Rrëfimi i 36-vjeçari: Im atë më nxori jashtë se nuk pranojnë gruan...

Rrëfimi i 36-vjeçari: Im atë më nxori jashtë se nuk pranojnë gruan 11 vite më të madhe, as vajzën se takoj dot

861
0

Në studion e emisionit “Me zemër të hapur” në News24 ka ardhur sot historia e Alket Sades, një 36-vjeçar, i cili ka udhëtuar mes peripecive dhe braktisjes nga njerëzit e tij më të afërt. Për disa vite me radhë nuk i është lejuar që të shikojë me sy vajzën e tij. Alketi është nxjerrë jashtë nga shtëpia të cilën e ndërtoi së bashku me babain e tij, pasi familja nuk e pranoi kurrë faktin që Alketi u martua me një grua 11 vite më të madhe.

 

“Jam me origjinë nga Dibra, jetojmë që nga 1997 në Tirane, jam i martuar dy herë. Kam qenë i martuar me një femër në vitin 2008 dhe isha 20 vjeç ajo ishte 17 vjeç kur u njohëm, patëm një fëmijë. Vajza erdhi brenda vitit në jetë, jetuam 5 vite martesë bashkë, ishte nga Bulqiza. Pas 5 vitesh u divorcuam pasi unë e gjeta me dikë tjetër. U divorcuam kur vajza ishte 5 vjeç dhe pastaj unë u largova jashtë për të punuar. Ajo punonte në një fabrikë këpucësh, kur mora dokumentet e grekut, dhe erdha pa i treguar gruas, kur mbërrita në Shqipëri shkova te puna e saj dhe aty më thanë se ajo nuk ishte aty por kishte marrë leje dhe më thanë se ishte në një lokal me dikë tjetër. Shkova në lokal dhe i gjeta bashkë dhe e mora në shtëpi telefonova vëllain e vet dhe i njoftova të vinin ta merrnin dhe ndërkohë bëra dhe procedurat e divorcit. I vëllai erdhi në shtëpi dhe deshi ta rrihte por unë nuk e lejova. Ajo pasi u nda nga mua mori dhe gocën dhe që nga ai moment unë nuk e kam parë më gocën me sy, tani është 14 vjeç. Por ajo më ka hedhur në gjyq sepse nuk kam dhënë detyrimet ndaj vajzës sepse nuk kam pasur dhe nuk kam ekonomi”, tregon Alketi.

Më pas në jetën e tij ka hyrë një grua tjetër më e madhe me të cilën është martuar sërish.

 

“Pas 6 vitesh divorc u njoha me Vjollcën e cila me orgjinë është nga Kukësi. Ajo kishte qenë e martuar dhe kishte 3 fëmijë por njëri nga fëmijët ndërroi jetë para se të divorcohej nga bashkëshorti. Vajza vdiq nga një sëmundje shumë e rëndë në moshën 9-vjeçare. Pas vdekjes se vajzës, Vjollca u divorcua se bashkëshorti i saj luante bixhoz dhe pinte alkool dhe nuk e ndihmonte për asgjë. Kemi dy vite që jemi bashkë dhe jemi celebruar. Vjollca nuk i ka fëmijët, i ka ish-bashkëshorti. Ne jetojmë bashkë dhe jemi të lumtur”, deklaroi djali. Ai shpjegoi konfliktin me të atin për shtëpinë, për të cilën thotë se kanë kontribuuar të dy.

“Unë jetoj me qira rreth 15 minuta nga banesa e babait tim, të cilën e kemi ndërtuar bashkë. Pikërisht këtu lind edhe problemi më i madh i imi. Babai im nuk më ka dhënë asnjë gjë nga ajo shtëpi dhe thotë se nuk kam pjesë në atë banesë. U mundova të futesha në punë që 14-vjeç. Babai im filloi që t’i fshehte të ardhurat dhe nuk tregonte më asgjë. Ndërkohë që unë nuk bëra as shkollën sepse prindërit nuk më lanë që ta bëja shkollën. Më vonë ne morëm një lokal me qira, por fillova të dëgjoja fjalë për babain sepse ai lekët nuk i solli më në shtëpi. Ai po i harxhonte këto lekë me femra dhe merrej me këto pisllëqe. Ia kam zbuluar telefonin dhe mesazhet në telefonin e tij dhe u bë një debat shumë i madh dhe ai më përzuri nga shtëpia. Unë zbulova tradhtinë e tij dhe pas kësaj u bë ajo ndarja me familjen. Unë dua të hedh babain në gjyq dhe të marr pjesën që më takon. Por unë jam pa punë, pa ndihmë ekonomike, jemi shumë keq nga ekonomia dhe po presim sesi të kalojë kjo situatë të punojmë dhe të fitojmë bukën e gojës. Unë dua që së bashku me Vjollcën të banojmë te shtëpia e babait sepse e kemi ndërtuar bashkë atë shtëpi. Kushtet e mia nuk ma lejojnë të paguaj qira për të jetuar.

