Si të kaloni frikën që lidhet me punën..këshilla

Si të kaloni frikën që lidhet me punën..këshilla

601
0

Frika është përgjigje ndaj një rreziku të mundshëm fizik apo emocional, e cila na bën që të tregohemi të kujdesshëm. Por një frikë e tepruar dhe në nivele shumë të larta mund të kthehet në burim ankthi dhe stresi dhe kjo gjë mund të ndikojë në mënyrë të drejtpërdrejtë në rendimentin tuaj në punë.

 

Më poshtë do të njiheni me disa prej llojeve më të shpeshta të frikës për një numër të madh njerëzish…

 

Frika e refuzimit

Frika e refuzimit pothuajse ka lindur njëkohësisht me njeriun. Në fiset e para, përjashtimi ishte i barabartë me vdekjen. Edhe në ditët e sotme, një numër i madh njerëzish vuajnë nga frika e refuzimit dhe e mospranimit sidomos në një ambient të ri pune. Disa të tjerë kanë frikë që idetë e tyre nuk do të pranohen dhe për pasojë nuk e shprehin kurrë mendimin e tyre. Fillimi është i vështirë për këdo, por me kalimin e kohës çdokush e pozicionon veten aty ku ndihet më mirë.

 

Frika e të mbeturit pa punë

Të gjithë punonjësit duan ta shikojnë veten sa më mirë profesionalisht, por pjesa më e madhe e tyre frikësohen nga kërkimi për të shkuar në një pozicion më të lartë brenda kompanisë apo frikësohen për të kërkuar rritje rroge, edhe nëse e meritojnë një gjë të tillë si pasojë e volumit të shtuar të punës. Është pikërisht frika e të mbeturit pa punë ajo që i bën ata të mos bëjnë asnjërën prej lëvizjeve të mësipërme por të rrinë në po të njëjtin vend. Më mirë të rrezikoni dhe ta provoni sesa të rrini gjithë kohës me frikën e mendimin “Po sikur…?”

 

Frika e mospëlqimit nga të tjerët

Është më se normale që njerëzit kërkojnë jo vetëm të pranohen nga të tjerët por edhe që idetë e tyre të aprovohen dhe të pëlqehen prej tyre, dhe është pikërisht ky refuzim dhe ky mospëlqim nga të tjerët që shndërrohet në frikë për një numër të madh personash. Këshillohet që këtë që ta merrni me sportivitet sepse si ç’mund të ketë nga ata që s’ju pëlqejnë ka edhe nga ata që ju pëlqejnë.

 

Frika e dështimit

Frika e dështimit mund të bëjë që shumë punonjës të mos e marrin guximin për t’i shprehur mendimet e tyre. Kjo gjë mund të kthehet edhe kundër jush, sepse ajo mund të ulë në minimum nivelin tuaj të krijimtarisë dhe madje, mund të ndikojë edhe në uljen e rendimentit tuaj.