Qindra pallate të dëmtuara në Durrës, por cili është fati i hotel...

Qindra pallate të dëmtuara në Durrës, por cili është fati i hotel Kamelias (Video)

1136
0

Tërmeti prej 6.4 ballësh i datës 26 nëntor, shkaktoi prishjen e qindra banesave në Shqipëri.

Shumë kush ka menduar se çfarë ka ndodhur me Kamelian,  ndërtesën  e lartë 28 kateshe në Golem.

Dritare.net shkoi te premten për të parë nga afër  këtë ndërtesë, buzë detit, pranë Shkëmbit të Kavajës. Hotel Kamelia, i ndërtuar mbi apartamentet e banimit  qëndron ende në këmbë, me shumë pak dëmtime, krahasuar më dëmet e mëdha, që tërmeti ka shkaktuar në Durrës duke prishur edhe banesat me pak kate, informon dritare.net.

Pallati ishte i boshatisur, të paktën kështu pohuan edhe disa qytetarë, banorë rreth kësaj zonë. Ai ka pësuar dëmtime, në disa kate, veçanërisht në ato të fundit,  ku dallohet se një nga kollonat është shtrembëruar, përveç krisjeve që ka pësuar në katet e mëposhtme, informon dritare.net.

Kjo zonë në bregdet, është e tejmbushur me ndërtesa,  dhe nëse pallati në fjalë do të shembej, do të sillte pasoja fatale.

Për këtë arsye Kamelia, është vënë në fokus të ekspertëve. Gjatë momentit të xhirimeve, Dritare.net hasi me një grup ekspertësh shqiptarë, të cilët po vëzhgonin zonën, për dëmet që mund të ketë shkaktuar tërmeti i së martës.

Jashtë kamerave ata pohuan se ndërtesa paraqet rrezik, informon dritare.net, ndaj pas konsultimit me ekspertët francezë, në ditët në vijim do të vendosin nëse  Kamelias, do t’i vihet shiriti.

Ky pallat pak vite më parë, u vendos në fokus të opinionit publik. Është etiketuar si Përbindëshi i Durrësit.  Për një kohë të gjatë ka qenë burim konfliktesh dhe denoncimesh për rrezikun që i kanosej banorëve, për disa kate shtesë që po ndërtoheshin në vitin 2017.

Po në këtë periudhë konstruksionet metalike të 3 kateve të fundit shtesë që po u ndërtonin u shembën, duke rrezikuar jetën e punëtorëve, por edhe të banorëve.

Sipërmarrësi Enver Shala u ndalua nga Policia e Durrësit dhe u hetua në gjendje të lirë për shkatërrim të pronës nga pakujdesia dhe shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë.

Asokohe, në media u raportua, se ky pallat do të shembej.  Inspektorët e Inspektoriatit  të Ndërtimit rekomanduan prishjen e kësaj ndërtese , për shkak se ishin gjetur një sërë parregullsish në ndërtimin e tij

Struktura e këtij pallati, ku për çdo vit shtohej nga një kat, rrezikonte të shembej. Disa herë janë marrë inciciativa por ky pallat jo vetëm nuk u shemb, por përveç 3 kateve, që u rindërtuan u shtuan edhe 9 kate të tjera.

Siç duket edhe nga pamjet 12 katet shtesë janë përfunduar dhe tashmë ky pallat qëndron në këmbë, me 28 kate, të cilat nuk u prishën as nga Inspektoriati dhe as nga tërmeti./Lorena Fjolla-dritare.net