Por njerëzit e mi nuk më duan sepse unë kam marrë Vjollcën 47 vjeçe e cila është më e madhe se mua gati 11 vite. Ata se pranojnë dot këtë dhe më nxorën jashtë dhe unë u detyrova të marr shtëpi me qira. Ndërkohë ndihem i kërcënuar edhe nga vëllai i ish-bashkëshortes time sepse ai më thotë pse nuk e mbajte motrën. Jam shumë keq dhe dua të shoh edhe fëmijën tim pasi ajo nuk ma ka nxjerrë asnjëherë vajzën as fytyrën, se njoh po ta shikoj, vetëm një herë shkova i çova 400 mijë lekë të vjetra ia dhashë vëllait të saj për vajzën. Erdhi goca dhe ishte shumë larg, edhe nuk e pashë, nuk arrita ta shikoj dot. Ajo më ka denoncuar sikur unë nuk jam sjellë mirë apo nuk kam paguar detyrime. Sikur unë jam me probleme të shëndetit mendor. Edhe sikur kam ushtruar dhunë ndaj saj. Dy muaj pas divorcit kam shkuar 12 ditë në burg pasi ajo me denoncoi. Unë punoja në ndërtim dhe shuma që merrja deri në fund të muajit ishte 120 mijë lekë të vjetra. Kush është ai prind që nuk do të japë lekë për fëmijën e tij. Çdo gjë që kam është ai fëmijë. Unë jam i braktisur nga prindërit dhe nga gjithë njerëzit, vetëm Vjollca më ka mbështetur shumë dhe ka qëndruar pranë meje gjatë gjithë kohës, por prindërit e mi më larguan nga shtëpia sepse nuk deshën që unë të merrja një femër më të madhe dhe që ishte ngjyrë e zezë. Unë tani së bashku me Vjollcën ndihemi të rrezikuar për shkak edhe të situatës, Vjollca është me kemp, është e paaftë për punë, ndihemi të rrezikuar nga virusi, pasi kushtet nuk i kemi që ta mbajmë këtë shtëpi me qira, të paktën të jetojmë për pak kohë te babai, sepse banesa e babait ka vend mjaftueshëm edhe për mua. Shtëpia është 3 katëshe, në katin e parë kam jetuar unë, në të dytin prindërit me motrën e pa martuar, sepse ne jemi katër fëmijë, dy vëllezër edhe dy motra. Njëra nga motrat është e martuar jeton me familjen e saj, ndërsa vëllai jeton jashtë me familje. Motra e vogël jeton me prindrit. Babai me nxori jashtë dhe në atë shtëpi ka futur një familje dhe i merr qiranë, ndërsa mua më thotë që nuk ke vend këtu por edhe ato kohë që ke jetuar do më sjellësh lekët. Madje herën e fundit unë kam provuar ta telefonoj që ta zgjidhnim këtë bisedë pasi nuk mund të jetoj kështu i rrezikuar edhe ai mu përgjigj me fjalë ofenduese ndaj bashkëshortes time. Unë shkova e denoncova ne polici”, deklaroi Alketi.

 

Ai tha se me të ëmën ka marrëdhënie të mira ndërsa me babain jo. “Babai im ka ushtruar dhunë ndaj meje. Më ka kërcënuar edhe sot kam frikë të eci në rrugë. Martesa e dytë ka ndodhur që në 2017, ajo është një zonjë për shtëpi. Pas një vit lidhje bëra celebrim. Por kur ia prezantova familjes ata nuk ishin dakord. Që kur u martova me nusen e dytë më nxorën nga shtëpia dhe më thanë që nuk ke më punë këtu”, tha 36-vjeçari.

 

Ndërsa babai i Alketit, Dylber Sade foli me tone të larta dhe shumë i acaruar. Ai tha se i biri mund të vazhdojë gjyqet pasi nuk ka vend në shtëpinë e tij, duke mohuar kontributin dhe duke e akuzuar për vjedhje.

 

“Ai fëmijë ka 20 vite që ka marrë nga babi dhe mami. Ai kur erdhi te emisioni juaj duhet të mos bënte të ëmën me zemër. Unë jam në punë për të nxjerrë lekë. Ai djalë nuk ka punë më këtu në këtë familje, ai ka problemet e veta. Ai duhet të rikthehet njëherë pas të kujtojë çfarë ka bërë. Ai nuk ka asnjë punë më aty në atë shtëpi me gjithë ato që ka bërë. Prej 20 vitesh ai fëmijë ka pasur probleme me ne. Ai djalë nuk na ka përfill, i di shumë mirë çfarë ka bërë në atë shtëpi. Ai më ka bërë me zemër mua dhe nënën e tij. Ai duhet të hapi zemrën ashtu siç ka ardhur aty në atë emision. Sa lekë kam paguar unë që atë mos ta vrasin. Gjithë këto kanë filluar në vitin 2000. Unë kam 20 vite që merrem me të, kemi kërkuar me çakmak nëpër shinat e trenit nëpër vagonë. Ai nuk na ka dëgjuar fare ai na ka vjedhur na ka shkatërruar. Ai është një person që vjedh, le të përballet në gjyq. Unë si mund ta pranoj që ai martohet sa herë i do qejfi. Han me porta unë nuk e kam shtëpinë. Ai çfarë tregon është zero krejt për mua”, deklaroi i ati.

 

Marrë nga Ballkan web