Me pandeminë e koronavirusit që tashmë ka hyrë në kulmin e saj, dilema të shumta janë ngritur.
Sot askush nuk është në gjendje të parashikojë në këto momente për sa kohë do të zgjasë, cilat do të jenë kostot dhe sa i vështirë do të jetë rekuperimi.
Një ide e mundshme mund të krijohet nga pandemitë e kaluara. Më herët, bota është përballur me pandeminë globale të Gripit Spanjoll në fillim të shekullit XX dhe me shpërthime më të lokalizuara në formën e SARS-it dhe Ebolës në fillim të këtij shekulli.
Gripi spanjoll ka zgjatur për 24 muaj dhe ka qenë më vdekjeprurësi deri tani, sa i përket numrit të jetëve të humbura, me deri në 50 milionë vdekje. Shkalla e vdekshmërisë vlerësohet midis 3-10%. Ai u përhap në 187 shtete (përhapja më e gjerë deri përpara Covid-19 që ka prekur tashmë 217 shtete).
Ebola ka zgjatur 26 muaj dhe ka shkaktuar 11 mijë vdekje me një shkallë vdekshmërie prej 40%, me normën më të lartë deri tani, por që ka pasur një përhapje në vetëm 3 shtete.
SARS ka pasur kohëzgjatjen më të ulët, në vetëm 8 shtete, për shkak të transmetimit të ulët, ndërsa vdekshmëria vlerësohet në 10%.
Shpërthimet virale mund të çojnë në humbje të menjëhershme të PBB-së, në një normë midis më pak se 1 dhe mbi 20%, në varësi të numrit të infeksioneve, shkallës së vdekshmërisë, kohëzgjatjes së shpërthimit, masave të shëndetit publik dhe reagimit më të gjerë social dhe ndërkombëtar. Ndikimi afatshkurtër i PBB-së së koronavirusit mund të ndryshojë në të gjithë vendet.
Pasojat në ekonomi
Sipas një artikulli të Richard Hughes për Resolution Foundation, ndërprerja në aktivitetin ekonomik e shkaktuar nga një shpërthim viral është produkt i pesë faktorëve kryesorë:
Numri i personave të infektuar,
Shkalla e sëmundshmërisë dhe e vdekshmërisë në lidhje me njerëzit që sëmuren,
Kohëzgjatja të shpërthimit,
Kufizimet e shëndetit publik të vendosura për të përmirësuar përhapjen e mëtejshme të virusit, dhe
Masa të tjera vullnetare të distancimit social që njerëzit marrin për të zvogëluar mundësitë që të infektohen prej virusit.
Ashtu siç shpjegohet edhe më poshtë, historia tregon që (i) dhe (ii) janë përcaktuesit kryesorë të ndikimit ekonomik afatgjatë të sëmundjes ndërsa (iii), (iv) dhe (v) janë përcaktuesit kryesorë të ndikimit ekonomik në një periudhë të afërt kohore.
Bazuar në përvojën e kaluar, vendet më shumë të prekura mund të shohin humbje vjetore të PBB-së në shifra të larta jo vetëm një por edhe dyshifrore, sidomos në pikun e shpërthimit. Kjo bazohet në mësimet e mëposhtme të shpërthimeve virale që kanë ndodhur në të kaluarën:
Gripi spanjoll 1919
Përpara se të shpërthente Koronavirusi, Gripi Spanjoll ishte më i përhapuri nga tre pandemitë, duke infektuar 500 milionë njerëz në të gjithë botën (rreth 30% të popullsisë botërore) dhe vlerësohet se u ka marrë jetën midis 17 dhe 50 milionë personave, ose midis 1-3% të popullsisë në botë, me një shkallë vdekshmërie midis 3 dhe 10% për ata të infektuar.
Ai gjithashtu e goditi rëndë popullsinë në tre valë gjatë një periudhe dyvjeçare midis 1918-‘19. Ndërsa ndikimet e tij në drejtim të PBB-së janë të vështira për t’u veçuar nga pasojat ekonomike të Luftës së Parë Botërore dhe demobilizimi i mëpasshëm. Vendet më të goditura nga pandemia kanë parë tkurrjen e PBB-së me 6% në SHBA, 11% në Kanada dhe 13% në Mbretërinë e Bashkuar sa u takon pasojave të shpërthimit në 1919.
Studimi i kohëve të fundit vlerësoi se rënia mesatare e PBB-së reale për frymë i atribuohet Gripit Spanjoll midis 8,4 dhe 9,9% për një vend tipik.
SARS 2003
Përhapja e SARS-it në 2003, që infektoi një numër më të vogël njerëzish, 8,096 të prekur, me rreth 774 vdekje, ishte shumë më pak e përhapur, por në mënyrë të konsiderueshme më vdekjeprurëse sesa Gripi Spanjoll, sepse shkalla e saj e vdekshmërisë ishte prej gati 10%.
