Qysh para se të zgjidhej president, Donald Trump ishte i përfshirë në një grindje të vazhdueshme me shumë nga institucionet mediatike më të rëndësishme të Amerikës, duke i akuzuar se përhapnin “lajme të rreme” rreth tij. Komentet e tij kanë ndihmuar që të thellohet ndarja në linja partiake mes amerikanëve rreth besueshmërisë së lajmeve që ata marrin. Ato kanë patur gjithashtu ndikim në vendet ku shtypi nuk është dhe aq i lirë. “… Nëse doni të zbuloni burimin e përçarjes në vendin tonë, mos kërkoni më tej. Shihni lajmet e rreme dhe mediat e deformuara, të cilat më tepër luftojnë për klikime sesa për të vërtetën”, tha ai më 22 gusht 2017. Presidenti Trump shpesh kundërpërgjigjet ndaj mbulimeve mediatike që nuk i pëlqejnë. Ai ka përdorur termin ‘lajme të rreme’ jo më pak se 180 herë në Twitter që nga dita e inaugurimit, si dhe në fjalime, intervista dhe komente të panumërta. Veprimtarët e lirisë së shtypit thonë se strategjia e zotit Trump po jep efekte. “Ai mezi pret që mediat e mëdha tradicionale t’i marrin komentet që ai bën në Twitter, të shkruajnë rreth tyre dhe t’i amplifikojnë ato. Pra, nga njëra anë, ai po tregohet shumë i sofistikuar sepse përdor pikërisht ato media që ai i denigron; nga ana tjetër është shumë i ndjeshëm dhe zemërohet shpejt nga çdo gjë që ai shikon në media dhe që e quan të rreme”, thotë Tom Rosenstiel, i Institutit Amerikan të Shtypit. Të prekura nga sulmet ndaj integritetit të tyre, mediat kryesore si “Apple” dhe CNN kanë dalë me fushata reklamash për të mbrojtur veten. Grupet vëzhguese të medias thonë se udhëheqësit autoritarë në botë po ndjekin linjën e zotit Trump. “Kemi parë termin lajme të rreme të përdoret në Filipine, Rusi, Kinë, Egjipt për të justifikuar shtypjen e tyre ndaj mediave, për të delegjitimuar gazetarët. Kemi parë gjithashtu Kinën të thotë: ‘Shihi, më në fund SHBA po bëhet e vetëdijshme për atë që ne e kemi thënë gjithmonë se mediat janë problematike’. Është diçka që nuk do të donim ta shihnim në botë”, thotë Courtney Radsch, e Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve.
Zyrtari më i lartë i Kinës për sigurinë kibernetike, kohët e fundit ka përdorur termin “lajme të rreme” kundër një raporti që e rendit Kinën të fundit në botë për lirinë e internetit.
“Edhe vende si Shtetet e Bashkuara dhe Evropa, të gjithë po e diskutojnë këtë së bashku, pra problemin e mediave të reja, lajmet e rreme, thashethemet, këtë problem të ndezur, se si duhet ta përballojmë këtë së bashku”, thotë Ren Xianliang, zëvendësministër për administrimin e internetit.
Kjo dukuri vazhdon të përhapet. Presidenti i Sirisë Bashar al-Assad hodhi poshtë raportet e grupeve të të drejtave të njeriut rreth vdekjeve në burgjet ushtarake, duke thënë se “po jetojmë në një epokë lajmesh të rreme”.
Udhëheqës autoritarë si Prayut Chan-ocha i Tajlandës apo Hun Sen i Kamoxhias dhe kryeministri Najib Razak i Malajzisë kanë folur gjithashtu për ‘lajme të rreme’. Singapori njoftohet se po shqyrton një ligj mbi lajmet e rreme për vitin që vjen.
“Kjo duket se po i inkurajon këta udhëheqës për të thënë se ajo që bëjnë është e pranueshme, se ata mund të kalojnë pa u ndëshkuar, se nuk do të kritikohen nga qeveria e SHBA”, thotë Margaux Ewen, e organizatës “Reporterët pa Kufij”.
Presidenti Trump ka mirëpritur disa udhëheqës autoritarë në Shtëpinë e Bardhë. Ai e priti presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan si mik, pavarësisht reputacionit të Turqisë si burgosëse kryesore e gazetarëve në botë. Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve thotë se numri i gazetarëve të burgosur në vitin 2017 arriti një nivel rekord për të dytin vit me radhë. /VoA