Pandemia ka krijuar probleme shumë të mëdha në të gjithë botën e futbollit dhe ka ulur ndjeshëm shpenzimet në shumë kampionate, me klubet që janë gjetur pa burime të rëndësishme të ardhurash që siguronin nga tifozët. Këtë e kuptoi shumë mirë Jasir Asani pak javë më parë, kur klubi i AiK i bëri të ditur se nuk mund të blinte kartonin e tij nga Partizani e për momentin nuk kishte para për të ndërhyrë në merkato.
Ajo që dukej një lëvizje e sigurt, dështoi për shkak të COVID-19, ndërsa klubi suedez pranoi edhe publikisht se kishte vështirësi të mëdha financiare, e nuk mund të afronte futbollistë të rinj për të përforcuar radhët e tij për sezonin e ri.
Për të shpëtuar skuadrën nga një katastrofë e mundshme si pasojë e mungesës së merkatos, kanë menduar vetë tifozët e klubit. Grupimi “Den Svarta Massan” (Turma e zezë) ka filluar të mbledhë fonde dhe brenda një kohë të shkrutër, ka siguruar rreth 193 mijë euro. Kjo shumë i është dorëzuar klubit i cili e ka cilësuar një “borxh” nga tifozët për të dalë nga situata e krizës dhe ka arritur të sigurojë me rrogë minimale lojtarët Raduloviç, Lustig, Papagianopulos dhe Rogiç.