Zherard Pike ka dhënë një intervistë për radion e njohur spanjolle “Cadena Ser”, ku ka folur për një rikthim të mundshëm të brazilianit Nejmar në Barcelonë. Sulmuesi i Paris Sën Zhërmenit bëri çdo përpjekje që të shkëputej në verë nga klubi francez, por nuk ia doli dhe sepse kostot e transferimit mbeten të larta. Por për këtë, mbrojtësi katalanas ka recetën e tij:
“Në futboll mund të ndodhë çdo gjë. I thamë Nejmarit se po shkonte në një burg të artë- I kërkuam Bartomeut që të na ulte pagat për të hyrë në parametrat e duhura të Fair playt Financiar dhe t’i lejonte klubit rikthimin e tij. Por më shumë sesa çështja e rrogave, nevojitej një formulë e caktuar. Klubi kishte gjetur propozimin e duhur, por më pas u shfaqën probleme të tjera”.