Qeverisja vendore, pjesëmarrja e qytetarëve në vendimmarrje, pika më e dobët

Qeverisja vendore, pjesëmarrja e qytetarëve në vendimmarrje, pika më e dobët

1029
0

Vlerësimi i Situatës së Qeverisjes Vendore, Pjesëmarrja dhe angazhimi i qytetarëve vlerësohet me 50 nga 100 pikë në të gjitha bashkitë, duke përfaqësuar kështu elementin më të dobët të qeverisjes vendore. Ky është rezultati i vlerësimit kombëtar “Hartëzimi i qeverisjes vendore në Shqipëri”, i prezantuar këtë të martë nga PNUD dhe partnerët e tij në projektin STAR 2.  Gjatë kësaj konference u prezantuan rezultatet e vlerësimit kombëtar një anketim i cili kombinon perceptimet e qytetarëve dhe vlerësimet e zyrtarëve bashkiakë mbi katër dimensione të mirëqeverisjes: Efektiviteti dhe efikasiteti, transparenca dhe shteti i së drejtës, llogaridhënia dhe pjesëmarrja.  Nga të katër dimensionet e qeverisjes, bashkitë rezultojnë më mirë në efektivitet dhe efikasitet dhe transparencë me një rezultat 60/100 ndjekur nga llogaridhënia me rezultatin 56/100, dhe pjesëmarrja me rezultatin 50/100.  Raporti vë në dukje shumë sfida në secilin prej dimensioneve të përzgjedhura të qeverisjes. Sa i përket efektivitetit dhe efikasitetit, organizimi i brendshëm i bashkive dhe marrëdhëniet ndërmjet institucioneve, si dhe niveli i kënaqësisë me shërbimet e bashkisë vlerësohen si mesatare. Të dhënat tregojnë mungesën e kapaciteteve të duhura për planifikim, buxhetim dhe zbatim, e cila përkeqësohet më tej nga mungesa e të dhënave të konsoliduara dhe të besueshme në nivel vendor dhe sistemet e pamjaftueshme të raportimit dhe monitorimit të performancës. Në sajë të ekzistencës së mekanizmave të brendshëm të kontrollit dhe të sistemeve për t’iu përgjigjur organeve mbikëqyrëse e deri në njëfarë pike edhe ankesave të qytetarëve, llogaridhënia vlerësohet si mesatare. Megjithatë, mungesa e një sistemi të integruar për menaxhimin e ankesave dhe paaftësia për të gjurmuar ankesat e depozituara konstatohet në shumë prej bashkive.

 

Transparenca dhe shteti i së drejtës vlerësohet me 56 nga 100. Gjetjet theksojnë mangësitë ekzistuese për të pasur akses në informacionin lidhur me shërbimet, aktivitetet dhe projektet e bashkisë.

 

Kuadri ligjor institucional që garanton të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët perceptohet gjerësisht si efektiv, megjithëse rritja e ndërgjegjësimit nga qeverisja vendore mbi ligjet dhe rregulloret vendore përmes faqeve të internetit ose medias publike konsiderohet si e pamjaftueshme. Perceptimi i qytetarëve për korrupsionin në nivelin e qeverisjes vendore vlerësohet si mesatar. Megjithatë, kur qytetarët pyeten mbi përvojën e tyre personale përballë praktikave korruptive, raportohet një vlerësim më i ulët. Strategjitë, planet dhe mekanizmat vendore për të luftuar korrupsionin në nivel vendor gjykohen si të pamjaftueshme duke bërë thirrje për ndërhyrje të mëtejshme.

