Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë nderon “Anëtar Nderi” shkrimtarin Sami Repishti

Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë nderon “Anëtar Nderi” shkrimtarin Sami Repishti

709
0

Sami RepishtiDr. Sami Repishti dhuron bibliotekën e tij personale bibliotekës së Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë

Kryesia e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë në mirëkuptim me anëtarët e saj nderon “Anëtar Nderi” njeriun e letrave shqipe në Amerikë  Dr.Sami Repishti, një personalitet i një përmase të rrallë të kulturës shqiptare dhe amerikane njëkohësisht.

 

Me Dr. Sami Repishti kemi pasur vazhdimisht kontakte dhe konsultime letrare. Ardhja e tij në Shoqatën e Shkrimtarëve është një ogur i bardhë, një mesazh i qartë, një mirënjohje për krijuesit dhe për anëtarët në Shoqatën e Shkrimtarëve, në këtë grupim elitar, të admiruar nga lexuesit dhe nga bekimi i artit.

 

Letërsia shqipe në Amerikë fillon me korifenjtë e letrave, Fan Noli dhe Faik Konica, dhe më vonë, Arshi Pipa, Bilall Xhaferri, Isuf Luzaj, Nexhat Peshkëpia, Peter Prifti, Midhad Frashëri, etj.…Sot kemi Shoqatën e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë në vazhdimësinë e kulturës, gjuhës shqipe. Mbi të gjitha, shohim vazhdimësinë e letrave shqipe anembanë Shteteve të Bashkuara të Amerikës…. “Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë ka mbushë nji boshllëk të madh që na, të brezënisë ma të vjetër e kemi ndije shumë, e nuk kemi pasë mundësi me e përmbushë”….në mes tjerash deklaron eruditi i letrave shqipe në Amerikë, Sami Repishti.

 

Edhe pse i shtyrë nga mosha, profesori vazhdon të shkruajë. Ju kujtojmë se këto ditë botoi një shkrim për Katedralen e Parisit, në qytetin e kulturës ku studioi për letërsinë frënge në Sorbonë.

 

Dr. Sami dhe zonja Diana Repishti jetojnë në një shtëpi të bukur në qytetin Ridgfield të shtetit të Konektiket. Ata kanë dy fëmijë, një djalë dhe një vajzë, shkolluar në universitetet më prestigjioze amerikane.

 

Shoqata e Shkrimtarëve vitin e kaluar ka nderuar “Anëtare Nderi” profesoreshën amerikane, shqipfolëse, poeten e njohur Carrie Hooper. Kryesia e Shoqatës së Shkrimtarëve me shumë seriozitet u angazhua për një aktivitet solemn për shpalljen “Anëtar Nderi” të profesorit të nderuar, Sami Repishti, por për arsye të moshës së thyer, mirënjohja dhe botimet e Shoqatës së Shkrimtarëve iu dorëzuan personalisht nga Presidenti i Shoqatës.

 

ImageAdnan Mehmeti në shtëpinë e Sami Repishtit në Ridgefield, ConnecticutFOTO GALERI

Dhurimi i librave për Bibliotekën e Shoqatës sonë është mirënjohje jo vetëm për ne, bashkëkohësit e tij, por edhe e brezave të tjerë shqiptarë e më gjërë që do të kalojnë pragun e selisë sonë. Është një dhuratë që buron jo vetëm nga zemra e tij e madhe humane, por edhe nga ajo kulturë e spikatur, nga një identitet i spikatur shqiptar. Është një thesar që nuk ka vlera materjale, po një vlerë të madhe shpirtërore dhe patriotike e tij që na ngazëllen të gjithëve. Rrofsh sa fjala e mençur, Profesor!

 

Dy fjalë për biografinë dhe bibliografinë e Sami Repishti

 

Sami Repishti lindi në Shkodër më 6 prill 1925, ku kreu shkollën fillore dhe të mesme. Ndërsa studimet universitare për histori moderne i filloi në Universitetin e Firencës. Në vitin 1946 dënohet nga ish Sigurimi i shtetit me 15 burg, nga të cilat ai i bëri 10 vjet. Mbas daljes nga burgu më 1956, punoi punëtor krahu dhe i përndjekur. Arratiset në Jugosllavi, më 22 gusht 1959 e mëpastaj vendoset në Itali, e mbas shumë vuajtjesh, më 1962, emigroi për në SHBA. Doktoroi pranë Departamentit të Frëngjishtës në City University of Neq York (1973). Për 25 vjet me radhë, ka dhënë mësim në gjimnazet amerikane dhe në universitetin Adelphie, si pedagog i jashtëm.

 

Profesor Repishti është autor i më shumë se 100 studimeve e artikujve me tema shqiptare dhe të Drejtat e Njeriut. Pjesëmarrës aktiv në jetën e bashkësisë shqiptaro-amerikane, është dekoruar disa herë nga qeveria shqiptare dhe amerikane si dhe nga presidenti i Kosovës me “Medaljen e Artë të 125 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit” për veprimtari patriotike dhe akademike.

 

Veprat e botuara:

 

“The theme of the Revolution in the novels of Andre Malraux”, studim, 1973

 

“Pika loti”, tregime burgu, 1997

 

“Kosovë, prill 2000”, përshtypje udhëtimi (bashkëautor me H. Bajraktari), 2000

 

“Nën hijen e Rozafës”, narrativë e jetueme, 2004

 

“Dialektika e rendit dhe rebelimit tek A. Malraux”, studim, 2011

 

“Lotë- lavdi e lumni”, publicistikë,2016

 

“Nga andrrat rinore në botën e mashtrimit”, publicistikë, 2016.