Kombëtarja e Shqipërisë do të përballet me disa mungesa të mëdha në ndeshjen e radhës në kuadër të kualifikimeve për Botërorin Rusia 2018.
Shqipëria do të udhëtojë për në Alikante më 6 tetor, ku do të përballët me Spanjën, por tre yjet kuqezi, Mërgim Mavraj, Burim Kukeli dhe Odise Roshi, nuk do jenë pjesë e kombëtares si pasojë e kartonëve të verdhë..
Të tre këta futbollistë do ta humbasin trasfertën e luksit përballë kampionëve të botës. Shkak janë bërë kartonët e verdhë të marrë në duelin në Strumicë, ku Kombëtarja barazoi 1-1 përballë Maqedonisë. Pas ndëshkimeve gjatë lojës, tre lojtarët do të jenë të pezulluar për ndeshjen e radhës, pasi plotësuan numrin e dy kartonëve.
Mungesat e tyre do ti krijojnë jo pak vështirësi trajnerit Panuçi, pasi bëhet fjalë për tre titullarë fiks. Mavraj mbetet një garanci në qendër të mbrojtjes, aty ku tashmë përveç Ajetit alternativa mbeten Berat Gjimshiti dhe Frederik Veseli. Shqetësuese edhe mungesa e Kukelit në qendër të mesfushës, por që është përshtatur edhe si mbrojtës.
Një element që ndihmon në fazën defensive, shërben për të ekuilibruar skuadrën dhe kujdeset për organizimin e lojës. Migjen Basha është një alternativë cilësore, megjithatë në vitet e fundit Shqipëria ka treguar që e ndjen mungesën e Kukelit sa herë që gjakovari 33-vjeçar nuk është në fushë.
Në fazën ofensive problematike do të jetë mungesa e Odise Roshit. Jo vetëm për faktin se shënoi dy gola në dy ndeshet ndaj Lihtenshtejnit dhe Maqedonisë, por edhe sepse fieraku ishte i vetmi lojtar krahu që me Panuçin nuk e diskutoi në asnjë rast formacionin.
Alternativat nuk mungojnë, sepse pas pezullimit të Roshit mbeten pesë lojtarë në garë për dy vende në krahët e sulmit: Hyka, Grezda, Latifi, Llullaku dhe Ahmedi. Panuçi do të ketë në dispozicion një muaj që të zgjidhë dilemat, përpara duelit të luksit në Spanjë.