“Nuk pranoi të bënte autokritikë kur e thirri shoku Enver në zyrë...

“Nuk pranoi të bënte autokritikë kur e thirri shoku Enver në zyrë dhe …”, historia e dhimbshme e disidentit që vuajti 32 vite në burgjet komuniste

528
0

Dashnor Kaloçi

Pjesa e parë

Publikohet një dosje arkivore voluminoze të nxjerrë nga institucioni i Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhen me qindra dokumente me siglën “Tepër sekret” që i përket ish-të dënuarit politik, Xhavit Qesja, me origjinë nga qyteti i Krujës, familja e të cilit gjatë periudhës së pushtimit të vendit, 1939-1944, u lidh ngushtë me Lëvizjen Antifashiste, duke qenë një ndër bazat kryesore të saj dhe vuri në dispozicion të gjithë pasurinë që kishte, pasi Xhaviti ishte një ndër anëtarët e parë të Partisë Komuniste Shqiptare për rrethin e Krujës, duke drejtuar batalionin partizan Krujë-Ishëm dhe Brigadën e 22 Sulmuese. Karriera politike e Xhavit Qeses pas mbarimit të Luftës, ku ai u emërua dhe shërbeu në detyra të larta në Ushtrinë Shqiptare, aparatin e Komitetit Qendror të PPSh-së, e disa rrethe të vendit, nga ku u dërgua me studime në Bashkimin Sovjetik, ku qëndroi deri në vitin 1957, kur ai u njoftua që të kthehej urgjent në Shqipëri, pasi kishte shprehur hapur pikëpamjet e tij pro vijës politike që po ndiqte udhëheqësi kryesor i Kremlinit, Nikita Hrushov, për dënimin e kultit të Stalinit. Biseda e Enver Hoxhës me Xhavit Qesen në zyrën e tij në Komitetin Qendror, ku ai e kritikoi ashpër për pikëpamjet e gabuara që ai kishte shfaqur gjatë periudhës së studimeve në Moskë, duke i bërë thirrje që të reflektonte dhe të bënte autokritikë, por Xhaviti e refuzoi sugjerimin e sekretarit të parë të Partisë së Punës së Shqipërisë, gjë e cila u bë shkak që ai të mos lejohej të shkonte më në Bashkimin Sovjetik për të përfunduar studimet, por të dërgohej me punë si nënkryetar i Komitetit Ekzekutiv të Elbasanit, nga ku një vit më vonë, do të përjashtohej nga radhët e Partisë, e do të internohej në Ishullin e Zvërnecit, ku regjimi komunist mbante të izoluar disa nga ish-kuadrot e lartë partiakë dhe shtetërorë, të cilët i kishte dënuar për pikëpamjet e tyre antiparti. Kalvari dhe perkusioni i gjatë i Xhavit Qeses nga viti 1957 deri në 1990-ën, ku ai kaloi plot 32 vite në burgje dhe internime, duke qenë një nga të rrallët e dënuar të burgut të Burrelit që bëri greva të gjata urie në shenjë proteste për trajtimin dhe qëndrimin e egër që po mbante regjimi komunist i Enver Hoxhës ndaj tij. Dosja e plotë formulare, hetimore dhe gjyqësore në ngarkim të Xhavit Qeses, e cila publikohet për herë të parë nga Memorie.al, ku ndodhen dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit që pasqyrojnë ndjekjen dhe përgjimet ndaj tij, raportet e bashkëpunëtorëve të Sigurimit me pseudonimet e tyre, korrespodenca me letrat që ai u dërgonte instancave të larta partiake dhe shtetërore, si dhe udhëheqësve më të lartë të PPSh-së, deri në vitin 1991 që u lirua nga burgu!

