“Nuk është më djali im”, rrëfimi i dhimbshëm i të burgosurit të...

“Nuk është më djali im”, rrëfimi i dhimbshëm i të burgosurit të Spaçit: Si më spiunuan shokët kur u arratisa

643
0

Ishte vetëm 17 vjeç kur vendosi të arratisej, por shokët e spiunuan dhe përfundoi në burg, duke provuar torturat më të tmerrshme. Por goditjen më të fortë, do ta merrte në gjyq, ku hetuesit i sollën të regjistruar zërin e babait të tij që thoshte: “Nuk është më djali im nëse ka dalë kundër sistemit komunist”. Kjo është historia e Nevruz Golkës nga Korça, që kaloi 20 vitet më të bukura të jetës në Spaç dhe nuk pati një shtëpi ku të kthehej kur doli nga burgu komunist.

 

 

 

Intervistoi Najada Pendavinji për Kujto.al

Nevruz Golka është një nga të persekutuarit e regjimit komunist, për të cilin kalvari i vuajtjeve fillon që në moshën 17 vjeçare. Për Golkën, Shqipëria e diktaturës komuniste nuk ishte një vend i cili mund t’i siguronte të ardhmen, pasi ai ishte një fëmijë me një prind të dënuar politik që në fillim të sistemit komunist dhe prishja e marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik në 1961, ndërpreu të gjitha rrugët që të rinjtë shqiptarë të kryenin studimet jashtë shtetit. Kështu, e vetmja mënyrë për t’u larguar nga Shqipëria komuniste ishte nëpërmjet kufirit. Por kjo iniciativë ndërpritet në mes, duke përjetuar hakmarrjen komuniste, e cila ishte e pamëshirshme. Kalvari i vuajtjeve dhe persekutimit të tij nis pikërisht ditën e arrestimit, 15 nëntor 1963, dhe përfundon pas 20 vjetësh, në nëntor të vitit 1983. Nevruz Golka dënimin e tij, e vuajti në burgun e Spaçit, i cili u bë edhe një nga dëshmitarët okularë të revoltës. Dëshmon për vendosmërinë e të burgosurve për liri dhe se si kjo revoltë tronditi nga themelet regjimin komunist, duke shkaktuar panik te udhëheqja e lartë komuniste në Tiranë. Sprova e tij më e madhe është kur ai lirohet dhe duhet të kthehet tek babai i tij, me të cilin nuk kishte pasur korrespondenca gjatë gjithë kohës që ishte në burg, i vetëdijshëm që nuk do pranohej nga ai. Sot, ai është 75 vjeç, një aktivist dhe vullnetar në mbrojtjen e të drejtave të ish-të përndjekurve në qytetin e Korçës.

Dëshmia e plotë, si më poshtë:

Golka, cila është origjina e persekutimit tuaj?

Historia e persekutimit tim fillon që në moshën 17 vjeçare. Edhe pse unë kisha patur një formë diferencimi shoqëror që më përpara, pasi babi im ishte dënuar me burg që në fillim të sistemit komunist, me akuzën për realizimin e një grushti shteti për përmbysjen e demokracisë popullore. Por momenti i arratisjes ishte vendimtar për persekutimin tim. Në vitin 1961, kur u prishën marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik, përpos të tjerave, u ndërpre edhe rruga e studentëve për të studiuar jashtë shtetit. Kështu që ne vendosëm të largoheshim nga Shqipëria komuniste në një mënyrë tjetër. Ishim një pjesë studentësh që kishim të njëjtin mendim dhe vendosëm të arratiseshim nëpërmjet kufirit. Nga shtatë veta që ishim bashkë, për t’u nisur, u nisëm të shtatë, kurse për t’u arrestuar, u arrestuam vetëm tre, pasi katër vetat e tjerë kishin lajmëruar degën më përpara. Kjo gjë ishte proporcion i drejtë i asaj kohe, pasi Sigurimi i Shtetit punonte shumë në funksion të mbrojtjes së shtetit nga elementët që organizonin krime kundër tij. Si pasojë e spiunimit nga shokët, iniciativa jonë për t’u arratisur nga Shqipëria komuniste mbeti në fazën e tentativës. Më arrestuan më 15 nëntor 1963, në orët e vona të natës, në brezin e butë të kufirit, duke fotografuar edhe gjurmët që të quhej flagrancë, për të mos patur mundësinë e devijimit nga hetuesia.

Si ishte hetuesia për një fëmijë në moshën tuaj?

