Për se u interrnua elita patëriotike e Vlorës? Fakte të interrnimit të...

Për se u interrnua elita patëriotike e Vlorës? Fakte të interrnimit të qindra patëriotëve intelektual në vitin 1943, ndërkohë që nuk figuron asnjë hebre në lista!

446
0

Anila Ahmataj – Që një vepër të ruajë identitetin, duhet t’i shërbejë atdheut! Heroizmi epik i trimave të Labërisë triumfoi mbi një ushtri moderne, që ishte më e armatosur dhe më lartë nga numri, por që çoi drejt rrugës së fitores kombin nga copëtimet e mëtejshme të grabitqarëve dhe fuqive të mëdha. Ata bënë organizimin e luftës së Vlorës në vitin 1920. Janë shenjtorët që luftuan me 40- milionë trupa, këta heronj kanë vetëm ditëlindje. Ishte 3 shtator i vitit 1924 kur gazeta “Politika” e Vlorës nxori renditjen e këtyre luftëtarëve. Komiteti Mbrojtja Kombëtare i Vlorës më 29 maj 1920 radhiti nga emrat më patriotë Osman Haxhiu, si kryetar dhe dy komandantët e luftës, Ahmet Lepenica dhe Qazim Koculi, për t’u pasuar nga emrat e tjerë. Beqir Sulo Agalliu ishte një ndër 12-të anëtarët e Komitetit Mbrojtja Kombëtare, i cili lindi më 1886-ën, në Vlorë, në një nga familjet me të dëgjuara të qytetit. Agallinjtë janë qytetarë vlonjatë, ndër familjet më të njohura për atdhedashuri dhe kontributin që kanë dhënë në zhvillimin e qytetit dhe në çështjen kombëtare.

Vendlindja

Toka autoktone e familjes Agalliu ka qenë një derë e madhe për popullin qytetar vendës. Në këtë tokë kanë qenë ndërtuar tri shtëpi, të cilat rrethoheshin nga një mur guri 4 m i lartë . Në shtëpinë dykatëshe priteshin miq si Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi, Qazim Kokoshi e shumë të tjerë, të cilët qanin hallet e Shqipërisë. Kjo shtëpi e madhe e Agallinjëve mbahej me shërbëtorë, madje në një certifikatë të vitit 1932 gjenden të regjistruar edhe këta, të cilët ishin si anëtarë familjeje, por pa të drejtë trashëgimie. Pranë shtëpisë ishte ndërtuar një ndër shtatë xhamitë e Vlorës, e quajtur xhamia e Agallinjëve, ku brenda saj kanë qenë edhe varrezat e Agallinjëve. Por, ata ndërtuan edhe një çezmë që u shërbente kalimtarëve. Si shumë prej familjeve shqiptare, edhe kjo familje ka qenë nën ndikimin e kulturës osmane, por më vonë, me zgjimin shqiptar, familja është prirur nga kultura perëndimore.

Veprimtaria luftarake

Beqir Sulo Agalliu është një ndër figurat më të shquara të Vlorës, që mbeti në histori. E ëma, Hamide Agalliu, solli në jetë 3 djem, Beqirin, Refitin, Mehmetin dhe dy vajza, Hajshen dhe Xhemilen. Beqiri që në moshë fare të re u anëtarësua dhe veproi në mënyrë aktive në klubin “Labëria”. Ai hyri në lëvizjen kombëtare që në moshën 22-vjeçare. Në vitin 1908, atë e gjejmë jo vetëm anëtar, por edhe kontribuues të klubit “Labëria”. Ishte aktivist dhe pjesëmarrës në lëvizjet antiturke. Në vitin 1912 do të zgjidhej një nga anëtarët e komisionit përgatitor të Vlorës për shpalljen e pavarsisë. Ishte vetëm 26 vjeç…

 

 

Letra e Hamza Isait, drejtuar gazetës “Jeta e Re”

Në një letër që Hamza Isai dhe Ibrahim Shyti i drejtojnë gazetës “Jeta e Re” në Vlorë, e vërtetojnë aktivitetin e Beqir Sulo Agalliut në shpalljen e pavarësisë. Më 16-nëntor të vitit 1919, përfaqësuesit e Vlorës në vijim të protestave antiitaliane, hartuan një protestë tjetër kundër qëllimeve aneksioniste italiane, të cilën ua drejtuan fuqive kryesore të Konferencës së Paqes në Paris, SHBA, Angli dhe Francë. Kjo gjë u nënshkrua nga shumë personalitete, mes të cilëve ishte edhe Beqir Sulo Agalliu. Këta personalitete më vonë do të drejtonin luftën e Vlorës dhe në vitin 1919, Beqir Sulon e gjejmë si aktivist dhe propagandist të lëvizjes antiitaliane dhe është një ndër anëtarët e parë të komiteteve të fshehta që u krijuan në qytet, me qëllimin e organizimit të kryengritjes për çlirimin e Vlorës nga pushtuesit italianë. Në 28 nëntor të 1919-ës, Beqir Sulo ishte në krye të demonstratës.

