Reforma Zgjedhore si lojë pa top e Opozitës! Nga Arian Galdini

Reforma Zgjedhore si lojë pa top e Opozitës! Nga Arian Galdini

610
0

Ka Opozitarë ndër ne që kanë 27 vjet që janë të tillë. Por kjo nuk vlen e as përfillet në një shoqëri ku të gjithë duhet të bëjmë “ushtri” në Parti. Opozitarët që kanë qenë kahera të vetmuar, pa ushtri e pa pushtete, janë thjesht pëshpërima që nuk u bëjnë punë as të gjallëve e as të vdekurve në këtë vend.

Karakteret e lira dhe me integritet janë rrallësi e gjithashtu edhe kotësi në shoqërinë e mbizotëruar nga popujt e partive.

E hapim pak lakun dhe vijmë tek Opozitarët e anësuar. Mes tyre ka plot edhe nga ata që janë karaktere të lira dhe me integritet që megjithatë janë të anësuar. Asgjë të keqe nuk ka të jesh i anësuar. Përkundërazi të anësuarit janë njerëz me bindje të forta, po aq sa edhe të paanësuarit që mund të kenë një tjetër soj bindjesh të forta.

Në shoqërinë tonë edhe të anësuarit që janë karaktere të lira dhe me integritet janë tashmë rrallësi dhe kotësi.

Kur flasim e shkruajmë për karaktere të lira dhe me integritet, njëmendësohemi pa asnjë ngurrim të gjithë se të tillë njerëz vuajnë nga mëkati i të menduarit.

Kush mendon, konsiderohet si rudiment në kohët e sotme.

Do të jetosh mirë, të bësh plaçkë, karrierë, status social, sukses, përpjetë e katandi, çlirohu nga mëkati i të menduarit.

Sidomos, mos guxo të biesh në “kthetrat e krimit” që të shtin të lexosh, studiosh, kërkosh, shkruash…

Po je i kapluar nga mëkati i të menduarit a aq më keq nga krimet e sapopërmendura, 9 rrathët e ferrit të Dantes janë e vetmja hartë jetësore për ty, ku duhet vetëm të gjesh strukjen tënde.

Ti lëmë pra mënjanë Opozitarët e dy kategorive të mësipërme sepse ata nuk janë për këtë botë.

Sikurse e kanë zakon gazetarët dhe analistët tanë, le të bëhemi më konkretë.

Se këtu në këtë vendin tonë, të jesh konkret do të thotë të flasësh jo për të vërteta vlerore e parimore, por domosdoshmërisht dhe vetëm për faktorët veprues dhe vendim-marrës.

Ka ndër ne Opozitarët që politikisht dhe faktikisht jemi pozicionuar e kemi bërë akte, shkrime, qëndrime e veprimtari të fortë opozitare kundër qeverisë Rama – Meta që në qershorin e 2013.

Opozita kryesore dhe udhëheqëse ndër ne sigurisht që ishte Partia Demokratike. Në terma politikë, institucionalë dhe protokollarë, ngase ishte e votuar, Partia Demokratike ishte edhe Opozita Zyrtare në Shqipëri.

Ne Opozitarët e tjerë ishim ose të vetëpërcaktuar si Opozitarë ose të aleancuar me PD për tu konsideruar si Opozitarë.

Vetëpërcaktimi, qëndrimet personale apo në grup, si individ apo si organizatë, si aktivizëm civil apo politik, edhe pse mund të jenë opozitarizëm substancial, i pakompromis, i pastër, i fortë, i ndershëm, qëndrestar kundër qeverisë, për mënyrën sesi kuptohet e bëhet apo përcillet politika në qytetin tonë, nuk është se përfillen apo vlerësohen nga ndokush…

As media, as analistët, as mendimtarët, as ndërkombëtarët, nuk ia vënë veshin këtij opozitarizmi të dlirë.

Këtu Opozitë quhet vetëm ajo zyrtare dhe Opozitar quhesh vetëm po u çertifikove dhe pranove nga Opozita Zyrtare…

Paradoks skandaloz, por ja që kështu është.

Nejse. Ka ndër ne Opozitarët që qysh prej qershorit 2013, u vetëpërcaktuam si politikisht kundërshtarë të Shumicës së Majtë që erdhi në fuqi asokohe.