 

Raport-informacion i vitit 1957 i Punëtorit Operativ të Sigurimit të Shtetit, kapiten Avni Mehmeti, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Pëllumbi”, lidhur me survejimin e përgjimin që ai ka bërë ndaj Xhavit Qeses

 

Elbasan në 27/6/1957

 

R A P O R T

 

Burimi njofton se mbas detyrës që më ngarkuat në takimin e parë shkova në Peqin bashkë me Xhavit Qesen dhe fjetëm në një dhomë bashkë. Në bisedim me të, i thashë atij për vështirësitë në mësimin e gjuhës Ruse dhe ai m’u përgjigj se kur ishte në Moskë në shkollën e Partisë, kishte biseduar me profesoreshën, se metoda për të mësuar gjuhën ruse nuk ishte praktike, se në të ka fjalë të cilat nuk hyjnë në punë dhe që nuk dihen as shqip.

 

foto galeri foto galeri foto galeri foto galeri foto galeri foto galeri foto galeri foto galeri foto galeri foto galeri 12345678910PreviousNext

Xhaviti i ka shpjeguar profesoreshës se gjuha Italiane mësohej shpejt, mbasi metoda e të mësuarit ishte e tillë që të bënte të mësojnë.

 

Ai e pyeti për disa shokë të shkollës, si për Nikolla P., Rrapi Gj., e të tjerë? Për Nikollën ai tha se nuk mësonte, ndërsa Rrapi Gj., i është rritur hunda (mbasi është zgjedhur kandidat i K.Q. të P.P.Sh.) dhe kërkonte komoditete të mëdha.

 

Në raste të ndryshme që kemi pasur takime në komitet për arsye pune, Xhaviti nuk e merr çështjen me seriozitet por tallet, kështu p.sh. më datën 26/6/1957. Ishim në zyrë të tij një sërë shokësh, mirëpo Xhaviti bënte shakara në formë tallje p.sh., kur fliste ndonjëri nga shokët, ai tha se edhe ti ke të drejtë, pastaj kur desh të fliste vetë ndonjë fjalë me tallje, kërkonte lejë nga të tjerët, në se mund të fliste. Zakonisht në takime asnjë problem nuk zgjidh, mbasi nënvleftëson atë dhe i merr me tallje.

 

“PËLLUMBI”

 

Detyrë:

 

Vazhdo të marrësh kontakt me të, herë mbas here dhe gjatë bisedimeve, mundohu të mësosh se çfarë mendon ai, për largimin nga studimet dhe me caktimin e detyrës që ka sot.

 

 

Punëtori Operativ

 

Kapiten Avni Mehmeti

 

 

 

Raport-informacion i bashkëpunëtorit të Sigurimit të Shtetit me pseudonimin “Konsumi”, lidhur me ndjekjen e përgjimet ndaj Xhavit Qeses në qytetin e Elbasanit, në qershorin e vitit 1957

 

R A P O R T

 

Rreth muajit Qershor 1957 nga ora 10 para dite, Xhevit Qesja, N/Kryetarë i Komitetit Ekzekutiv K.P. Qarkut, me merr në telefon për disa punë të sektorit tregtisë kooperativiste, në bisedë e sipër më thotë: Unë gjithmonë jam ndër kambët tuaja, më bani si të doni, në duart tuaja jam, çdo gja e emja varet te juve. I përgjigjem dhe i them, më vjen shumë keq që shprehi në këtë mënyrë në telefon sh. Xhevit.

 

Konsiderata e jonë karshi personit tuej asht si udhëheqës i Pushtetit dhe gjithmonë kërkojmë ndihmën tuej për të zgjidhë problemet tona, prandaj në se do të shprehni kështu, unë personalisht nuk do t’ju marr ma në telefon dhe të kërkojë ndihmën tuaj. Prap sh. Xhevit fillojë si e para, tue shtue dhe fjalën si urdhëron shoku N/President i Bashkimit Kooperativave të Konsumit Qarkut.

