Për Majlindën e Kuvendit të Shqipërisë!

Për Majlindën e Kuvendit të Shqipërisë!

408
0

Nga Zilie Feci, gazetare

Mirë që ka një goxha debat për hapjen apo jo të negociatave dhe liderët evropianë janë mbledhur tok dhe kush e kush të lobojë për një dritë jeshile Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut, por nuk të lë rehat as një deputete në Parlamentin e Shqipërisë. Dhe në këtë të enjte me diskutime e lobingje, “qershia mbi tortë” është deputetja Majlinda Halilaj, që u vuri kapak të gjitha dilemave të mia.

Kjo deputetja që kushedi, ndoshta ia kanë vënë emrin në listë se ka fis të gjerë dhe partia që e kandidoi mendoi për një “grusht vota” më shumë, nuk besoj se e ka mbaruar shkollën 8 vjeçare, nëse është e brezit tim, apo 9 vjeçare nëse është në këtë brezin e Facebook.

Moj e zezë, por kur nuk di, përse ngutesh e del në podium. Rri aty, merr rrogën si shumë të tjerë aty në atë sallë që është bërë për turp prej vitesh, qysh atëherë kur partive u “polli mendja” listat e mbyllura.

Ti më duket se ishte nga një planet tjetër. E kam bindje që kurrë në jetën tënde nuk ke lexuar asnjë libër e qoftë larg, se ç’kam edhe një mendje, që as në shkollë nuk ke shkuar asnjë ditë.

Kur nuk ke gjë për të thënë më mirë hesht, por ti as për të thënë, as për të bërë nuk ke aty në atë sallë, ndaj dy herë duhet të heshtësh. Shkruaje në CV që ke qenë deputete. Merr dhe atë pagën e majme se paguajnë ne të tjerët për ty. Dhe kaq. Ç’të duhet ty.

Siguro edhe ca vite sigurime shoqërore e në rregull je ti. Po ç’tu desh moj e zezë që dole në atë foltore dhe do mbetesh në histori, si “bjondja Majlindë” që nuk di shkrim e këndim.

Lum ne për ty. Ju o kryetarë, që nga Rama, Basha, apo Monika, kur i fusni në listë këta deputetët si kjo Majlinda dhe shumë të tjerë që janë aty, po në nivelin e kësaj, u jepni nga një laps e letër dhe i detyroni të shkruajnë një CV, ta shkruajnë shqip ama, se besoj anglisht e thajnë ata.

Më pas, u jepni të lexojnë ndonjë deklaratë sa për të parë a kanë një përqind artikulim. Se dreqi ta hajë të ngatërrosh fjalën koorporatë me korperatë dhe transferim në trasferimim vetëm me deputetët tuaj ndodh.

Për të vënë duart në kokë, e ne duam të na hapen negociatat. Mirë e bëre o Macron. Para se të dëgjoja Majlindën e kam urryer këtë Macronin, sa nuk ka ku të vejë, por më pas ndërrova mendje. Më fal Macron. Përfundimisht je burrë i mençur!