Sidoqoftë, përhapja e virusit u izolua shumë shpejt, vetëm brenda disa muajve. Në katër vendet më të prekura (Hong-Kong, Kinë, Singapor dhe Tajvan), prodhimi ra vetëm në tremujorin e dytë dhe më pas shënoi sërish rritje pozitive. Prandaj, humbja më e lartë vjetore e prodhimit ishte vetëm midis 0.5-1.1% në vitin 2003.
Ebola 2013
Përhapja e Ebolës në vitin 2013, e cila preku 28.616 njerëz dhe çoi në 11.310 vdekje në Guineja, Liberi dhe Sierra Leone, ishte deri tani më e larta sa i takon shkallës së vdekshmërisë, me rreth 40% për personat e infektuar. Ajo pati edhe një periudhë më të gjatë kohëzgjatjeje në krahasim me SARS-in, që zgjati pothuajse dy vjet para se masat e shëndetit publik, përfshirë karantinat masive të njëpasnjëshme, të vinin nën kontroll shpërthimin.
Në tre vendet e Afrikës Perëndimore të prekura më së shumti, Ebola shënoi humbje vjetore të PBB-së prej 5% në Guineja, 7% në Liberi dhe mbi 20% në Sierra Leone.
Pasojat e pritshme të Covid-19
Pavarësisht se duket se ka shkallën më të ulët të vdekshmërisë nga katër shpërthimet e diskutuara në këtë artikull, në 3-4%, duke marrë parasysh përhapjen e tij të gjerë globale, ka shumë mundësi që koha e nevojshme që duhet për ta përmbajtur atë (veçanërisht në vendet me të ardhura më të ulëta dhe shtetet e brishta), dhe ashpërsia e shëndetit publik dhe masat distancuese sociale të kërkuara për ta bërë këtë, koronavirusi ka të ngjarë të jetë më afër ose më keq se Gripi Spanjoll dhe Ebola për sa i përket ndikimit të tij të mundshëm në prodhimin ekonomik të një shteti të caktuar.
Shumica (rreth 80-90%) e ndikimit ekonomik afatshkurtër të shpërthimit nuk vjen si rezultat i njerëzve që sëmuren, por nga përçarja në aktivitetin ekonomik e lidhur me kufizimet e shëndetit publik dhe distancimin social të kërkuar për të kontrolluar përhapjen e tij.
Një simulim i Bankës Botërore në vitin 2008, për ndikimin e mundshëm ekonomik të një gripi pandemik të ngjashëm me atë të Gripit Spanjoll, por me një reagim të shëndetit publik dhe social të tipit të SARS-it vlerësoi se vetëm 12% e kostove totale ekonomike lindin për shkak të vdekshmërisë nga sëmundja, ndërsa 28% vijnë nga nivele më të larta të sëmundjes së punëtorëve, dhe 60% lindin si rezultat i përpjekjeve të detyrueshme ose vullnetare nga ana e individëve për të shmangur infeksionin. Duke pasur parasysh shkallën relativisht të ulët të vdekshmërisë së koronavirusit, mendohet që pjesa dërrmuese e efekteve të saj ekonomike të vijnë nga masat e nevojshme për distancimin social, të kërkuara për ta kufizuar atë.
Pasojat që kanë pasur shpërthimet virale në sektorë të ndryshëm të ekonomisë si në atë të udhëtimit, mikpritjes, turizmit dhe shërbimeve të shitjes me pakicë kanë qenë të shumta.
Kriza ekonomike e gripit spanjoll
Gjatë shpërthimit të Gripit Spanjoll, pagat e shumë punëtorëve spanjollë ishin në nivelet e tyre minimale, siç ishin edhe sigurimet e tyre shoqërore, prandaj punëtorëve nuk u mbetej zgjedhje tjetër, por të vazhdonin punën derisa të sëmureshin, në mënyrë që të mos humbisnin edhe ato pak të ardhura që merrnin.
Veprimet e ndërmarra për të minimizuar pandeminë ishin gjithashtu sporadike dhe të pjesshme, siç dëshmohet nga ndryshime të konsiderueshme në qasjen e miratuar nga shtete të ndryshme amerikane të prekura nga virusi, teksa ai përhapej nëpër të gjithë vendin. Sipas të dhënave, sektori i shitjes me pakicë pësoi humbje midis 30 dhe 70% ndërsa fabrikat u përballën me një humbje nga 40 deri në 50% në kulmin e shpërthimit të pandemisë në qytete të ndryshme të SHBA-së.
SARS, hotelet dhe turizmi goditjen më të madhe
Gjatë shpërthimit të SARS-it, hotelet dhe atraksionet turistike u goditën më së shumti, duke u përballur me një humbje të të ardhurave prej rreth 80% krahasuar me vitin e kaluar, ndërsa agjencitë e udhëtimit, linjat ajrore, restorantet, shitjet me pakicë dhe transporti panë një rënie të të ardhurave 10-50%. Këta sektorë u prekën jo vetëm nga vendosja e kufizimeve të shëndetit publik dhe masave distancuese sociale për banorët e zonës, por edhe nga një rënie e vizitorëve të huaj në rajon.