 

Nga data 9 korrik 1957, rastësisht vajta në Belësh atje takova shokun Xhevit, i cili kishte shkue për problemet e Grumbullimit, e pyeta atje se si shkon me grumbullimet, ai më thotë se me detyrimet nuk jemi fort keq, ndërsa për tepricat nuk jem fort mirë dhe s’kemi për të dalë mirë, pastaj mu drejtua dhe më tha, prap juve do ta merrni si kapital shprehjen time për tepricat dhe do ta ngreni në pushtet (në Kryesi të Komitetit Ekz. Të Qarku) se pikëpamjet e N/Kryetarit Qarkut, është se tepricat nuk realizohen i Përgjigjem se kjo nuk është shumë e vërtetë dhe ju shoku Xhevit, mos rrueni nga këto gjera. Po kështu i kishte thanë më vonë një ditë tjetër Llazar Pogaçes, i cili në formë bisede më tha mue.

 

Me date 16/VII/1957 n’ora 2.15, kur po dilja nga zyra së bashku me Llazar Pogaçen, takohemi në sheshin “Adem Kosova” me shokun Xhavit, i shoqëruar nga N/Kolonel Xhevdet Petrela dhe na thotë se në Kazermat e Shkumbinit, ju është prishur ai Fesani që kemi vue ndër shtyllat e telefonit. Na nuk e kuptuam se cili fesan ishte ky, që ishte prishur dhe prap e pyetëm, n’atë kohë me sheje dore, kapi një pjesë të pantallonave të tija, unë i përgjigjem çfarë janë brekë, ai na u përgjegj: e mre, asoje janë.

 

Kjo ishte një parullë e jona, që kishim vue në rastin e hapjes se Kongresit III-të, të Kooperativave të Konsumit. Shumë herë kam pasë raste bisedimi me shokun Xhevit, por kam konstatue se tregohet mjaft egoist, për problemet Shtetërore, si persona që nuk është fort kompetent në mënyrën Hipokrite.

 

Elbasan 18/VII/57                                                    “KONSUMI”

 

Dokumenti i vitit 1959, ku ndodhet fletë-regjistrimi i Xhavit Qeses si i internuar politik, në Ishullin e Zvërnecit

 

Xhavit Qesja, Dosja 1820

 

FLETA E REGJISTRIMIT:

 

Mbiemri, emri, atësia: Qesja Xhavit, Hajdar

Vend-lindje: Krujë

Datë-lindja: 1920

Vend-banimi: Vlorë

Vendi punës: Internuar

Specialiteti: N/Punës

Kombësia: Shqiptare

Shtetësia: Shqiptare

Partiniteti: Përjashtuar

Origjina shoqërore: I pasur Tregtarë

Shtresa: E mesme

A ka qenë i regjistruar më parë në evidencë: Jo

Në se më parë ka qenë i regjistruar në parti të tjera: Jo

Përmbledhja e shkurtër e materialeve të tija komprometuese: Elementët me pikëpamje të theksuara kundra Partisë

Tendenca që ka sot: Anti-Parti

Përcaktimi i pseudonimit: S’ka

 

 

PUNËTORI OPERATIV                        SHEFI I SEKSIONIT I-rë

 

Toger Koli Sallaku                           N/Kolonel Raqi Zavalani

 

 

 

Tiranë, më 25.II.1959

 

Dokumenti i vitit 1981, me fletën e kontrollit të kartotekës së Burgut të Burrelit, për të dënuarin politik Xhavit Qesja

 

TEPËR SEKRET

 

Fleta e kontrollit në kartotekë

 

Lutemi kontrolloni dhe na njoftoni nëse figuron i regjistruar n’evidencën operative personi poshtë shënuar:

 

Mbiemri: Qesja

Emëri:  Xhevit

Atësia:  Hajdar       Datë-lindja:  1920

Vend-lindja:  Krujë        Rrethi:      Krujë

Vend-banimi: Durrës

Vendi punës Rep. 321 i dënuar

Profesioni:  Nën punës

Kombësia: Shqiptare             Shtetësia: Shqiptare

Punëtori operativ                                  Kryetari Degës

 

Vehap Kuka                                            Bajram Neli

 

Ju njoftojmë se person i kërkuar nga ju: “Figuron që të ketë qenë në përpunim aktiv 2-A dhe dosja e tij është arshivuar e transferuar në Degën e Punëve të Brendshme, Durrës.

