Prapaskenat, pse u largua trajneri Skënder Gega nga Partizani?

Prapaskenat, pse u largua trajneri Skënder Gega nga Partizani?

803
0

Akoma pa u tharë boja e që e shpalli skuadrën e Partizanit kampion për herë të 16-të dhe riktheu trofeun prestigjioz tek të kuqtë pas më shumë se dy dekadash e gjysmë, demat humbën toreadorin e tyre.

Skënder Gega, ish mbrojtësi legjendar i të kuqve dhe arkitekt i realizimit të ëndrrës së shumëpritur nga tifozët lajmërohet se është larguar nga Partizani. 4 ditë më parë askush nuk do ta kishte menduar se Gega do të largohej nga të kuqtë aq më tepër pas fitimit të titullit ndërsa pritej që ai të niste punën për fazën përgatitore të eliminatoreve të Championsit.

Por çfarë ka ndodhur mes Partizanit dhe Skënder Gegës? Dorëheqja është fakt, ndërsa arsyet e saj janë krejt të tjera nga ato që janë mundur të deklarojë klubi dhe asqerët rreth e qark saj. “Arsyet personale” të Skënder Gegës u shitën nën zë si fakt se trajneri kishte probleme shëndetësore në familje dhe për këtë arsye atij i duhej të udhëtonte drejt SHBA-së. Fakt është se Gega e shpenzon kohën mes SHBA-së dhe Shqipërisë pasi ai dhe familja e tij prej vitesh jetonin përtej oqeanit.

Por si në çdo rast, edhe në futboll marka “Rama” nuk mund të mos jetë e pranishme. Prej më shumë se dy vitesh vëllai i kryeministrit, Olsi Rama ka marrë postin e Drejtorit të FK Partizani. Pas një seri dështimesh me zgjedhjet e timonierit të skuadrës, një vit më parë Partizani vendosi të emërojë si trajner ish mbrojtësin e saj legjendar Skënder Gega. Që me ardhjen e tij gjërat ndryshuan njëherë e përgjithmonë tek të kuqtë. Që në ndeshjet e para të kampionatit që lamë pas marka e Gegës u duk qartë se ishte fituese dhe titulli pothuajse nuk u vu kurrë në diskutim duke u rikthyer pas më shumë se dy dekadash e gjysmë tek Partizani.

Modeli i Gegës ishte modeli fitues dhe pas përfundimit të kampionatit trajneri është takuar me drejtorin e klubit Olsi Rama dhe i ka kërkuar atij që të nisnin punën për rifreskimin e klubit sa më parë në mënyrë që ai të kishte lojtarët që mund ti shërbejë skuadrës për fazën eleminatore të Champions League. Por burime për SYRI.net bëjnë me dije se kjo përballje me Olsi Ramën ka qenë një zhgënjim i pangushëllueshëm për strategun Gega. Drejtori i Partizanit Olsi Rama i ka treguar vendin atij duke i thënë se nuk ishte në dorën e tij të vendoste se cilët lojtarë do të merreshin apo cilët do të largoheshin dhe se ai duhet të bënte vetëm trajnerin.

Përtej faktit se ka apo nuk ka të drejtë Olsi Rama si Drejtor i klubit, për Skënder Gegën kjo sjellje arrogante e Olsi Ramës ka qenë një goditje e papranueshme për sedrën e trajnerit që aty për aty i ka dhënë dorëheqjen. Por duket se kjo lëvizje e papritur e Skënder Gegës, mund ti kushtojë shumë imazhit të Olsi Ramës i cili që prej fitores së titullit ka marrë skeptrin e fitimtarit dhe nuk lë studio sportive pa dalë me qëllim që të tregojë se merita është e tija dhe vetëm e tija. Dhe problemi më i madh për Olsi Ramën do të jetë pikërisht me tifozët që tashmë e kanë idhull të padiskutueshëm Skënder Gegën.

Për të shmangur skandalin, Olsi Rama njësoj si vëllai kryeministër ka futur në punë propagandën e njerëzve që simpatizojnë klubin për ta shitur largimin e Skënder Gegës jo si një poshtërim për Skënder Gegën, por si një largim për arsye personale. Çmenduria ka shkuar deri aty sa është shpikur lajmi se bashkëshortja e Skënder Gegës vuante nga një sëmundje e rëndë dhe se kjo ishte arsyeja pse Gega kishte dhënë dorëheqjen. Për të bërë sa më të besueshme fabulën ka mjaftuar një koment i Profesor Përparim Kabo i cili shkon deri aty sa edhe e ngushëllon publikisht Skënder Gegën për sëmundjen e paqenë të bashkëshortes së tij.

Thjeshtë mund të imagjinohet dëshpërimi i Skënder Gegës që përpos poshtërimit i duhet të mbajë në kurriz edhe gënjeshtrën e sëmundjes së paqenë të bashkëshortes së tij, vetëm e vetëm që Olsi Rama të vijojë të vetëglorifikohet si “flamurtari” i vetëm i fitores së Partizanit, ndërsa ai, arkitekti i vërtetë i triumfit një gjynahqar.

Shperndaje