Pyetjet e munguara të Ramës në Këshillimin Kombëtar!

Pyetjet e munguara të Ramës në Këshillimin Kombëtar!

389
0

Nga Nikollaq Neranxi

 

Cili është ai mekanizëm që një qeveri vë në lëvizje kur nuk arrin të përmbushë misionin për të cilin u votua? Është i vjetër pothuajse sa vetë politika mbi këtë planet dhe quhet populizëm, një shpërlarje truri me qëllimin e vetëm për të përligjur më pas çdo vendimarrje, sepse “Kështu ka vendosur populli!”. Sovrani thirret në kauzë për të diskutuar për çështje të mëdha, për të cilat ekzistojnë institucionet e votëbesuara.

 

Në fakt demokracia dhe populizmi nuk kanë fare lidhje me njëra tjetrën: e para është një sistem funksionimi përmes përfaqësimit, ndërsa e dyta është një ideologji e dështuar që në kohën e Sokratit. Populizmi e vë demokracinë në rrezik, sepse braktis popullin dhe josh turmat. Por edhe pse e tillë, Rama po e ripërdor, pasi ka thirrur këto ditë popullin përmes një pyetësori të cilin e quan Këshillim Kombëtar. Pra populli është sovrani që vendos nëpërmjet votës në demokraci, por zerohet në populizëm dhe as deputetët që ka zgjedhur si përfaqësuesit e tij në Parlament, nuk hyjnë në punë, sepse Kryeministri paska nevojë për këshillim facebooku!!!

 

Kështu, populli i rrjetit, këto ditë është gjendur para pyetjeve madhore të kryeministrit dhe përgjigjen e kërkon prej tyre.

 

“Si mendoni, a ta legalizojmtë hashashin? Po gjobat e biznesit të madh, t’i lëmë kaq apo t’i rrisim edhe ca?” – ishin disa nga pyetjet.

I bindur se njerëzit, në shumicën e rasteve janë pa formimin e duhur për të argumentuar mbi tema të tilla, Ramës i duhet një gjë tjetër në fakt, i duhen reagimet irracionale, pasionante, pa argumenta, euforike, konfuze dhe shpesh me gjuhë urrejte e plot mllef.

 

Le të marrim argumentin e gjobave. Rama pyet nëse gjobat e biznesit të madh duhet të rriten nëse ai bën evazion apo janë mirë kaq? Fokusi është vënë qëllimisht tek biznesi i madh, sepse gjatë gjithë kohës si kryeministër, Rama ka synuar që njerëzit ta shohin sipërmarrësin e një biznesi të madh, si një individ të urryer, të përçmuar, prandaj dhe togëfjalëshi “Gjobë dhe biznes i madh”, duhet të rrijë i skalitur në mendjet e tyre.

 

Në fakt Rama e di dhe e njeh mirë fuqinë e një sipërmarrësi serioz. Ajo është shumë më e madhe se e çdo qeverie dhe çdo kryeministri të cilët në ato karrike janë të përkohshëm.

 

Sipërmarrësi është i vetmi i cili vetëm me punën e tij, ka arritur të bëjë atë që se bën dot kurrë një qeveri, sidomos një e korruptuar si kjo e Ramës.

 

Ai punëson njerëz, paguan taksa dhe çon ekonominë përpara. Dhe në fakt në përgjigjet që lexova poshtë këtij argumenti në facebookun e Ramës, shumica njerëzve ndryshe nga pritshmëritë e tij, nuk ranë në kurth. Shumica i tërhoqën vemendjen se nuk janë problem gjobat, të mëdha apo të vogla qofshin, por njerëzit e punësuar për t’i kontrolluar ata. Administrata e Ramës është problemi! Natyrisht kishte edhe nga ata që i çonin Ramës ujin fiks te mulliri i tij, duke komentuar se sipërmarrësit jetojnë në vila dhe kanë jahte, ndërsa populli i shkretë vuan për bukën e gojës! Një linçim publik për të vetmit njerëz idealistë të cilët edhe pse shohin që i drejton një qeveri e korruptuar, besojnë akoma se ky vend mund të bëhet, prandaj dhe zgjerojnë aktivitetet e tyre dhe punësojnë njerëz. Në këtë frymë populiste dhe linçimi, u fol për kontrollin e paralajmëruar, shoqëruar me kërcënime serioze për biznese të cilat kanë një përqindje të lartë të punësuarish të deklaruar me pagën minimale.

