Pacientja nuk iu tha të vërtetën, stafi i spitalit të Beratit vetëkarantinohet

Pacientja nuk iu tha të vërtetën, stafi i spitalit të Beratit vetëkarantinohet

388
0

Stafi mjekësor i Spitalit Rajonal Berat është vetëkarantinuar mesditën e sotme. Lajmi është bërë i ditur nga Drejtoresha e Spitalit Rajonal Berat, Edlira Shkëmbi.

 

Një mjeke nga lagjia “Kala”, një infermier dhe shoferi i ambulances kanë shkuar rreth orës 09:30 të mëngjesit të sotëm në një banesë në lagjen “Çlirimi”, ku janë njoftuar për një paciente asmatike në gjendje të rëndë.

 

Pasi kanë shkuar në banesën e 50-vjeçares, stafi mjekësor ka konstatuar se, pacientja ishte e qetë, nuk kishte shenja klinike të krizës asmatike, nuk kishte temperaturë dhe shenjat vitale ishin normale.

 

Pacientja i ka referuar stafit mjekësor të Spitalit Rajonal Berat se kishte prej disa ditësh kollë dhe dhimbje fyti, por i ka gënjyer ata për ardhjen e saj nga Italia 1 javë më parë.

 

Kur stafi mjekësor e ka pyetur nëse ka udhëtuar jashtë shtetit së afërmi ose nëse ka pasur kontakte me persona që kanë jetuar në Itali, pacientja u është përgjigjur “Jo”.

 

Por pasi kanë dalë jashtë banesës, stafit mjekësor i është referuar nga fqinjët se gruaja kishte ardhur nga Italia një javë më parë, fakt që është konfirmuar edhe nga pacientja pas rikthimit të menjëhershëm të stafit sërish në banesë.

 

Në këto kushte është njoftuar menjëherë 127 dhe epidemiologu për marrjen e mostrës së pacientes.

 

Njëkohësisht janë marrë edhe mostrat e stafit mjekësor të Spitalit Rajonal Berat, që ishin në kontakt me pacienten,të cilët janë vetëizoluar deri në ardhjen e përgjigjes së analizave të tamponëve.