 

Pjesëmarrja dhe angazhimi i qytetarëve vlerësohet me 50 nga 100 pikë në të gjitha bashkitë, duke përfaqësuar kështu elementin më të dobët të qeverisjes vendore. Gjetjet konstatojnë një kulturë të ulët të pjesëmarrjes demokratike, e nxitur kjo si nga qytetarët dhe nga qeverisja vendore. Në pjesën më të madhe të bashkive qytetarët nuk e shohin veten si partnerë në qeverisje dhe zhvillim. Gjetjet tregojnë se zyrtarët bashkiakë nëpër bashki nuk shfaqin një kulturë të fortë për angazhimin e qytetarëve ose i shohin si jo të mirëinformuar për të dhënë këshilla cilësore. Rezultatet tregojnë se ndërkohë që ekziston një kuadër institucional i përmirësuar për pjesëmarrjen, si qytetarët dhe zyrtarët bashkiakë e konsiderojnë aftësinë e organizatave vendore të shoqërisë civile për të lobuar, advokuar dhe ndikuar tek administrata vendore si të pamjaftueshme. Platformat dhe strukturat e disponueshme për pjesëmarrjen e komunitetit vlerësohen si mesatare dhe mekanizmat institucionalë të përdorur nga Koordinatorët e Konsultimit Publik dhe të Drejtës për Informim janë pjesërisht efektivë dhe duhet të riorganizohen. Anketimi ka përqasur një kombinim të teknikave të Barometrit të Qeverisjes Vendore dhe Kartave të Vlerësimit të Qytetarit. Janë intervistuar 12 000 qytetarë të përzgjedhur në mënyrë rastësore dhe në raport me madhësinë e secilës prej 61 bashkive. Gjithashtu, vlerësimi përfshin 340 intervista gjysmë të strukturuara me nëpunës civilë të nivelit të lartë në secilën bashki, 61 grupe të fokusit me zyrtarë bashkiakë të nivelit të lartë, 90 dialogë me komunitetin, si dhe grumbullime referencash nga të dhënat përkatëse demografike, ekonomike, sociale, publike dhe administrative. Dimensionet e ndryshme të matura janë vlerësuar kundrejt një shkalle nga 0 deri në 100 dhe mesatarja e përgjithshme kombëtare tregon se 59/61 (97%) e bashkive vlerësohen nën 70, 40/61 (66%) nën 60 dhe 10/61 (16%) nën 50 duke treguar një nivel mesatar të qeverisjes vendore dhe hapësira të konsiderueshme për përmirësim.  Në fjalën e tij të rastit, Koordinatori i Përhershëm i Kombeve të Bashkuara dhe Përfaqësuesi i Përhershëm i PNUD, z. Brian J. Ëilliams, u shpreh se: “Të kuptosh pikëpamjet e publikut rreth efektivitetit të qeverisjes vendore është thellësisht jetike. Pavarësisht se statistikat dhe masat e tjera janë të nevojshme për të verifikuar dhe matur atë që po ndodh me ofrimin e shërbimeve, ajo çfarë është e sigurt është se besimi tek institucionet nuk ekziston nëse njerëzit nuk kanë perceptime pozitive mbi qeverinë e tyre. E në fakt, aktualisht, institucionet shqiptare duhet të fitojnë më tepër besim nga qytetarët e tyre”. Stephen Stork, Shefi i Operacioneve pranë Delegacionit të BE-së në Shqipëri tha se: “Autoritetet vendore dhe rajonale janë jetike për jetën demokratike të çdo shoqërie demokratike dhe moderne. Performanca e vetëqeverisjes vendore është gjithashtu shumë e rëndësishme për qeverisjen e mirë meqë një pjesë e madhe e legjislacionit të BE-së do të zbatohet në nivel vendor”.

 

Rreth projektit: Në vitin 2016, Qeveria Shqiptare në partneritet me Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim – PNUD në Tiranë, nisi zbatimin e projektit “Konsolidimi i reformës administrative dhe territoriale – STAR2”. Të 61 bashkitë do të përfitojnë nga projekti, i cili ka për qëllim të forcojë kapacitetet institucionale të administratave vendore, të përmirësojë ofrimin e shërbimeve dhe mjedisin për angazhimin aktiv të qytetarëve, të cilat së bashku synojnë të arrijnë një qeverisje të mirë vendore.  Projekti vepron mbi bazën e një mekanizmi të përbashkët financimi, i cili është mundësuar nëpërmjet financimeve të konsiderueshme nga partnerë të ndryshëm: Bashkimi Evropian (4 milionë USD), Suedia (1,7 milionë USD), Italia (1,3 milionë USD), Zvicra (0,5 milionë USD), USAID (0,1 milionë USD) dhe PNUD (0,1 milionë USD).

Pergatiti: Eglantina Alliaj