Arrestimin na i bëri shefi i sigurimit të zonës, Sotir Ndrio, i cili ushtroi dhunë të pamëshirshme ndaj nesh, tortura dhe të rrahura të paprovuara më parë. Edhe sot mund të kem shenja në trup nga këpucët me gozhda që na gjuante në fytyrë. Gjatë atyre torturave, na binte të fikët, na hidhnin ujë për të na zgjuar, duke vazhduar dhunën. Derisa na çuan në hetuesi, ajo dhunë ishte e tmerrshme, dhe kur u futëm në birucë, i quanim muret si mburojë, pasi menduam që shyqyr që shpëtuam nga të rrahurat, nga të lidhurat, nga shkelmat e shefit të zonës. Birucat e Korçës ishin të tmerrshme, pa dritare, pa ajrim, vetëm se na jepnin një batanije në darke dhe na i merrnin në mëngjes. Gjatë natës, ishte shumë ftohtë dhe e bënim gjumin në këmbë, duke ecur nëpër birucë dhe është e habitshme që nuk përplaseshim asnjëherë në mur ose te dera e birucës, pasi e dinim mirë deri ku ishte vendi. Në mëngjes, na zgjonte kazani i gjellës që vinte nga lart dhe këpucët e rënda të policit. Por nuk e dinim që hetuesia do të ishte aq shumë intensive sepse mendonin se ne kishim lidhje me një diversant që në atë kohë hynte dhe dilte në Shqipëri me mbiemrin Kulina, ishte çoban. Pra hetuesia ishte shumë e ashpër dhe intensive, duke menduar se ne merrnim të dhëna nga ky diversant dhe ai na kishte instruktuar për të kaluar kufirin dhe të ktheheshim në agjente, sipas mendjes së hetuesit. Për këtë arsye, filloi nëntë muaj hetuesi dhe në moshën tonë ishte e tmerrshme, pasi ishim në pragun që mund të kapërcenim në çmenduri, ishte diçka e panjohur për ne. Atje bëheshin pyetje nga më të ndryshme, provokime nga më të ndryshme. Në orën 12, fillonte hetuesia dhe deri në orën 6, karriget ishin të betonuara prej hekuri. Unë isha i lidhur pas karriges dhe hetuesi  enkas bënte sikur flinte dhe e linte koburen mbi tavolinë, duke pritur reagimin tim për të më provokuar. Hetuesi që kishte çështjen time quhej Riza Shehu nga Berati, por që kishte ardhur me detyrë këtu në Korçë.

Mund të më bëni një përshkrim të sjelljes së policëve apo hetuesve tuaj?

Policët dhe hetuesit ishin njerëzit më besnikë të partisë dhe të shtetit. Ata ishin të zgjedhurit e tyre për të kryer kriminalitete ndaj elementit armik, duke mos kursyer as edhe fëmijët. Por mund të them me plot bindje se njëkohësisht, policët ishin edhe njerëzit më injorantë të asaj strukture. Dukeshin sikur i kishin studiuar dhe i kishin përcaktuar se ky njeri bën vetëm për këtë punë, duhet të ishin gjakpirës dhe gjakftohtë. Mbaj mend që kur ishim në galerinë e kampit të Spaçit, një nga të burgosurit e pyet policin e kampit dhe i thotë: “Ju jeni anti-imperialist, po i përgjigjet ai, ju jeni anti-revizionist, po i përgjigjet ai, ju jeni anti-komunist, po i përgjigjet ai”. Pra me këto fjalë, nënkuptohet që ata nuk e kishin idenë çfarë pozicioni kishin dhe çfarë duhet të mbronin, por një gjë e dinin me siguri që të përdornin dhunë dhe tortura kundrejt çdokujt që futej në burg.

Si u zhvillua gjyqi?

Pas përfundimit të hetuesisë, u zhvillua gjyqi. Gjyqi u bë shembullor. Ai u realizua në shkollën e fshatit, për t’u treguar moshatarëve tanë se çfarë i priste nëqoftëse vepronin si ne. Kryetar i gjyqit ishte Ibrahim Zhuli, i cili ishte shumë i rreptë. Aty ishte mbledhur i gjithë fshati dhe ata që na donin u trishtuan shumë, ndërsa të tjerët na shanin. Ne akoma nuk e dinim që shokët na spiunuan, pasi mendonim se ishin në hetuesi sëbashku me ne. Por kur u paraqitën në gjyq dhe dhanë dëshminë e tyre, atëherë e kuptuam që na kishin tradhëtuar. Ata u munduan që të ma hidhnin fajin më të madh mua, duke më cilësuar si kryetar grupi dhe kur u dënuam, unë u dënova më shumë, pasi sipas tyre, unë ngulja këmbë më tepër për t’u larguar. Por unë vërtet që isha më i eturi për një jetë më të mirë dhe e shpejtova arratisjen, pasi ata kishin një vit që e bisedonin, por jo se ngula këmbë. Por përveç kësaj, një moment shumë i vështirë për mua ka qenë kur dëgjova zërin e babait tim të regjistruar në këtë gjyq. Ai shprehej “Ai nuk është më djali im dhe jepini dënimin që meriton, edhe atë me pushkatim”. Unë nuk e di nëqoftëse ai e ka thënë me zemër apo i detyruar këtë gjë, por di me siguri që ai ishte zëri i tim eti.

