë i pranishëm në Burrel.

Vetë mjeku e ka komentuar largimin për arsye personale, por burime të brendshme flasin për një debat mes tij dhe drejtorit të spitalit, Dritan Neli. Mësohet se mes tyre ka pasur konflikt në lidhje me abortin e një gruaje të komunitetit rom. Për shkak të disa aborteve, mjeku nuk ka pranuar që ajo të abortojë sërish, pasi i rrezikohej jeta, ndërkohë që drejtori i ka kërkuar që të bëjë punën e tij.

Pas kësaj përplasjeje, mjeku Meci mësohet se ka vendosur ta lërë detyrën. Ai i ka kërkuar dorëheqjen drejtorit të spitalit, duke lënë kështu vakant vendin e punës. Por, pasojat u shfaqën me largimin e gjinekologut të vetëm në spitalin e Burrelit. Sërish nga burime të spitalit “Xhavit Mara” mësohet se një grua shtatzënë i është drejtuar maternitetit të Burrelit për lindje, pak ditë pas largimit të mjekut.

Stafi i shërbimit ka sugjeruar që pacientja të dërgohej drejt spitaleve të Tiranës ose të Lezhës. Por, pa mbërritur ende në Milot, gruaja që transportohej me ambulancën e Burrelit ka lindur në rrugë, në afërsi të Rrugës së Kombit.

Lindja ka ndodhur në kushte rrethanore, pa praninë e mjekut gjinekolog. Kjo lindje nuk është regjistruar as në maternitetin e Burrelit dhe as në atë të Lezhës. Mungesa e mjekut gjinekolog në Mat ka detyruar shtatzënat që të udhëtojnë drejt kryeqytetit, ose spitaleve të tjera për të lindur.

Burime nga spitali bëjnë të njohur se që nga koha e largimit të mjekut gjinekolog nga spitali, nuk ka asnjë grua të shtruar në maternitet. Kjo, pasi personeli i mesëm nuk pranon që t’i mbajë për shkak të komplikacioneve që mund të shfaqen.

Gjatë kohës së mungesës së mjekut mësohet se janë kryer vetëm tri lindje, me praninë e mamimeve, pasi janë konsideruar urgjente dhe duhej të shmangej përsëritja e situatës si në rastin e gruas që lindi në rrugë. Ndërsa gratë e tjera në prag lindjeje janë përcjellë nga urgjenca e spitalit drejt Lezhës e Tiranës.

Drejtoria e spitalit i ka kërkuar dikasterit gjetjen e një mjeku gjinekolog për zonën e Matit, por deri dje nuk është realizuar kjo kërkesë. Veç mungesës së mjekut gjinekolog, debate të tjera kanë lindur në këtë spital për ilaçet, rrobat e akomodimit të të sëmurëve, mungesën e mjekëve specialistë etj./Marrë nga Panorama/