Ebola, tregtia dhe industria ushqimore me rënien më të madhe
Gjatë Ebola-s, të tre vendet e Afrikës Perëndimore gjithashtu shënuan rënie të mëdha në turizëm, investime të huaja, tregti dhe shërbime. Sierra Leone u godit veçanërisht për shkak të nevojës për të pezulluar operacionet e minierave dhe nxjerrjen e hekurit, të cilat përbënin 20% të PBB-së në 2014.
Në të tre shtetet, prodhimi dhe tregtia u prekën gjithashtu nga bllokimet dhe karantinat në qytete dhe fshatrave, të cilat u zbulua se ishin të prekura nga virusi. Karantinat dhe mbylljet e kufijve u shoqëruan me rënie të tregtisë rajonale dhe pasiguri të shtuar në industrinë ushqimore në vendet më të goditura,pavarësisht se prodhimi iprodukteve kryesore të ushqimit shënoi një rënie me vetëm 3-12 për qind në të treja prej këtyre shteteve.
Koronavirusi, humbjet më të mëdha në turizëm dhe transport
Tashmë është e qartë se pandemia e koronavirusit ka një ndikim serioz në sektorët e transportit, turizmit, mikpritjes dhe argëtimit në të gjithë botën. Një vlerësim i rënies së mundshme të kërkesës në këta sektorë mund të merret nga një studim i Zyrës së Buxhetit të Kongresit të vitit 2006.
Sipas modeleve të tyre, sektorët e argëtimit, hotelerisë dhe restoranteve po përballen me një rënie prej 80% të kërkesës; ndërsa industria e transportit, ajrore dhe ajo hekurudhore lokale u përballën me një rënie prej 67%. Shumica e industrive të tjera janë përballur me një rënie të kërkesës nga 0 dhe 10%, ndërsa kujdesi shëndetësor pa një rritje prej 15% (Figura 2).
Rënia e kësaj shkalle është në përputhje me ato që janë vërejtur në të dhënat në kohë reale për rezervimet e linjave ajrore, restoranteve dhe hoteleve që nga fillimi i shpërthimit të koronavirusit.
Rikuperimi, leksione nga shkuara
Në momentin që shpërthimet virale mbarojnë dhe kufizimet e shëndetit publik hiqen, ekonomitë fillojnë të rikuperohen, megjithëse me shpejtësi të ndryshme. Padyshim që edhe ekonomia globale do të shërohet nga koronavirusi, por ky proces mund të zgjasë me vite dhe jo me muaj, në varësi të shpejtësisë së përhapjes së virusit në vende të ndryshme.
Koha mesatare, që prodhimi të rikthehej në nivelet e para-shpërthimit në shtatë vendet e goditura më shumë nga tre shpërthimet virale të analizuara në këtë punim, ishte tre vjet, befasuese duke pasur parasysh rënien prej 10-20% të PBB-së të përjetuar nga disa prej këtyre shteteve në kulmin e shpërthimeve.
Për shkak se Gripi Spanjoll goditi botën në tre valë gjatë dy viteve, u deshën disa vjet që ekonomia globale të rikuperohej plotësisht.
SARS-i uli prodhimin vetëm në tremujorin e dytë të vitit 2003 në Kinë, Hong-Kong, Tajvan dhe Singapor, dhe rritja u shfaq fuqishëm në tremujorin e tretë dhe të katërt të po atij viti. Hong-Kongu shënoi një rritje të PBB-së me 4,5% të PBB-së në dy tremujorët para shpërthimit të SARS dhe gjithashtu në dy tremujorët pas përfundimit të tij, duke nënvizuar përfitimet ekonomike të kontrollit të hershëm dhe të shpejtë të virusit.
Guinesë, Liberisë dhe Sierra Leones iu deshën diku midis 3 dhe 5 viteve për t’u rikthyer në nivelet e tyre të PBB-së reale, përpara shpërthimit të Ebolas. Ky ritëm më i ngadaltë i rimëkëmbjes ishte për shkak të kohëzgjatjes së përçarjes ekonomike, zhvendosjes më të madhe të faktorëve ekonomikë dhe ndërprerjes së marrëdhënieve tregtare vendase dhe ndërkombëtare. Rimëkëmbja u vonua gjithashtu edhe nga rënia e çmimeve globale të mallrave, që ndikuan në rënien e kërkesës së jashtme për eksportet e tyre kryesore.
Në rastin e koronavirusit, prodhimi gjithashtu do të rikuperohet pasi të hiqen kufizimet e shëndetit publik, bizneset të rihapen dhe njerëzit të kthehen në punë. Sidoqoftë, duke pasur parasysh shtrirjen e mundshme globale dhe kohëzgjatjen e pandemisë; kapitalin dhe zinxhirët e furnizimit dhe potencialin që udhëtimet ndërkombëtare dhe kufizimet e tjera tregtare të mbeten në fuqi për periudha të gjata, rimëkëmbjes ekonomike mund t’i duhen jo vetëm disa muaj (si në rastin e SARS-it) por vite të tëra (si në rastin e Gripit Spanjoll dhe Ebolas)./MONITOR