Pas largimeve të shumta, Kukësi në kaos. Jep dorëheqjen edhe drejtori sportive...

Pas largimeve të shumta, Kukësi në kaos. Jep dorëheqjen edhe drejtori sportive Nderim Nexhipi

433
0

Situatë kaotike te Kukësi pak ditë para mbylljes së merkatos (2 tetor). “Panorama Sport” zbulon se pas largimeve të shumta nga skuadra, drejtori sportiv Nderim Nexhipi ka dhënë dorëheqjen nga klubi verilindor. Ditët e fundit kanë qenë shumë të ngarkuara te Kukësi, pasi “divorci” i paparashikuar me disa lojtarë ka kapur gafil edhe vetë drejtorin sportiv, si dhe trajnerin Skënder Gega.

Duke parë situatën, mësohet se Nexhipi ka njoftuar presidentin Gjici se e ka të pamundur të vazhdojë në këto kushte. Dorëheqja duket e parevokueshme, ndërkohë që vetë ish-futbollisti nga Shkupi që ka gati tri vite drejtor te Kukësi, i kontaktuar nga gazeta gjatë së hënës, nuk ka pranuar të bëjë asnjë koment. Burime në klub tregojnë se krisjet erdhën pas lëvizjeve të paparashikuara në merkato dhe Nexhipi nuk u pajtua me disa vendime që ishin në dorë të drejtuesve më të lartë.

Në këto kushte, ai ka njoftuar për dorëheqje, por kjo mbetet për t’u parë nëse do të pranohet nga presidenti Gjici. Në orët e ardhshme palët mund të fiksojnë një takim, i cili do të vendoste pikat mbi “i” në kampin kuksian. Aktualisht Kukësi duhet të kompensojë sa më shpejt largimet e titullarëve, por edhe koha nuk premton, pasi merkatoja mbyllet më 2 tetor. Situata e paprecedentë vjen në një moment ku trajneri Gega duhet të kishte gati skuadrën në prag të fillimit të kampionatit. Gjithçka mbetet për t’u parë se si do të rrjedhin ngjarjet.