Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet ka zhvilluar takime për zgjedhjet e 25 qershorit në qytetin e Korçës dhe në Devoll. Nga Korça, kryetari i PDIU-së Shpëtim Idrizi, u shpreh se 35% e shqiptarëve jetojnë jashtë vendit, prandaj është e nevojshme Ministria e Diasporës ose Ministria e Emigracionit. “35% e shqiptarëve janë jashtë Shqipërisë. Ata kontribuojnë jashtëzakonisht në ekonominë e këtij vendi, janë jashtëzakonisht kontributorë në mirëqenien e këtij vendi, në familjet tona. Por, ne shohim sot që shteti shqiptar nuk ka një institucion të fuqishëm që t’i drejtohet atyre, nevojave që ata kanë. Emigrantët kanë probleme në radhë të parë me përfaqësitë tona diplomatike, kanë probleme të ekzistencës për të ruajtur fëmijët e tyre, gjuhën shqipe dhe identitetin tonë kombëtar. Kjo është arsyeja pse ne kemi propozuar një ministri për Emigracionin apo një ministri të Diasporës. Mendojmë që duhet ndryshuar ligji për shtetësinë. Për të gjithë ata që kanë origjinë shqiptare të diasporës së vjetër dhe të re duhe të kenë mundësinë që të marrin shtetësinë shqiptare. Ju e keni parë që vazhdimisht flitet për emigrantët që duhet të votojnë. Shumë herë premtohet një gjë e tillë. Ju e dini që ne kemi problem këtu për të administruar dhe ruajtur votat, imagjinoni atyre që janë në emigracion. Ne kemi propozuar që diaspora e vjetër dhe e re duhet të ketë vende të caktuara në Parlamentin e Shqipërisë. Ne e kemi traditë si shqiptarë, mjafton që t’ju kujtoj që në vitin 1920, në kohën e mbretit Zog, një deputet vinte nga “Vatra” e Amerikës, një tjetër vinte nga Arbëreshët e Italisë për të qenë prezent, për të sjellë zërin dhe vokacionin e tyre në Shqipëri”,- tha kryetari i PDIU-së.