Rreziku që vjen pasi njohe patronazhistin tënd!

Rreziku që vjen pasi njohe patronazhistin tënd!

435
0

Nga Nikollaq Neranxi

 

Pak ditë pasi media bëri publike lajmin se Partia Socialiste ka një database me të gjitha të dhënat e qytetarëve votues, mirë është që ta lëmë për një çast humorin që ka shpërthyer në rrjetet sociale dhe të bëjmë një analizë.

 

Në atë database janë të gjitha të dhënat tona private, si ID, mosha, numri i telefonit, për kë kemi votuar (jo tek të gjithë) dhe në fund, emri i atij që Partia e ka caktuar si patronazhistin tonë, për të na bindur që të votojmë për PS-në.

 

Po t’i shohim me vemendje, disa nga emrat e votuesve dhe patronazhistëve përkatës, kemi të bëjmë në përgjithësi me një patronazhist komshi apo dikë që ka një njohje me viktimën e tij, pra votuesin.

 

Padyshim që ngjarja është shkelje e privatësisë, shkelje e ligjit zgjedhor dhe disa shkelje të tjera që juristët i dinë më mirë se unë dhe kjo tregon se Partia Socialiste ka kryer një vepër penale. Për këtë arsye, unë prisja në fakt që Partitë politike opozitare, por edhe Shoqata apo Organizata të ndryshme, të bëhen bashkë dhe ta padisin PS-në në SPAK. Por ndërkohë kemi mësuar se SPAK ka filluar vetë një hetim mbi këtë çështje.

 

Por, unë i frikësohem një tjetër fenomeni tani, në këto pak ditë që na ndajnë nga procesi i votimit. PS mund ta përdorë këtë që ndodhi, në favor të saj dhe ju e dini se kjo parti ka dhënë prova se, aty ku ne kemi parë dështim, disfatë apo diskreditim, ata kanë ditur ta kthejnë në favor të tyre. Kam frikë se do ta bëjë edhe kësaj here.

 

Tashmë votuesit i njohin patronazhistët e tyre, ata janë vetëm një telefonatë larg, ose akoma më mirë, mund të jenë që të dy duke pirë kafe tek bari i lagjes. Tashmë patronazhisti ka dalë nga ilegaliteti dhe mund t’i afrohet viktimës së tij. Ai e njeh mirë atë, ia di edhe hallet e familjes dhe këtu kemi hapin e dytë, propozimin për blerjen e votës. Rilindasit kanë vjedhur pa fund këto tetë vite në pushtet dhe blerja e votës, është jo vetëm traditë e tyre, por edhe diçka e plotësisht e mundur për ta, nga pikpamja financiare.

 

Prandaj duhet të bëni shumë kujdes, mos bëni pazar me votën tuaj në asnjë rast, mbajeni larg patronazhistin tuaj dhe ngrihuni në lartësinë e misionit të madh që ka orientimi i votës për të bërë ndryshimin.

 

Të shesësh votën, është njësoj si të shesësh nderin dhe dinjitetin tënd! Ti je njeri i lirë, pse duhet të shesësh votën dhe të blesh skllavërimin tënd, në këmbim të disa qindarkave?!

 

Mos e bëj kurrë!!!!