Problem me kockat dhe aneminë? Mashtrimi i madh i dietës vegane

Problem me kockat dhe aneminë? Mashtrimi i madh i dietës vegane

334
0

Shumë njerëzve u thuhet se veganizmi të ndihmon që të humbasësh peshë dhe redukton rrezikun e kancerit. Por, nëse planifikohet keq, veganët kanë rrezik që të mos marrin lëndët ushqyese kryesore që zakonisht merren nga mishi.

 

Studime të ndryshme tregojnë se veganët kanë më shumë gjasa që të kenë probleme me kockat dhe aneminë, për shkak të kufizimeve të dietës së tyre.

 

Vitet e fundit ka pasur një rritje të ushqimeve vegane (produkte me bazë bimore, nga djathërat vegan deri te hamburgerët pa mish dhe akulloret pa qumësht) që përpunohen që të kenë shije si ushqimet që zëvendësojnë. Ekspertët thonë se të tilla ushqime janë po aq të këqija për shëndetin tonë. Prodhuesit shpesh duhet t’i mbushin këto ushqime plot me vajra jo të shëndetshëm, niseshte dhe përbërës të tjerë të lartë në yndyrë të ngopur, sheqer dhe kripë.

 

Në shumë raste, ato janë më të larta në kalori dhe më të ulëta në lëndë ushqyese jetike sesa produktet me bazë shtazore.

 

Për shembull, njeriu ka nevojë për 1300 miligramë kalcium në ditë, për të pasur kocka të shëndetshme. Ky kalcium merret në masën më të madhe nga kosi, djathi dhe qumështi. Veganët duhet ta marrin nga brokoli dhe spinaqi, por duhet të hanë sasi shumë të mëdha të këtyre perimeve që të marrin mjaftueshëm kalcium. Sipas studimeve, një vegan merr 611 miligramë kalcium në ditë, sa gjysma e një mishngrënësi. Nëse kalciumi i duhur nuk merret me ushqim, organizmi e merr atë nga kockat dhe e përdor për muskujt apo për të rregulluar ritmin e zemrës.

 

Sa i përket anemisë, veganët janë më të rrezikuar nga ajo, pasi kanë më pak rruaza të kuqe gjaku, gjë që i shkakton lodhje, zbehje të ngjyrës së lëkurës dhe marrje fryme. Duke eliminuar produktet e mishit, veganët heqin burimin kryesor të hekurit dhe vitaminës B12, që duhet për të prodhuar rruazat e kuqe të gjakut.

 

Mishi i kuq (viçi, qengji dhe derri), mëlçia, shpendët dhe salmoni janë të pasura me hekur dhe vitaminë B12. Por, veganët do të duhet të hanë sasi shumë të mëdha thjerrëzash, qiqrash, tofu dhe drithërash për të përmbushur normën e rekomanduar ditore. Kështu që, veganët duhet të marrin suplemente hekuri dhe vitaminash B12 për të plotësuar mungesën e tyre nga dieta vegane.