Ka ndër ne Opozitarët, njerëz, organizata dhe parti që kanë bërë beteja të forta e të mëdha qytetare dhe politike kundër e në përballje me Qeverinë Rama – Meta.

Që nga dita e parë e Opozitarizmit tonë politik e deri më sot, ka ndër ne Opozitarët nga ata që për asnjë rast e për asnjë arsye nuk u mëdyshëm e as u joshëm për të ndryshuar qëndrimin tonë kundër Qeverisë Rama 1 e as kundër Qeverisë Rama 2.

Ka ndër ne që nuk kanë rreshtur së foluri publikisht në ekrane, foltore, protesta qytetare a politike, salla e sheshe, madje edhe në Çadrën e Lirisë, kundër Qeverisë Rama.

Ka ndër ne që nuk kanë rreshtur së shkruari artikuj e qëndrime të serta kundër Edi Ramës dhe Qeverisjes së tij.

E megjithatë, them ka ndër ne sepse, 25 qershori ka ndyshuar shumëçka.

Në 25 qershor Edi Rama u kurorëzua si Timonier i Vetëm i Qeverisë së tij, Lulzim Basha u rikonfirmua si Lideri Zyrtar i Opozitës Zyrtare, ndërsa LSI u votua për të dalë gjithashtu në Opozitë.

Dmth, kemi Opozitën Kryesore e për rrjedhojë edhe Opozitën Zyrtare, kemi Opozitën e re apo siç e quan provokueshëm Edi Rama LSI-në, Opozitën tjetër, dhe jemi edhe ne Opozitarët e kahershëm e ndoshta edhe të tjerë Opozitarë të vetëpërcaktuar…

Nuk e përjashtoj mundësinë që të na dalin edhe Opozitarë të emëruar.

Në këtë rebus opozitarizmi, Lulzim Basha sapo ka dalë në publik me idenë se prioriteti i prioriteteve është Reforma Zgjedhore.

E konsideruar si çështje jashtë kontekstit, edhe unë besoj se Reforma Zgjedhore është domosdoshmëri që në Shqipëri të rikthehet politika, të ri-instalohet demokracia dhe që të funksionojë liria.

Ama konteksti është kokëfortë dhe i papërjashtueshëm nga konsiderata në të tilla raste e kohë.

Me këtë katrahurë opozitarizmi plot ngjyra e vibrime të gjithëfarësojshme, ku do të na çojë një Reformë Zgjedhore e shndërruar në prioritet te veprimit opozitar?

A na bashkon, neve Opozitarëve ky kalë beteje për Reformë Zgjedhore?

Apo mban Edi Ramën si kurdisësin e debateve të pafundme mbi sistemin zgjedhor e mbi të cilat mund të bëjë kërdinë duke ngjallur mosbesim mes të gjithë neve opozitarëve e për të mos na lënë kurrë paqe që ne të gjejmë bashkimin e bashkërendimin opozitar?

Reforma Zgjedhore në këto momente e nën këtë kontekst, sidomos nën frymën e paktit Rama – Basha të 17 – 18 majit, ngjason më shumë si një shantazh mbi neve opozitarët e kahershëm, për të na futur me hir e pahir në vathën e axhendës së Lulzim Bashës.

Ngase nuk dëshiroj të jem disfatist e dyshues kronik, sfida dhe ftesa ime për aleatin, kolegun dhe liderin tonë zyrtar të Opozitës, z. Lulzim Basha, është që të prioritarizojë para së gjithash mekanizmat dhe strategjite sesi neve të gjithë duhet të bashkohemi.

Bashkimi nuk ndodh me thirrje e as me deklarata televizive. Ka terma dhe dinjitet, bashkimi.

Marrëveshja e 17 – 18 majit që Lulzim Basha bëri me Edi Ramën, neve aleatëve opozitarë të kahershëm na nxorri nga fusha e lojës pabesisht dhe tinëzarisht na mohoi edhe të drejtën e konkurimit elektoral.

Lulzim Basha na vendosi para faktit të kryer dhe na kërkoi që të gjithë ne aleatët e tij të bënim fushatë vetëm për kandidatët dhe siglën e PD.

Donim apo nuk donim, ne e pranuam faktin e kryer dhe të gjithë ne praktikisht u njehsuam dhe u përfaqësuam me siglën e PD.

