Kemi disa ditë, specifikisht së fundmi, që meritojmë epitetin që kryeministri na ka vënë qysh nga mesi i mandatit të tij të parë, kur u bind se betonizoi pushtetin… Sillemi dhe i trajtojmë lajmet më keq se një kazan që nuk din c’mban brenda e cili është ingredienti kryesor. Dy janë shembujt e fundit, ku edhe unë, mes të tjerësh, jam e bindur, e kemi bërë kryeministrin të gajaset e të bindet se epiteti i kazanit të gjetur prej tij ka qenë i duhuri. Mbiu nga asgjëja e lulëzoi për një javë lajmi se qeveria Rama II, e nisi punën në parlament duke rikthyer ligjin e mbetjeve dhe projektligjin e dekoratave. Një e pavërtetë e madhe. Asnjë hap të ri juridik, asnjë të vetëm nuk bëri as qeveria e as mazhoranca socialiste në parlament. Ndonjë rrëmbimthi i hodhi një sy programit të parë të parlamentit, dhe mes të tjerash nënvizoi me të kuqe, këto dy akte në procedurë bashkë me 46 akte të tjera. Gazetarët e parlamentit e dinë se asnjë nuk ishte e re këtu. Legjislatura e re i kishte mbartur këto akte nga legjislatura e shkuar, procedurë standarde kjo. Ato nisma rrinë në pritje deri sa të futen në kalendar, në të cilin ende nuk janë futur. Pra, mashtruam publikun : asgjë s’kishte rikthyer mazhoranca. Aty nga mbrëmja e së martës u shfaq një status në FB i Taulant Ballës ku thoshte se “Nuk ka më projekt-ligj për dekoratat apo për mbetjet. Grupi Parlamentar Socialist do t’i rikthejë në publik për një debat shterrues, bazuar në argumenta jo në akuza dhe në arsye jo në mllef. Bashkëqeverisja me njerëzit e zakonshëm ka filluar”. Kaq mjaftoi që prapë me entuziazëm masivisht mediat, të të gjitha formave të raportonin se u tërhoq ligji i mbetjeve. Nuk arritëm të sqaronim publikun, se, nuk ka projektligj për mbetjet. Ka një ligj të miratuar nga parlamenti që asnjë forcë politike nuk mund ta tërheqë, dhe ka vetëm një dekret presidenti në procedurë parlamentare, i cili nuk mund të tërhiqet jo vetëm nga socialistët, por as nga të gjithë bashkë. E vetmja gjë që mund të bëhet, është ose rrëzimi i dekretit dhe aktivizimi automatikisht i ligjit që lejon importin e mbetjeve, ose pranimi i dekretit që zeron ligjin e miratuar me vetëm 68 vota. Pra, publiku akoma nuk e ka sot të qartë, se përpos propagandës politike dhe mediatike, asnjë ndryshim juridik dhe faktik nuk ka për cështjen e importit të mbetjeve në Shqipëri. As është futur e as është tërhequr. Rasti i dytë, ka të bëjë sërisht me një difuzim të pamat të një video ku ishin prerë disa fragmente nga përgjigjet e disa pedagogëve gjatë seancave dëgjimore për organet e reja të drejtësisë.
Titujt gjithandej ishin “Ja broçkullat e vetingasve”, “Ja c’thonë njerëzit e vettingut”. Etj. Nuk po i hyj fare moralit të nxjerrjes së përgjigjeve nga konteksti, apo të vlefshmërisë së pyetjeve, etj, etj.
Ajo që më shqetëson është se masivisht gjithçka që ka lidhje me reformën në drejtësi, quhet “vetting”. Kandidatët në video nuk janë njerëzit që do të bëjnë vettingun. Ata janë kandidatë për Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe atë të Prokurorisë. Ata 4 persona që do të zgjidhen (që mund të mos i keni parë fare në atë video gazmore) do të jenë të parët që do t’i nënshtrohet vettingut.
Populizimi dhe retorika e batutës (me të cilën në këtë vend mund të fitosh edhe zgjedhjet) na mundi e na zhveshi nga kontesti ligjor dhe elementët e saktësisë, duke na bërë “ushqim” për nënvlerësuesit e medias, ata që duan të na përdorin apo ata që nuk gjejnë më arsye të na besojnë.
Dhe faji është vetëm i imi, i yni! I rreshtave të shkurtër që rrëmbimthi shkruajmë përditë, pa u thelluar.