Sindikata e Futbollistëve reagon për bojkotin: Kush gënjen, Kryeministri apo Liga?

Sindikata e Futbollistëve reagon për bojkotin: Kush gënjen, Kryeministri apo Liga?

494
0

Nëpërmjet një reagimi në faqen zyrtare, Sindikata e Futbollistëve Shqiptarë, ka qenë tepër e ashpër në qëndrimin e saj, duke e quajtur bojkotin tallje, me të gjithë ata që besuan se ishte në të mirë të sportit.

“Kush gënjen në këtë pikë Kryeministri apo Liga?”, ishte pyetja e shtruar nga Sindikata në reagimin e saj.

REAGIMI I SINDIKATËS:

“Sindikata e Futbollistëve Profesionistë Shqiptarë përshëndet rinisjen e aktivitetit futbollistik në të gjithë vendin dhe për të gjitha kategoritë, megjithëse në grevë ishte vetëm Liga dhe jo FSHF.

Ndërsa në lidhje me bojkotin, përveç takimit të Kryeministrit me Presidentin e FSHF, si ne dhe opinioni sportdashës akoma nuk kemi dijeni se çfarë rezultati arriti bojkoti.

Kjo situatë bëhet akoma më e çuditshme kur dëgjon Ligën, jo vetëm se qëndrimin e saj e shpreh Presidenti FSHF dhe jo ai i Ligës por edhe për faktin se me shpalljen e fundit të bojkotit u deklarua se për kërkesat e paraqitura ka dakordësi dhe janë futur në rrugën e zgjidhjes.

Ndërsa krejt ndryshe shprehet Kryeministri i vendit i cili e quan bojkotin absurd dhe shprehet se tani që mbaroi bojkoti mund të diskutohet për zgjidhjen e kërkesave të ligës.

Pyetja që bëjmë ne sot është: Kush gënjen në këtë pikë Kryeministri apo Liga?

A janë futur në rrugën e zgjidhjes 4 kërkesat siç thotë Liga apo tani do të flitet për zgjidhjen e tyre?

Nëse janë futur në rrugën e zgjidhjes cilat janë këto kërkesa dhe në çfarë pikë janë këto diskutime.

Nëse ky bojkot ka shërbyer vetëm për të rivendosur në pozicionet e protagonistit personazhe të caktuar të botës së sportit apo politikës kjo është tallje me të gjithë ata që besuan se, ky bojkot ishte në të mirë të sportit. Urojmë që me shpirte që bojkoti ti ketë shërbyer sportit në pergjithësi e futbollit në veçanti”.