Me sa vite burg u dënuat dhe ku e vuajtët dënimin?

Pas mbarimit të gjyqit i cili ishte një fitore e madhe, një çlirim, pasi në burg ishte jeta kolektive dhe na lejoheshin takimet me familjarët. Fillimisht, më çuan në burgun e Korçës, më pas, në prill, erdhën na mori autoburgu dhe na çoi në Laç, pasi kishin nevojë për krahë pune, për të ndërtuar Uzinën e Superfosfatit. Qëndruam tre vjet e pas kësaj, na çuan në Elbasan, pasi do ndërtohej fabrika e çimentos ku qëndrova një vit. Dhe dënimin me 20 vjet burg, e vuajta në kamp-burgun e Spaçit. Kështu, erdhën makinat të mbuluara me plasmas dhe na transferuan në minerën e Spaçit. Mbaj mend që u nisëm që në mëngjes dhe mezi arritëm natën vonë dhe një nga shokët tanë rrugës, tha: “Po Shqipëria qenka shumë e madhe”. Kur arritëm atje, Spaçi ishte tmerr. Ishte një luginë midis dy shkëmbinjve, në dimër acar i tmerrshëm, në behar kur nxehej ai guri nuk qëndroje dot, ishte shumë vapë. Ne qëndruam nëpër baraka të bëra me pupulit, të cilat ishin muret ndarës të kapanonit. Nëpër to, hynte gjarpri, hardhuca, gjithashtu ishin të panumërt akrepat, tartabiqet. Këtu, ne pamë edhe “morra me bisht”, pra higjena e vendit ishte e tmerrshme. Puna në minierë ishte rraskapitëse për moshën time, duhet të bëje normën. Ka pasur raste kur qëndronim katër ditë në galeri, për të plotësuar normën. Aty qëndronim pa bukë, dhe kur vinte turni tjetër, mund ta ndante me ne ushqimin. Mbaj mend një rast në galeri, ndodhi një diçka që nuk e realizuam  dot normën. Isha unë sëbashku me një nga Dibra, kur polici na mori dhe na dhunoi duke na lidhur duart me hekura, na i shtrëgoi fort derisa na binte të fikët, na zgjonte dhe fillonte prapë na i shtregonte. Në Spaç, jeta e komunitetit ishte relativisht e mirë, ne fëmijët na përkrahën. Atje kishte dhe njerëz të shkolluar dhe ne mësonim prej tyre.

Mbaj mend që atje ishte Gjergj Komino, një gjirokastrit, njohës i mirë i gjuhëve të huaja, i cili mbante një libër “Enciklopedia italiane” dhe e lexonte në oborrin e burgut, kurse ne shikonim atë kur shfletonte. Na lejonte, por ngaqë ishim shumë veta, ai na thoshte; “Ju lutem, mos ma zini diellin, mos ma ndaloni atë që ma jep Zoti”. Në këtë moment, ndodhi diçka vërtet e çuditshme. Në burg, vjen Mehmet Shehu në orarin tonë të ajrimit. Ai ka qenë vërtet një njeri i papërgjegjshëm. Ata që e njihnin, u ngritën në këmbë dhe u habitën, pasi ai ishte vetëm, dhe iu afrua Gjergj Kominos, duke i thirruar;- “Profesor!”. Ai ngriti kokën dhe i tha; -“Paska ardhur kryeministri. Pse je lodhur?” Mehmet Shehu i thotë; – “Dua të të bëj një pyetje, ma shpjego pak luftën e klasave?” Dhe Komino ja shpjegon: “Ju keni marrë një shishe dhe në të keni hedhur uthull dhe vaj, dhe detyrimisht që vaji do qëndrojë sipër, ndërsa uthulla poshtë, janë ligjet e natyrës. Ju e mbani gjithmonë atë shishen të tundur, që të përzihet vaji me uthullin dhe të mos dallohet kush është vaji dhe kush është uthulla, pra kush është njeriu i mençur dhe ai krimineli. Aman mos harroni se vetëm një moment po nuk e tundët atë shishe, vaji do të qëndrojë gjithmonë lart”. Mehmet Shehu nga kjo përgjigje, u revoltua shumë, duke e ofenduar në mënyrën më vulgare.