 

Në ngarkim të tij disponohen material sipërpërmendura që ruhen në dosjen e informacionit që mbahet nga P.ap. Vehap Kuka.

 

Shefi Kartotekës

 

Ramiz Hoxha

 

Në Burrel 23.11.1981

 

Dokumenti i vitit 1987, me biografinë e të dënuarit politik, Xhavit Qesja

 

Biografia e Xhavit Hajdar Qesja

 

“Sekret”

 

Durrës, më 3.10.1987

 

Xhavit Qesja, është i biri i Hajdarit dhe i Sabrijes, i dt. 1922, lindur në Krujë dhe me banim në masë internimi në Shijak, i ndarë nga gruaja, me arsim të lartë, i dënuar për veprimtari armiqësore antiparti, me kombësi dhe shtetësi shqiptare, rrjedh nga një shtresë e pasur qytetare.

 

Gjatë regjimit antipopullor të Zogut, familja e tij është marrë me tregti, i ati, Hajdari, ka pasur dyqane manifakture në Krujë dhe Tiranë.

 

Gjatë Luftës Nacionalçlirimtare, me qëndrimi politik i familjes së tij ka qenë i mirë, ka vënë në dispozicion të luftës partizane, pasurinë e familjes, vetë Xhaviti është pranuar anëtar i Partisë Komuniste të Shqipërisë në vitin 1942 dhe ka qenë komunist i batalionit Krujë-Ishëm.

 

Mbas çlirimit të vendit, Xhaviti ka punuar në funksione të ndryshme në Ushtri, në aparatin e Komitetit Qendror të PPSH-së, si dhe në rrethe të ndryshme të vendit. Në vitet ’50-të, Xhaviti dërgohet për studime në Bashkimin Sovjetik dhe në vitin 1957, duke qenë më studime atje, thirret në sekretariatin e Komitetit Qendror dhe këshillohet për shfaqjet e pikëpamjeve antiparti, ndërpritet nga studimet dhe dërgohet me detyrë nënkryetar i Komitetit Ekzekutiv në Elbasan.

 

Në vitin 1958, internohet në fshatin Zvërnec të Vlorës, deri në vitin 1967, kohë të cilën arrestohet dhe dënohet me dhjetë vjet heqje lirie, për veprimtarinë e mprehtë armiqësore që kishte zhvilluar si element antiparti.

 

Në vitin 1970, duke qenë në burg, ri dënohet për aktivitet armiqësore të zhvilluar gjatë kohës së vuajtjes së dënimit, që me bashkim nenesh, dënohet me 17 vjet heqje lirie.

 

Edhe gjatë vuajtjes së dënimit të tij, përsëri armiku Xhavit Qesja, nuk hoqi dorë nga veprimtaria e tij armiqësore kundra vijës politike të partisë dhe pushtetit popullor.

 

Në janar të vitit 1987, lirohet nga burgu me plotësim kohe dhe me vendim të Komisionit Qendror të Internim-Dëbimeve, internohet për pesë vjet kohë në qytetin e Shijakut, ku ndodhet aktualisht.

 

Xhaviti ka tre vëllezër me banim në Durrës, janë me qëndrim të mirë politik, njëri prej të cilëve është anëtar i PPSh-së.

 

Xhaviti ka qenë i martuar, me dy fëmijë, i ndarë nga gruaja, e cila është, me banim në Tiranë dhe që janë me qëndrim të mirë politik, ish e shoqja e tij, është anëtare e PPSh-së, nëna e Xhavitit, Sabrija, është e vjetër në moshë dhe banon në Durrës, me njërin nga djemtë e saj. Memorie.al