Bamirësia e Beqir Agalliut

Me fitoren e luftës së Vlorës, Beqir Sulo Agalliu bëri një akt bamirës prej një patrioti të vërtetë. Drithin e mbetur të ushtrisë italiane, ai vendosi t’ua shpërndante njerëzve në nevojë. Gjatë kësaj kohe në veri të Shqipërisë nisi invadimi serb. Së bashku me Ahmet Lepenicën udhëhoqën trupat nga Vlora për të ruajtur territoret shqiptare të kërcënuara. Në Lëvizjen e Qershorit të 1924-ës, ai përkrahu Fan Nolin. Orientimin politik kundër Ahmet Zogut do të vazhdonte ta mbante, madje duke qenë pjesë e dy komploteve ndaj tij në vitet ‘30. U dënua me vdekje dy herë, por në të dyja rastet u amnistua, për shkak të kontributeve që kishte dhënë në konsolidimin e shtetit shqiptar. U kthye në Shqipëri më 1939-ën, pak para pushtimit fashist. Gjatë Luftës Nacionalçlirimtare, shtëpia e tij u kthye në bazë ilegale antifashiste. Për këtë arsye, në vitin 1942 autoritetet fashiste e arrestojnë dhe e internojnë në Porto-Palermo. Pikërisht këtu fillon kalvari i vuajtjeve të Beqir Sulo Agalliut. Pas Porto-Palermos, ai dërgohet në burgun e Burrelit. Me ardhjen e nazistëve, bashkë me shumë shqiptarë të tjerë, dërgohet në kampet famëkeqe të përqendrimit, si në Zemun në Beograd. Përfundoi më 1944-ën në Mathauzen, ku vdiq tragjikisht në makineritë shfarosëse të nazizmit. Qysh në fillim, fashizmi italian e kishte listuar si kundërshtare familjen e madhe vlonjate të Agallinjve, pasi si nacionalistë të hershëm, ata ishin rreshtuar krah atdheut, ndërkohë që Shqipëria gjendej si protektorat i Italisë. Pavarësinë e mundimshme të atdheut të tyre, ata nuk do ta ndërronin kurrë me asgjë, prandaj internimet nuk iu ndanë përsëri dhe përsëri. Me ardhjen e pushtuesve gjermanë, qëndrimi strategjik prej nacionalistësh i Agallinjve kalon krah aleatëve perëndimorë, ku e gjenin veten, por që edhe i kushtoi shtrenjtë jo vetëm kësaj familjeje të madhe, por edhe vetë Vlorës së flamurit. Qindra nacionalistë, krerë të këtij qyteti, që e kishin krijuar dhe ishin jeta e tij u dërguan në kampet e përqendrimit, duke errësuar përvajshëm me këtë veprim emrin e vetë qytetit. Përse i duhej Vlorës shfarosja e elitave të saj, atyre që kishin bërë historinë? E thjeshtë! Me ta u kërkua të shuhej vetë historia!

Si ia dhuroi pronën e tij bashkisë

Sakrificat nga jeta dhe pasuria e vet për Vlorën ishin të mëdha. Në një nga rastet kur u ndërtua spitali i Vlorës, i cili duhej të lidhej me qytetin nëpërmjet një rruge, bashkia nuk kishte mundësi financiare që të shpronësonte pronarët për hapjen e kësaj rruge. Beqiri ishte nga të parët nismëtarë që i dhuroi bashkisë nga prona e tij atë pjesë rruge që kalonte përmes pronës. Shembulli i tij ndikoi konkretisht dhe bëri të mundur që edhe pronarët e tjerë t’i falnin tokën bashkisë. Aktualisht sot kjo është rruga “Ali Demi”, që të çon në spitalin e Vlorës. Një tjetër akt bamirësie ishte edhe ajo e ndërtimit të 6 kabinave në Llogara për kurimin e të sëmurëve nga mushkëritë, që kishte nisur si shkak i sëmundjes së bashkëshortes së tij, Teferri. Ajo ishte sëmurur rreth vitit 1918 nga mushkëritë dhe mjekët e kishim rekomanduar për klimë të pastër malore. Për këtë arsye, Beqiri ndërtoi shtëpi në Llogara, mbi pronën në të cilën kishte dhe biznesin e tij të tregtisë së lëndës drusore me Italinë.

Miqësia e Agallinjve me italianin Arturo Orlando

Familja Agalliu kishte marrëdhënie biznesi me italianin nga Milano, Arturo Orlando. Në pronat e familjes në fshatin Mekat-Llakatund kishin ndërtuar një fermë me lopë, ku një pjesë e produkteve të fermës shkonte për konsum në Vlorë e pjesa tjetër tregtohej në Itali. Kishte në pronësi një çiflig prej 750 hektarësh midis qytetit Lushnjë-Fier. Aty kultivoheshin produkte bujqësore e shpendë për tregti, kultivohej lënda e parë për prodhim rrogozash, edhe kjo për tregti. Një tjetër aktivitet tregtie shtrihej në sipërfaqen 112 hektarë, e cila ndodhej në hyrje të qytetit të Vlorës, aktualisht ish-fusha e aviacionit. Në këtë sipërfaqe zhvillohej aktiviteti i prodhimit të tullave e tjegullave për tregti. Gjithashtu, në kurorën e Vlorës kishin 12 mijë rrënjë ullinj, ku pjesa më e madhe e vajit shkonte në Itali për tregti. Por, edhe pse Beqiri ishte i shkolluar në Turqi, ai ishte shumë i lidhur me Perëndimin e konkretisht me Italinë. Por, interesat ekonomike-financiare me Italinë nuk e mposhtën kurrë dhe kur bëhej fjalë për interesa kombëtare, ai ishte një patriot i vërtetë për Shqipërinë. Kur Italia në 1920-ën pushtoi Shqipërinë, ai nuk vuri interesin personal, por u ngrit kundra Italisë dhe udhëhoqi luftën si një nga anëtarët e Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare. Një patriot i madh me një fund të hidhur, por i paharruar për veprën që la pas! U dekorua “Nderi i Kombit”.