Çudia, nuk ish aspak ajo që besohej, se në të fundit, duke qenë së nuk ka asgjë të re nën këtë diell, s’duhej të kishte fare një të tillë. Nuk ish as tek Homeri dhe Hesiodi prej nga ku nga miti i disa perëndive, lindi në atë kohe, idea e nje Zoti të vetëm, që s’ngjante fare me c’u krijua më parë, një monoteizëm parakristian, kur si binjake nxorri kokë kozmologjia (lëçitja e gjithësisë) dhe pas saj gjithë shkencat e tjera. Të gjitha nga një e bekuar, m’e para, poemë, Iliadën. Perëndive n’atë kohë u këndohej në vargje hekzametrike dhe kjo gjuhe përdorej veç për më të lartat bëma ato të heronjve. Ata që në Vallhalla drekonin me Odinin. Po as aty! Se nga ajo mendje njerëzore e mbarsur me trill s’kish ç’të lindte tjetër dhe pikërisht atë bëri dhe bën. Kish filluar me një sjellje pak të pacipë, një ngritje vetullash me habi a ngrysjen e tyre, a ndoshta me nje fjalë, apo siç mendonin disa ish gdhendur në një tabletë balte (iPad, gjetjen e re), që përveç se ish plotësisht vetjake, tregonte dhe rangun se ku përkisje. Shkrimi nuk ish zbuluar ende dhe në perandorinë e atëherëshme, të gjithë merrnin ç’të mundnin nga gjuhët e njeri tjetrit, nga Mesopotamia (Meslumia) tek Albioni, a ndoshta dhe më shumë nga barbarët ilirë në Veri. Ish, si gjërat e asaj kohe, si Troja, një e pathënë, një e papërmendur, që padyshim do të prishte rregullin botës.
“Mendoj se, si filozofë, kemi nje detyrë veçanërisht të rëndësishme-detyrimin për të lundruar kundër rrymës. Kështu na duhet të përpiqemi, në pa merrë parasysh qëndrimin tonë kritik, të ndihmojmë dhe mbështesim çdo ide të lënë pas dore, sado jopremtuese dhe sidomos çdo ide të re, sepse idetë e reja janë të ralla; edhe nëse kanë fare pak të vërtetë në disa prej tyre, ato mund të nxjerrin në pah një nevojë intelektuale ose ndoshta sjellin ca pështjellim në tufën e ideve që ne i kemi pranuar deri më tani pa i vënë në dyshim.”**
Do t’ishte gjithashtu marrëzi, për një shkrues, i çfarë do lloji qoftë, dashakeqësi, t’iu hiqte lexuesve të tij kënaqësinë aq të domosdoshme, në fund të leximit, kur arrinë të vendosin në një kuptim te vetëm fjale-kryqin e zgjidhur plotësisht me gjithë psherëtimën, që me peshën e kurreshtjes u rëndonte mbi supe. Por ato ishin kohe të tjera, ndryshe sot kur lehtësia është mënyrë jetese. Për këtë nga paragrafi i mësipërm (italik) mund të veçojmë dy pohime të rëndësishme:
* të gjithë, në një mënyrë apo një tjetër, pavarësisht nga mjeshtëri që ushtrojmë, jemi po aq dhe filozofë.
* dhe si të tillë, e kemi për detyrë të lundrojmë kundër rrymës në kërkim të ideve të reja.
Profesor Bogdani, (titullin ia kishim dhënë ne), legjendar në një gjymnaz të kryeqytetit, kish diçka ndryshe nga gjithë matematikanët e tjerë, të cilët përveç heshtjes së rëndë e shpesh të zymtë që ndillte kjo lëndë e “rëndë”, sikur fshihnin një magji të stërlashtë, që vetëm ata e dinin, ngjante më shumë me një poet. Poet, për ç’bënte dhe përkushtimin me aq dikë(pasion) dashurie për të. Recitim numrash me shkums mbi një dërrasë të “zezë”. I veçantë, si dukuri, paçka diku, në bisht të një kontinenti, ku historia për shekuj e kish harruar dhe gjuhën e vet e shkroi thuajse një shekull më parë. Poezi, ishin portretet e matematicienëve priftërinj të “dënuar”: Dekarti isht varur aty si Koperniku, Gausi dhe Paskali, ithtarë dyjetarë nën zhgunë, si dhe murin që theu për të na mësuar një mënyrë të re të menduari. Shok me kuptimin më të vërtetë të fjalës. I fismë nga sëra se dinte t’ish i barabartë. Mentor,(mendues nga Sankristja man-tar), kur këshillonte me urtësi për të ardhmen, për një dije të pastër nga çdo tjetër veç asaj të vërtetës, brënda kllapave të një shteti tërësisht despotik. Nuk duhej dhe aq shumë për një syth!
