Qeveria harton skenarët: Nga ai optimist te pesimisti, çfarë ndodh me ekonominë...

Qeveria harton skenarët: Nga ai optimist te pesimisti, çfarë ndodh me ekonominë deri në vitin 2025

449
0

Ministria e Financave ka hartuar tre skenarë për ecurinë ekonomike të vendit deri në vitin 2025, duke parashikuar se çfarë ndodh nëse vendi ecën me mirë apo më keq se pritshmëritë bazë.

Sipas skenarit bazë, që ka më shumë të realizohet, rritja ekonomike e vendit pritet të jetë 5.5% këtë vit dhe me 4.8% në 2022-in, për t’u ngadalësuar më pas në rreth 4% në 2024-2025. Të ardhurat pritet të arrijnë në 29.1% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) deri në vitin 2025 dhe borxhi publik të zbresë gradualisht në rreth 68% të PBB-së deri në të njëjtën periudhë.

 

Krahas skenarit bazë, financat kanë llogaritur dhe alternativat optimiste dhe pesimiste, që supozojnë devijim nga parashikimet përkatëse të skenarit bazë për disa tregues kryesorë makroekonomikë, përfshirë huadhënien për ekonominë, ecurinë e ekonomisë së zonës euro me efektet e njëpasnjëshme në eksportet e mallrave dhe shërbimeve, mbi remitancat, si dhe kursi i këmbimit, norma e interesit, ritmi dhe ndikimi i reformave të politikës strukturore të planifikuara për periudhën afatmesme etj.

 

Në skenarin pesimist, rritja pritet të jetë 1.5 pikë përqindje më e ulët se ai bazë, duke rezultuar në 4% këtë vit dhe 2.5% në 2025-n, ndërsa të ardhurat buxhetore do të arrijnë në 28.6% të PBB-së.

 

 

Skenari optimist parashikon një rritje 0.5 pikë përqindje më të lartë sesa ai bazë, në 6% në vitin 2021 dhe 4.5% në 2025. Ndonëse rritja ekonomike pritet më e lartë, të ardhurat maksimale buxhetore nuk parashikohen më shumë se 29.2% e PBB-së.

 

Në skenarët bazë dhe optimistë, financat parashikojnë që ekonomia të rikthehet në nivelet e 2019-s, të para krizës së pandemisë që këtë vit, ndërsa në atë pesimist, kjo do të ndodhë vetëm në vitin 2022.

 

Në skenarin bazë dhe atë optimist, borxhi publik, që arriti deri në 80% të PBB-së në 2020-n do të fillojë të ulet që këtë vit, për të zbritur midis 64.5% dhe 68.3% të PBB-së në vitin 2025. Ndërsa në skenarin pesimist borxhi do të mbetet në gati 80% të PBB-së deri në vitin 2024 dhe do të fillojë të ulet vetëm pas kësaj periudhe.

 

Financat parashikojnë një ulje të shpenzimeve kapitale në të gjitha skenarët, pasi ato pritet të arrijnë në 7.2% të PBB-së këtë vit, të ndikuara dhe nga rindërtimi pas tërmetit. Më pas ato do të jetë midis 4 dhe 5% të PBB-së, në varësi të ecurisë së ekonomisë.

 

Ndonëse për 9 mujorin 2020, ekonomia ka rezultuar me një rënie faktike prej 5.52%, financat sërish janë optimiste se i gjithë viti është mbyllur me një tkurrje prej 4.4%, duke pritur në këtë mënyrë që një gjallërim i fortë të ketë ndodhur në tremujorin e katërt, ndonëse konsumi në atë periudhë ishte i ndrydhur për shkak të masave të reja kufizuese pas rritjes së ndjeshme të rasteve me koronavirus në nëntor dhe dhjetor./Monitor