Një aksion antikorrupsion është duke u ndërmarrë mëngjesin e sotëm në Lushnje, ku në mesin e të ndaluarve është dhe kryebashkiaku socialist Fatos Tushe.
Mësohet se Tushe është arrestuar me urdhër të SPAK, ndërkohë që kontrolle janë kryer dhe në institucionin e Kadastrës dhe institucionin e ndërmarrjeve publike.
Perveç Tushes janë arrestuar dhe disa persona të tjerë, ndërsa në vijim pritet të kemi dhe detaje në lidhje me këtë operacion.
Mësohet se në total janë lëshuar 8 urdhër arreste, 5 prej të cilëve janë ekzekutuar mëngjesin e kësaj të marte, ndërsa 3 persona të tjerë mbeten ende në kërkim.
Akuza që rëndon mbi Tushen është ajo e korrupsionit, ndërsa në mesin e të arrestuarve dyshohet se ka dhe biznesmenë, të cilët janë përfituar tendera nga Bashkia.
Përpara kandidimit për Bashkinë Lushnjë në 2019, Tushe ka shërbyer si deputet i Parlamentit për zonën e Fierit; anëtar i Partisë Socialiste, anëtar në Komisionin e Prodhimit, Tregtisë dhe Mjedisit. Po ashtu ai ka qenë kryetar i bashkisë Lushnje për vitet 2007–2009; Anëtar i Parlamentit në legjislaturën XVIII deri më 31.03.2011. Ai dha dorëheqjen sepse kandidoi për bashkinë e Lushnjës në zgjedhjet lokale të vitit 2011.