Vetiu mendja të shkon tek Ndritësimi (iluminizmi)***, bindur se në atë epokë do të gjejmë ndryshime thellbësore dhe në arsim, pikërisht atëherë ku arsyeja mbizotëronte me shkëlqim dhe ndriste vetëm ç’kalonte provën e saj. Por për sa i përket edukimit te mendimit të lirë, edhe në atë kohë s’ndodhi asgjë. Jo ajo që pritej. John Locke* mbolli idenë se të mësuarit ish pasojë e ndjesive (perceptimit) dhe e të menduarit (pasqyrimit të tyre), duke vënë shenjën e barazisë në mundësinë për të nxënë, pavarësisht nga pozita shoqërore dhe gjinia. Demokracia e çliruar nga shtypja e fesë, shpërtheu dhe në shkollim, edhe pse ishin monarkët në luftë me të për pushtet, që me vendimet e tyre zbatuan, sistemin q’është edhe sot. Frederiku i Madh i Prusisë, me “Shkollërregullinepërgjithshëm” dhe krijimin e popullshkollës (Volkschule). Asgjë krahësuar me grekët e lashtë në Athinë a Spartë, nga ajo e Thales së Milos a Pitagorës në Itali. Marrdhënia mësues-nxenës, mbeti ngurtësisht e njejtë. Kudo në histori, mësuesi ish një mbret i vogël në piramidën e tij të dijes. Nxënësit ushtroheshin të mbanin mend, të ruanin në kujtesë ç‘iu jepej e u jepet aq “bujarisht” prej sovranëve me tituj të dhuruar nga të tjerë si ata. Sot ende vuajmë për mendimin kritik të tyre dhe fajësojmë teknologjinë.
Në të vërtetë sythet e pranverës, bulëzojnë muaj më parë në mes të dimrit.
E reja që solli Parmenidi** ishte pikërisht ndryshimi i binomit nxënës-mësues. Ndoshta është këtu, në këtë fushë ku qëndron arritja e tij m’e madhe dhe e gjithë shkollës para-Sokratike. Është kjo q’e bën Parmenidin iluminist dhe iluministët ata që s’arritën kurrë të bëhen parmenidistë. Por ndryshe nga shkolla “italiane” e Pitagorës kjo e Eleas ishte thellësisht krejt tjetër, e vetme e re:
* Asfare dogmatike, nuk rrekej të ruante traditën e mëparshme të mësuesve, ish pasojë e drejtë për drejtë e kritikës së çdo ideje. Metodë bashkëbisedimi kundërshtues me arsye (rational discussion), kritikë e hapur, ku mësuesi i përgjigjet dhe mësonte nga nxënësi.
* Në vend të ideve pa emër autori, është historia e teorive që mbajnë jo vetëm emrin e atyre që i lindën, por dhe luftën për zhvillimin e tyre. Lirinë e plotë të mendimit vetjak përballë vetes dhe arsyetimit të të tjerëve. Ndeshja shkonte deri aty sa disa prej tyre krijonin njëkohësisht dhe të kundërtën ndaj asaj q’e sapo e kishin krijuar vetë!
Ish kjo filozofi e filozofisë e cila, “thuajse pabesueshmërisht e mrekullueshme, sa në çdo brez gjejmë të paktën një filizofi të re, një kozmologji të re me thellësi dhe veçanti marramendëse ….. Dhe sugjeroj së ishte traditë – tradita e bashkëbisedimit kundërshtues.”**
Ndoshta ka ardhur koha, dhe pse në epokën tonë pas-moderniste, të fillojmë të mendojmë rishtazi për këtë traditë të vjetër, që u lind 2700 vjet më parë, por që sythe fsheh e pret të lindë e pastër përsëri. Na duhet të kthejmë kokën ta kujtojmë se siç ish mund të jetë.
————————————————————-
*Encyclopedia Britannica,
**The World of Parmenides, Essays on the Presocratic Enlightenment, by Karl Popper, Routledge Classics 2012, ISBN: 978–0–415–51879–6
***James van Horn Melton, Absolutism and the Eighteen-Century Origin of Compulsory Schooling in Prussia and Austria, 2003
and Brockliss, L. W. B., 1987, French Higher Education in the Seventeen and Eighteen Centuries, Oxford Clarendon Press.
EA 1/11/2020 all the rights and copyrights are protected!