Tani ja ku jemi. Ne aleatët luajalë opozitarë të Lulzim Bashës, jemi përsëri para faktit të kryer teksa Lideri i Opozitës kërkon Reformën Zgjedhore e konsultimet i nis me ata që ai i quan aleatët parlamentarë.

Nuk kam asgje me kryetarët e partive aleate opozitare që janë deputetë, por parimisht më duket imorale dhe alogjike vijimësia e sjelljes dhe trajtimit politik që na bën neve aleatëve të kahershëm Lulzim Basha, kur na ndan në dy kategori.

Është absurde. Ne të gjithë bëmë fushatë dhe votuam vetëm siglën e PD. Lulzim Basha përfshiu në listën e tij fituese të deputetëve, vetëm ata Kryetarë që sipas tij e meritonin e që ai deshi.

Atëherë si mund të vijojë Lideri i Opozitës nën këtë kontekst të ri politikë, të sillet po njëlloj, e të na ndajë në dy kategori, në Aleatë Parlamentarë dhe Aleatë Joparlamentarë?

Ne nuk jemi me aleatë joparlamentare. Ne jemi aleatë që kemi fushatuar dhe votuar për siglën e PD. Neve PD na mohoi të drejtën e konkurimit elektoral. Sidoqoftë ne i qëndruam besnkë e luajalë Partisë Demokratike dhe Lulzim Bashës.

Koha dhe konteksti e kërkojnë që Lulzim Basha ta ndryshojë praktikën dhe sjelljen e tij me ne që të na dëshmojë sadopak luajalitet ai neve, tashmë.

Mbledhjet e Opozitës në 2 kategori, pra në Aleatë Patricë (Parlamentarë) dhe në Aleatë Plebej (Joparlamentarë) janë fyerje dhe akt i padenjë.

Lulzim Basha ka detyrimin e madh që para se të na ftojë për konsultime për Reformën Zgjedhore, të na shpalosë alternativat e tij të bashkëpunimit tonë si aleatë e opozitarë.

Sipas meje, Lulzim Basha, sikurse na kërkoi të moskonkuronim në 25 qershor e të fushatonim e votonim për siglën e Partisë Demokratike, duhet tëna ofrojë alternativën e bashkimit mbi terma dinjiteti të partive tona me siglën e PD, ose të kemi një riformatim të konceptit dhe praktikës së organizimit tonë si Koalicion a Bllok Opozitar.

Aleatët le të vendosin vetë nëse duan të shkrihen a bashkohen me PD, apo të vazhdojnë të ekzistojnë si aleatë e si entitete më vete.

Aleatët që vendosin të mbeten entitete më vete, nuk ka pse të ndahen në dy kategori. Me kriter vleror politik, njerëzor, publik dhe intelektual, Tryeza e Aleatëve mund të votojë e përzgjedhë përveç Kryetarëve të Partive Parlamentare Opozitare edhe disa nga Kryetarët më të spikatur që të jenë pjesë e një Bordi Opozitar, e ky Bord të jetë i mirëbesuar dhe votëbesuar që të veprojë si Tryeza e Përhershme e veprimit, konsultimeve dhe vendim-marrjeve opozitare. Tryeza e Madhe e të gjitha Partive Opozitare, si mund të vendoset e përcaktohet që të mblidhet rregullisht një herë në 3 muaj, dhe në raste të jashtëzakonshme.

Bordi Opozitar do të vendoste në vend dinjitetin e të gjithë aleatëve.

Po nuk u ndryshua praktika e vjetër e mbledhjeve opozitare, Lulzim Basha mund të bëjë çdo Reformë të mundshme me Edi Ramën, por gjithësesi lojë pa top do bëjë.

Opozita fiton, kur të gjithë opozitarët bëhen bashkë dhe kur Opozita Politike njehsohet me gjendjen opozitare të qytetarëve shqiptarë.

Qytetarët shqiptarë që janë në Opozitë me Qeverinë Rama 2, janë shumicë dërrmuese.

Lulzim Basha mund të zgjedhë të bëjë Reforma me Edi Ramën e kurrë të mos na bashkojë dot neve opozitarëve.

Ose mund të na bashkojë me dinjitet neve opozitarëve, e së bashku të rrëzojmë e mundim Edi Ramën.