Nuk përmbahen zengjinët e rinj shqiptarë, 500 mln euro jashtë vendit në...

Nuk përmbahen zengjinët e rinj shqiptarë, 500 mln euro jashtë vendit në gjysmën e vitit

823
0

14339794_10210526426066442_1857197602_oLlogaritet në 500 milionë euro shuma që shqiptarët kanë shpenzuar në udhëtimet e tyre jashtë vendit në 6 muajt e parë të vitit 2016. Shifra është bërë e ditur në bilancin e pagesave të Bankës së Shqipërisë, që mat ndër të tjera dhe bilancin e udhëtimeve (shumat që shqiptarët shpenzojnë jashtë dhe ato që të huajt harxhojnë në Shqipëri).

Në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, paratë e shpenzuara jashtë kanë qenë 5.5% më të larta, apo 26 milionë euro më shumë.

Në rritje kanë qenë edhe paratë që të huajt kanë shpenzuar në Shqipëri, të cilat ishin 640 milionë euro për të njëjtën periudhë, me rritje 7.7% në raport me 6-mujorin e parë 2015.

Prej dy vitesh, paratë që të huajt shpenzojnë në Shqipëri janë më të larta se ato që shqiptarët harxhojnë jashtë, duke bërë që bilanci të jetë pozitiv prej 140 milionë euro për janar-qershor 2016.

Tremujori i dytë, shqiptarët udhëtojnë më shumë, por janë më kursimtarë

Për tremujorin e dytë 2016, sipas raportit të Bankës së Shqipërisë, Shërbimet e udhëtimit u mbyllën me një bilanc pozitiv prej 73 milionë eurosh, 5% më i ulët kundrejt së njëjtës periudhë të një viti më parë, pasojë e rritjes më të shpejtë të shpenzimeve kundrejt të ardhurave në këtë kategori. Shërbimet e udhëtimit zënë peshën më të madhe në të ardhurat dhe shpenzimet e shërbimeve, me përkatësisht 68% dhe 71% të totalit. Në krahasim me një vit më parë, të ardhurat dhe shpenzimet janë rritur respektivisht me 7 dhe 11%. Gjatë tremujorit të dytë të 2016, eksporti i shërbimeve të udhëtimit i ka siguruar ekonomisë vendase rreth 357 milionë euro.

Rritja vjetore e të ardhurave gjatë kësaj periudhe ka ardhur kryesisht si pasojë e rritjes së numrit të vizitorëve jo rezidentë në vend me rreth 9%. Shpenzimet mesatare të jo rezidentëve vlerësohen në rritje, ndërsa vlerësohet të kenë qëndruar më pak, se një vit më parë.

Nga ana tjetër, rezidentët kanë shpenzuar në udhëtimet e tyre jashtë vendit 284 milionë euro. Edhe numri i rezidentëve që kanë udhëtuar jashtë është rritur me 16%. Rezidentët kanë shpenzuar mesatarisht më pak se një vit më parë, ndërsa kanë rritur numrin e ditë qëndrimit jashtë./Monitor