Kaloi një vit që kur shpartalluam sulmin më të përgjakshëm terrorist në historinë e Republikës së Turqisë. Gjatë këtij viti Turqia vërtetoi qëndrueshmërinë, aftësinë dhe forcën për t’u rimëkëmbur. Është e rëndësishme të bëjmë llogarinë e vitit që kaloi dhe të shikojmë përpara. Para së gjithash është e nevojshme të kujtojmë se me çfarë u përballëm. Atë natë përjetuam një sulm kundër shtetit turk të organizuar nga tradhëtarë që kishin depërtuar në ushtrinë turke dhe të lidhur me një të çmendur që e cilëson veten si “imami i gjithësisë”. U përballëm me kriminelë që bombarduan Parlamentin e kombit, që shkatërruan qëndrën operacionale të forcave speciale të policisë të cilë ishin në frontin kryesor të luftës sonë kundër organizatave terroriste dhe që dërguan tanket mbi civilët e paarmatosur. Duke vështruar prapa ka dy arsye për të qenë krenarë nga kjo përvojë kaq e hidhur. Së pari, guximi dhe vendosmëria e popullit turk. Shtetasit turq nga të gjithë shtresat e shoqërisë dhe të spektrit politik u derdhën nëpër rrugë kundër puçistëve. Megjithë kërcënimet dhe bastisjet e puçistëve, stacionet tona televizive vazhduan programet e tyre. Populli turk veproi si një trup i vetëm. Së dyti, populli turk i tregoi gjithë botës se i ka dalë dhe do t’i dalë për zot demokracisë. Populli im u shpreh qartë se Turqinë nuk do të mund ta sundojnë grupet e armatosura, por vetëm qeveritë e ardhura në pushtet me rrugë demokratike dhe vullneti kombëtar. Legjitimiteti më i fuqishëm është legjitimiteti demokratik. Ne si vend dolëm faqebardhë nga ky test i vështirë i demokracisë. Vetëm se nuk do të më fshihet nga mendja ime pyetja e pafajshme e tim nipi atë natë: “Gjysh, këta nuk janë ushtarët tanë?” Me të vërtetë çfarë mendësie është ajo që mundëson që dikush të sulmojë barbarisht njerëzit, institucionet, simbolet dhe udhëheqësit e vendit të tij? Përgjigja gjendet në natyrën e rrjetit tradhëtar me të cilin jemi përballë. Atë natë ne kishim përballë një rrjet kriminal që zbatonte verbërisht urdhërat e ardhura nga kreu Fetullah Gylen nëpërmjet një profesori teologjie. Po flasim për një bandë tradhëtare, e cila në një bazë ushtarake që e përdornin si qendër përshëndeste ushtarakisht drejtuesin e një kompanie që i përkiste FETO-s dhe pronarin e një shkolle të administruar nga organizata. Kjo bandë tradhtare nuk kishte trashëguar asgjë nga e shkuara e lavdishme njëmijëvjeçare e ushtarakëve turq. Në fakt, Qeveria jonë që para 15 Korrikut e kishte kuptuar fytyrën e vërtetë të Fetullah Gylenit dhe kishte kaluar në veprime. Ne po përpiqeshim për të nxjerrë në pah zgjatimet e kësaj strukture në brendësi të shtetit dhe kishim arritur në një fazë të rëndësishme. Por tentativa për grusht shteti e 15 Korrikut tregoi se kërcënimi me të cilin po përballeshim ishte shumë më i thellë dhe më jetik, ishte përtej parashikimeve tona. Pjesëtarët e FETO-s, nën direktivat e Fetullah Gylenit, “pa u ndier prania e tyre vepronin në të gjitha kapilarët e sistemit”, kishin depërtuar thuajse në “të gjitha qendrat e pushtetit”, si një infeksion i shkaktuar nga një virus që gradualisht kishte shtënë në dorë të gjitha organet jetike të trupit. Gjatë periudhës njëvjeçare pas 15 Korrikut janë kryer investigime të shumanshme administrative, penale dhe juridike. Janë gjetur të dhëna shumë të hollësishme për këtë strukturë që përgatiti dhe vuri në jetë tentativën për grusht shteti. Të dhënat që disponojmë tregojnë se jemi përballë një strukture që ka krijuar një sistem besimi pervers, të fshehtë, në krye të të cilit ndodhet Fetullah Gyleni. Shkollat dhe konviktet e organizatës kanë kryer funksionin e qendrave për shplarjen e trurit dhe përgatitjen e militantëve. Është mundësuar depërtimi në institucionet shtetërore i anëtarëve të organizatës të edukuar në këto mjedise dhe besnikë kreut të tyre që e konsiderojnë si “Mesia”. Në këtë mënyrë në pozicione kritike kanë ardhur individë, të cilët për hir të qëllimeve të organizatës mund të realizojnë çdo lloj veprimi joligjor dhe të pamoralshëm. Këta individë gjatë konkurseve për pranimin e nëpunësve publikë kanë organizuar mashtrime të ndryshme si parregullsi, përgjime të paligjshme, shantazhe dhe kurthe. Kanë siguruar burime financiare për organizatën nëpërmjet subjekteve të krijuar nën emrin e një shoqate bamirësie ose të një fondacioni. Janë pastruar miliarda dollarë nëpërmjet kompanive të madha dhe bankave. Sektori mediatik i organizatës ka marrë përsipër misionin e një mjeti propagandistik. A mund të ekzistojë një “lëvizje arsimore”, e cila funksionon sipas metodës së celulave, që anëtarët e njohin njëri-tjetrin me pseudonime, që ka shpikur praktika të shifruara për të komunikuar midis tyre, që u mëson anëtarëve të saj teknika për t’iu kundërvënë shërbimit të inteligjencës dhe taktiva për të fshehur përkatësinë e tyre? Kjo organizatë terroriste e gjeneratës së re ka përdorur pa përjashtim çdo metodë për të asgjësuar ata që nuk janë të tyre. Në këtë mënyrë, kjo organizatë, mbështetur në synimet e saj perverse, është përpjekur të rrëmbejë jo vetëm pushtetin, por edhe Shtetin e Republikës së Turqisë. Këtë synim pervers dhe të rrezikshëm populli turk e shpartalloi më 15 Korrik. Falë masave që kemi marrë, mund të them se e kemi thyer shtyllën kurrizore të organizatës në Turqi. Por kërcënimi nuk është i kufizuar vetëm me Turqinë. Në shumë vende ekzistojnë struktura të organizatës të ngjashme me ato në Turqi. Organizata tani vazhdon të mbjellë farën e tradhëtisë në shtete të tjerë. Për të mbijetuar, ajo më aktivisht po kërkon një ndikim ekonomik dhe politik në nivel global. Për këtë arsye dëshiroj të paralajmëroj përsëri të gjithë miqtë tanë. Populli turk i ka treguar gjithë botës se demokracia është një vlerë e madhe, e cila nuk mund të fitohet lehtë dhe për të cilën ai mund të japë edhe jetën. Detyra jonë e parë është që të marrim masat e nevojshme që kurrë të mos përballemi me një kërcënim të ngjashëm. Ne po bëjmë përpjekjet maksimale ta realizojmë këtë proces të vështirë brenda rendit kushtetues. Sepse demokracia turke ishte vënë në shënjestër dhe demokracia jonë ka triumfuar. Për këtë arsye edhe qëllimi ynë edhe përpjekja jonë do të jenë që të hedhim hapat e duhur për ta ngritur demokracinë në maja më të sigurta, në nivele më shembullore.