Situata politike, Presidenti Meta: Në nëntor do të shpall një nismë të...

Situata politike, Presidenti Meta: Në nëntor do të shpall një nismë të re

389
0

Me 11 tetor, Komisioni i Venecias pritet të publikojë raportin për çdekretimin e 30 qershorit nga presidenti Ilir Meta.

Në një intervistë për “Tempora”, kreu i shtetit ka zbuluar nismën e tij më të re.

Mes të tjerash Meta është shprehur se përveç 18 tetorit, dhe 13 tetorit që mbetet ende në fuqi, sipas tij ka edhe një datë tjetër të rëndësishme.

Është 22 nëntori, që Presidenti ka deklaruar se do të ndërmarrë një nismë për të mbrojtur Kushtetutën.

“Përsa i takon çështjes së Kushtetutës, duhet t’ju siguroj që për mua tani ka dy data. Data e parë është 18 tetori, pra unë, nuk do të lodhem më që t’i kujtojë partitë që dekreti për 13 tetorin është në fuqi, apo që mosbotimi në Fletoren Zyrtare nga ana e qeverisë, siç thotë qartë misioni i OSBE/ODIHR i dekretit të 13 tetorit, është i paligjshëm.

Së dyti, për mua data tjetër përveç 18 tetorit është 22 nëntori, dita kur shqiptarët në vitin 1998 me referendum miratuan Kushtetutën, e cila natyrisht është sakatuar padrejtësisht që nga viti 2008 e në vazhdimësi. Por, sidoqoftë në atë Kushtetutë të gjithë shqiptarët kanë votuar me shpresën dhe besimin se ajo do të mbrojë dhe garantojë të drejtat themelore të tyre.

Ndaj unë më 22 nëntor do të bëj publike nismën time në mbrojtje të Kushtetutës, në mbrojtje të të drejtave themelore të qytetarëve shqiptar dhe kjo do të jetë një nismë mjaft e mirëmenduar dhe e mirorganizuar në mënyrë që të mos tolerojmë më në këtë vend, shkeljen dhe dhunimin sistematik të të drejtave kushtetuese të qytetarëve tanë”, tha Meta.

I pyetur nëse kjo nismë do jetë si Presidenti i Republikës apo do t’i kthehet betejës politike, Meta flet për një aksion që do të përfshijë të gjithë ato personalitete të së drejtës, të të drejtave të njeriut.

Meta shprehet i vendosur në ndërmarrjen e kësaj nisme edhe nëse ka një marrëveshje Rama-Basha para kësaj date.

“Kjo nuk ndryshon asgjë në angazhimet e mia, në rast se të gjitha palët angazhohen t’i respektojnë të drejtat themelore të qytetarëve shqiptarë, kjo është një gjë e mrekullueshme. Por Presidenti në çdo rast do të ketë një axhendë të tij dhe këtë do ta bëjë publike në ditën e referendumit për Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë më 22 nëntor, e cila për Presidentin është një ditë e Kushtetutës”, tha ai.