“Shtëpia na u dogj, jetojmë vetë i 7-të në një dhomë në...

“Shtëpia na u dogj, jetojmë vetë i 7-të në një dhomë në kushte mizerje”, pas rrëfimit të gruas, Bashkia Kamëz premton ndihmë

619
0

Në studion e emisionit “Me Zemër të Hapur” të gazetares Evis Ahmeti në News24 ka ardhur sot historia e dhimbshme e familjes Jata. 22 janari i vitit 2020 do të ishte dita më e zezë e kësaj familje, pasi banesa në të cilën jetonin dhe kishin ndërtuar jetën, do të shkrumbohej nga flakët. Po si arritën t’i shpëtonin jetën nënës së familjes dhe fëmijës 8 vjeç?

E zonja e shtëpisë Inxhie Jata tregoi në një lidhe ‘skype’ gjithë historinë dhe vuajtjet që po kalojnë prej 3 muajsh.

 

“Ne kemi 25 vite që jetojmë në Babrru, jemi me orgjinë nga Kukësi, familja Enver Jata është kryefamiljari, jemi 7 pjesëtar, vjehrri dhe vjehrra, unë dhe bashkëshorti, dy gocat dhe çuni. Goca e madhe është 15 vjeç, e dyta është 12 vjeç, ndërsa djali është 8 vjeç. Në 22 janar të vitit 2020, vjehrri im ishte në një varrim, unë dhe goca rrinim brenda në shtëpi duke i shërbyer vjehrrës se e kam të paralizuar, një moment pashe që nga shtëpia dilte tym. Nxitova te marr vjehrrën se ajo nuk mund të lëvizte, e nxora me të shpejtë. Gjithë shtëpia po digjej nga flakët, nuk kuptova asgjë çfarë po ndodhte, thirra komshinjtë. Pastaj erdhi policia e cila njoftoi edhe bashkinë. Mburritën edhe zjarrfikëset, bënë ato verifikimet e veta, na thanë të shkonim në bashki për të plotësuar letrat, për të marr bonus qiraje. Po ne si gjendje civile me vjehrrin dhe vjehrrën kemi qenë të ndarë veçse jetojmë në të njëjtën shtëpi. Kjo ndarje është bërë vetëm për tokën. Që atë moment na thanë se do marri vetëm vjehrri me vjehrrën bonusin e qirasë. Menduam që edhe po tua jepnin atyre zgjidhje do ishte, por përsëri as atyre nuk ua dhanë. Ne u futëm me qira në një banesë se menduam se do na i paguante bashkia qiranë, por gjë që nuk ndodhi. Nuk mundem t’i paguanim dhe na nxorën nga banesa. Vjehrrën e kam çuar te vajza e saj, sepse kushtet në të cilat ne po jetojmë janë mizerje. Ne u detyruam të riktheheshim në banesën tonë që u dogj, edhe aty u futëm në njërën nga dhomat e cila nuk është djegur plotësisht, pasi e shpëtuan zjarrfikëset atë ditë. Kemi qenë të trajtuar me ndihmë ekonomike por kemi dy vjet që na i kanë hequr. Kushtet janë shumë të vështira, si mund ta mbash një fëmijë 8 vjeç në ato kushte, kam frikë dhe rrezikojmë të prekemi nga virusi, pasi asnjë kusht higjenik nuk kemi. Nuk kemi ushqim të hamë, nuk kemi asnjë të ardhur veç pensioneve të vjehrrit dhe vjehrrës si mund të jetojmë 7 veta në një familje. Kërkoj ndihmë nga shteti, për banesën, pasi jetojmë në njërën nga dhomat që nuk është djegur plotësisht, edhe aty rrezikojmë të shembet. Jemi të rrezikuar nga të gjitha anët, virusi, varfëria, banesa të gjitha. Iu drejtuam emisionit “Me zemër të Hapur” si e vetmja shpresë për ne. Shpresojmë të bëhet diçka me ne”, rrëfeu Inxhia në emision.

