Mu në ditën e rinisë, regjimi i sektit të rilindjes i dha mesazhin më të zi rinisë. Plumbin pas shpine. Nuk ka vrarë policia, as Lleshaj, por rilindja. Ky është regjimi i Ramashenkos.
Frymë rënduari surrelian, pasi dështoi turpshëm 3 ditë të manipulonte ngjarjen, falenderoi për “burrërinë” e dorëheqjes së kërkuar ministrin e tij cinik dhe arrogant. Lleshaj nuk dha dorëheqje. Ai ndoqi fatin e zgjedhur të shërbëtorit dorëputhës, nën drithërimat epileptike të të ndenjurave mbi kolltukun e dhuruar. Disa njerëz vdesin që 25 vjeç, por nuk varrosen deri kur mbushin 75, thotë Benjamin Franklin. Me sqimën e urjahipit dhe përuljen e dishepullit dorëzanë, gjenerali i Ramashenkos nuk e bëri dot kurrë dallimin midis Forcave të Armatosura dhe Policisë së Shtetit. Nën peshën e infantilitetit, i dehur nga euforia e të qenurit njeri public dhe me arrogancën e mjeshtrit të tij pushtetvjedhur, e trajtoi popullin si armik, për të ngopur apetitin epadronitfrik aman shpirthumbur, në mungesë të plotë të ndjenjës më fisnike në botë, ndërgjegjes. Vlerësimi i Ramashenkos për “burrërinë” e gjeneralit të tij, ishte indulgjenca politike e mëkatarit shtetshqyes të rradhës. Njëlloj sic bën vetë. Tre here ka kapërcyer deri tani derën e mortit që hapi vetë, për të blerë vrasjen e dytë “aksidentale”. Jeta nuk është e poshtër, por disa të poshtër jetojnë në këtë jetë.
Policia është institucioni më i abuzuar nga rilindja e sektit të mashtruesve. Veglat e verbër anë krye të saj, janë falangat e regjimit antishtet, që burgosin intelektualin dhe mbrojnë horrin. Terrori shtetëror ndaj të rinjve minorenë në komisariate është hakmarrja e dështakut gojëshkumë, i helmatisur prej ëndrrës së tyre për një Shqipëri pa Ramashenko. Ndaj, ndryshimi i tre ministrave të brendshëm nuk ndryshon asgjë. Ai është manikyri mavi në gadavrën e një qeverie të cofur. Prodhuesi dhe urdhëruesi i dhunës shtetërore ka vetëm një shëmbëlltyrë, Ramashenkon.
Nuk ka rëndësi kush do ta zëvendësojë Lleshajn. Modeli i tejmbushjes së kabinetit qeverisës me individë të profilit të ulët, nuk sjell asnjë perspective ndryshimi, madje nuk ka atë qëllim. Ai ngop me adrenaline vetëm simptomat e mbartura psiqike të Kryeinatçorit paranojak për shkak të kokfortësisë për të pranuar se intelekti nuk është pronë e tij.
I urrej viktimat që respektojnë xhelatët e tyre, thotë Zhan-Pol Sartri. Askush nuk e do dhunën, por kurajozë sheshet duhen pare arsyet, jo të kapesh pas xhamave të thyer si pijaneci pas shtyllës. Dhuna është mjeti i fundit kur sarkazma e dinjitetit të nëpërkëmbur nuk gjen përgjigje. Kur lincimi, përbuzja, stigmatizimi dhe dhuna qeveritare, janë e vetmja ofertë për popullin.
Gota e shpërfilljes së popullit nga ky sekt tashmë po derdhet. Protestat kanë një mesazh të qartë. Largohu! Largimi yt është mundësia që të rinjtë mos braktisin vendin, të sëmurët të marrin shërbim shëndetësor, jo të dergjen dyshemeve të spitaleve që ti i ktheve në kapanone morgu. Që ekonomia të çlirohet nga kthetrat e oligarkëve të tu. Që drejtësia t’i japë fund apologjisë së pushtetit në të cilën i dhunuari trajtohet si dhunues, dhe dhunuesi i sektit si hero. Që shteti të jetë në shërbim të qytetarëve, jo të kriminelëve të regjimit. Që artistët të jenë të lire të bëjnë art, jo të plasen birucave. Që gazetarët të mos merren zvarrë si kriminelë, njëlloj si në diktatura. Që njerëzit të kenë të drejtë të zgjedhin kush t’i udhëheqë, jo tu vidhet liria.
Protestat janë reagim kundër shurdhërisë qeveritare. Është revolta e një brezi që regjimi i Ramashenkos ia ka ndaluar të jetojnë në atdheun e tyre. Sapo ka filluar. Urrejtja e popullit është në kufijtë e ekstremit. Nuk e di në do durojë deri në 25 prill ndjesia e peshës së fajit e cila na bën të ndihemi të turpëruar që për 8 vite na drejtuan ca qenie nën nivelin e gjitarëve.