Shqipëria, pjesë e koalicionit për mbrojtjen e ujërave të Gjirit Persik

Shqipëria, pjesë e koalicionit për mbrojtjen e ujërave të Gjirit Persik

495
0

Shqipëria i është bashkuar forcave të koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në operacionet detare për mbrojtjen e transportit në ujërat e Gjirit Persik. Këto operacione nisën pas një sërë sulmesh mbi cisternat e naftës për të cilatWashingtoni dhe vendet e saj aleate fajësojnë Iranin.

Pak ditë më parë Ambasada Amerikane në Tiranë njoftonte se “Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara të Amerikës mirëpret pjesëmarrjen e Shqipërisë në Koalicionin e Sigurisë Ndërkombëtare Detare (IMSC).

Shqipëria është vendi i shtatë që i bashkohet kësaj përpjekje të rëndësishme shumëkombëshe për të siguruar lirinë e lundrimit dhe rrjedhën e lirë të tregtisë përmes rrugëve detare kryesore në Lindjen e Mesme. Shqipëria iu bashkohet Shteteve të Bashkuara, Mbretërisë së Bashkuar, Australisë, Mbretërisë së Arabisë Saudite, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Bahreinit për të kontribuar në IMSC. Liria e lundrimit është një normë ndërkombëtare jetike për mbrojtjen e së cilës komuniteti ndërkombëtar duhet të punojë së bashku.” thuhet në deklaratën e Ambasadës Amerikane.

Anijet cisternë me naftë do të shoqërohen përmes Ngushticës së Hormuzit, arterie kryesore kjo për transportin e naftës së Lindjes së Mesme. Zëvendës Admirali Jim Malloy, komandant i forcave detare amerikane në Lindjen e Mesme, tha se Operacioni Sentinel është një masë mbrojtëse që synon mbrojtjen e ujërave të Gjirit. “Modeli operacional i Sentinel synon të shmangë kërcënimet, por jo të kërcënojë”, tha ai gjatë një ceremonie në qendrën e komandës së IMSC.