 

Ajo tha se kushtet e tyre janë shumë të vështira dhe nuk kanë asnjë të ardhur pasi janë të papunë.

“Në familje punon vetëm burri që është në emigracion. Unë i shërbej vjehrrës, por jam e papunë. Burri është emigrant në Greqi. Në momentin kur u djeg shtëpia ishte në Greqi. E ka lajmëruar kunata për fatkeqësinë. Brenda 7 orësh ka ardhur bashkëshorti. Ai i ra kokës me grusht dhe qante. Nga stresi dhe mërzia nuk e di se çfarë bën dhe flet. Është shumë i stresuar. Kam jetuar shumë vite pa prezencën e bashkëshortit. Ai bënte çfarëdolloj pune në Greqi, kryesisht çoban dhe bujqësi. Kur është kthyer në Shqipëri nuk ka punuar asnjë ditë. Ka kërkuar punë, por nuk ka gjetur.

Vjehrri dhe vjehrra qajnë çdo ditë. Thonë ‘çfarë do bëhet me ne’? Ata janë të vjetër. Edhe fëmijët vetëm qajnë. Nuk kemi marrë asnjë lloj mase. Kemi në bashkinë e Kamzës por nuk na dhanë asgjë. Pas një muaji i thanë që të kanë hequr dhe qiranë. Një muaj qëndruam me qira. Paguanim 70 mijë lekë të vjetra. Nuk i paguanim dot.

Gjendja është shumë e rënduar. Në një dhomë jetojmë 7 anëtarë, përveç vjehrrës e cila jeton te kunata. Kush na sjell ndonjë gjë për të ngrënë. Nuk kemi as rroba për fëmijët. Ata përpiqen të ndjekin mësimet online. Mësojnë te halla e tyre. Ajo është 10 minuta larg banesës”, tregoi më tej gruaja.

 

 

Avokati i emisionit mori përsipër të ofrojë ndihmën juridike falas përfamiljen Jata Ai tha se familja duhet të aplikojë në bashkinë Kamze dhe të paguhet qiraja nga bashkia, derisa familja të rehabilitohet. “Bashkia duhet t’ia paguajë bonusin e qirasë, pasi këto familje nuk kanë asnjë mundësi për të jetuar. Shteti e ka sanksionuar në kushtetutë që nuk duhet të lërë qytetarin të vdesë. Kemi aktin normativ i dale nga KM që ka të sanksionar target grupet që përfitojnë ndihmë ekonomike. Kjo familje përfshihet. Dokumentet janë: certifikatë familjare, foto kopje ID, vërtetim i shkollës apo kopshti ku ka fëmijët, kontrata paraprake e bashkisë dhe procesverbalet që kjo familje është e pastrehe. Për sa i përket ndihmës ekonomike i plotësojmë kriteret për ta përfituar, por nuk e di sesa kohë duhet që zonja ta përfitojë këtë ndihmë të parashikuar në aktin normativ”, tha avokati.

 

Më pas edhe kryetari i Bashkisë Kamëz Rakip Suli premtoi ndihmë për këtë familje. “Kemi kaluar në këshillin bashkiak, që ndihmë e parë pavarësisht se bashkia nuk e ka portofolin ku është dëshira jonë, ndihmë e parë 150 mijë lekë të reja. Brenda javës tjetër merr bonusin për tre muaj 11 mijë lekë të reja dhe një pagesë 150 mijë lekë të reja për dëmin që është bërë te shtëpia. Kjo është mundësia jonë financiare për të mbështetur këtë familje. Madje, që në ditën e parë ky ka paraqitur një certifikate me dy anëtare, por ata jetojnë 7 anëtarë. Deri tani nuk ka sjellë asnjë dokument. Paketa ushqimore përmban makarona, miell, oriz, kripë dhe detergjent. Maksimumi deri të hënën, janë bërë gjitha procedurat që kjo familje merr një shifër për shtëpinë e djegur për të vazhduar me vijësimin e përfitimit të bonusit të qirasë, duhet plotësuar dosja”, deklaroi Suli.