 

Edhe këtu kemi të bëjmë me një nxitje të jashtëzakonshme për të urryer punëdhënësit dhe për t’i thënë punonjësve se jemi ne që mendojmë për ju, jo ata që ju kanë marrë në punë. Këtu hipokrizia dhe mashtrimi kalojnë në një tjetër nivel, por për fat të keq, shumë e kanë besuar si të vërtetë.

 

E vërteta në këtë rast, ka të bëjë vetëm me nevojën e qeverisë për të mbushur arkën e zbrazur e të vjedhur të shtetit, me para të vjelura nga fondi i Sigurimeve Shoqërore dhe pjesa tjetër është vetëm propagandë dhe kërcënim. Evazioni nuk kontrollohet dhe nuk zhduket duke përdorur pagën si argument, sepse dihet që ka plot mekanizma efikase për ta mbajtur atë nën kontroll dhe shteti ato mekanizma i ka. Rama kërkon të krijojë idenë se ai është në anën e punëmarrësve, meqë ata gjakpirësit, po ju mohojnë pensionin duke ju paguar në të zezë!

 

Por le ta marrim për një moment si një logjikë ekonomike që funksionon, atëherë si mund të përkthehet kjo në më shumë mirëqënie? Në kushtet që po jetojmë, nuk është paga minimale ajo që shkakton varfëri, por e gjithë mënyra se si funksionon sistemi ynë ekonomik. Taksat e ngritura, energjia elektrike, uji, karburanti, gazi, gjithashtu me çmime super të larta dhe të gjitha në rritje të vazhdueshme, sjellin rritje të çmimeve me të cilat ne përballemi për ditë dhe pagat bëhen gjithnjë e më të pamjaftueshme që të përmbushin nevojat e punëmarrësve të cilët janë edhe konsumatorë. Propaganda punon fuqishëm edhe në këtë drejtim, duke rritur me ndonjë qindrakë pagat për të punësuarit në shtet, por të gjithë tashmë e dinë se nuk ka mirëqënie kur dikush të jep 10 lekë me një dore dhe të merr 100 me dorën tjetër. Prandaj në Këshillimin kombëtar, Rama në vend të pyetjeve sensacionale, por pa asnjë vlerë për njerëzit, mund të ngrinte fare mirë probleme të cilat kanë të bëjnë ekskluzivisht me xhepat e tyre. Sepse edhe në rastin e hashashit nëse legalizohet, dihet që Rama do ia japë me PPP 5 miqve të tij dhe përsëri do pasurohen të njëjtit njerëz. Pra kjo nuk do përkthehet në mirëqënie për shumicën, ashtu si në rastin e rritjes së detyrimeve apo gjobave të biznesit, sipërmarrja do vihet në vështirësi dhe do pushojë njerëz nga puna si dhe do rrisë çmimet e produkteve apo shërbimeve të tyre, pra përsëri do ketë më shumë varfëri për njerëzit.

 

Nuk e di se cilat do të jenë pyetjet e rradhës së Kryeministrit tashmë të kthyer në një bloger, por që fasada e tij e qeverisjes me popullin, të duket pak më e kuruar, ai duhet patjetër të bëjë edhe këto pyetje:

 

A duhet qeveria të ulë taksat e biznesit që ai të rrisë pagat e të punësuarve?

 

A duhet qeveria të ulë çmimin e energjisë, gazit dhe karburantit për ju, që të keni më shumë lekë në portofolet tuaja, por edhe për biznesin që ata të ulin çmimet dhe përsëri ju të keni më shumë lekë në portofolet tuaja?

 

A duhet qeveria të ndalojë dhëniet më konçesion dhe PPP të pasurive publike që i përkasin të gjithëve, por që pasurojnë vetëm disa individë?

Sa duhet t’i rrisë qeveria pagat dhe pensionet?

A duhet qeveria të ndalojë terrorin e nxjerrjes zvarrë të njerëzve nga shtëpitë e tyre, apo duhet të gjejë gjuhën e përbashkët me ta?

 

Pyetjet e tjera të shumta që kanë të bëjnë me problemet tuaja reale, mund t’i rendisni në komentet që bëni në faqen e Ramës.

 

Nikollaq Neranxi, opinion i botuar në gazetën Panorama, 27.1.2022