Si i kujton tre ditët e revoltës së Spaçit?

Unë kam qenë pjesëmarrës aktiv në revoltën e Spaçit. Dhe mund të them me plot bindje, se kjo revoltë tronditi nga themelet regjimin komunist, duke përhapur panik tek udhëheqësit komunistë. Revolta sigurisht që pati një shkëndijë, e cila mori zjarr për tre ditë me radhë. Dita e parë filloi si një ditë e zakonshme. Ishte 21 maj 1973, kur ne të burgosurit kuptuam se duhet të bënim disa kërkesa, për të përmirësuar jetesën në kamp. Këto kërkesa ja paraqitëm Sulejman Manokut, i cili ishte komandat i Përgjithshëm i Burgjeve të Shqipërisë. Këto kërkesa kishin të bënin me ujin, i cili ishte me acid duke pasur një ngjyrë ndryshku, me largimin nga minera, të kishte amnisti etj., por sigurisht që këto nuk u morën parasysh. Pati përleshje mes të burgosurve dhe rojeve të burgut, ku arritëm që të nxirrnim nga dhomat e izolimit shokët tanë, duke bërë që turma e të burgosurve të shtohej akoma edhe më shumë. Në të gjitha ambjentet e burgut, gjeje të grumbulluar të burgosur të cilët mbanin edhe fjalime dhe recitonin poezi me përmbajtje kundër pushtetit popullor. Si Skënder Daja, i cili edhe u pushkatua mbajti një fjalim ku thoshte “Poshtë Komunizmi”, “Rroftë Shqipëria e Lirë”, “Ja vdekje ja liri” apo edhe Dervish Bejko etj… Si pasojë e kësaj, filluan të merrnin masa të rrepta, duke njoftuar jo vetëm Degën e Punëve të Brendshme të Rrethit, por edhe Ministrinë. Kështu erdhi vetë Feçor Shehu, i cili solli përforcime dhe deklaroi se brenda 5 minutave, iu likuidoj të gjithëve pa përjashtim dhe se hakmarrja do të ishte e pamëshirshme. Por ne nuk ndaleshim. Në katin e tretë të ndërtesës të drejtuesve të komandës, të burgosurit kishin ngritur një flamur shqiptar me shqiponjën dykrenare pa yll.  Flamuri ishte i improvizuar, duke marrë copën e kuqe të jorganit të Naim Pashait, ndërsa piktori Mersin Vlashi pikturoi shqiponjën pa yll. Ndërsa flamuri po ngrihej mbi ndërtesë, ushtarët nisën të qëllonin me breshëri dhe është e habitshme pasi flamuri nuk u prek nga asnjë plumb. Shtypja e revoltës, ashtu siç edhe ata na komunikuan, u bë në mënyrë të dhunshme. Vazhdimisht, rreth kampit, dëgjoheshin zhurma makinash, manovrime tankesh, armatime, mbushje dhe shkrehje armësh etj. Ata që u morën me çështjen e revoltës mbaj mend që ishin: Aranit Çela, Kryetar i Gjykatës së Lartë, Kasëm Kaci, Shefi i Policisë së Republikës, Dhori Panariti, Prokuror i Përgjithshëm. Sigurisht që hakmarrja pas shtypjes, do të ishte e pamëshirshme, dënimet do të ishin deri në pushkatim. Përpallja me ta ishte e tmerrshme. Ne që kundërshtuam na rrihnin me bishtin e lopatës. Mbaj mend që na kanë lidhur edhe me zinxhirë, duke na vënë të gjithëve në rresht. Zinxhiri kalonte nga këmbët tek duart, nga duart tek qafa dhe në gojë, na vendosën kyçe dhe çelësat i hidhnin në një kazan të madh.

A vinin familjarët tuaj t’ju shihnin në burg?

Të gjithë të burgosurit kishin të drejtën e takimit me familjarët. I vetmi familjar që më ka takuar në burg, ka qenë gjyshja ime. Mbaj mend që më ka ardhur në burgun e Korçës dhe më ka sjellë ndërresa dhe ushqim. Por para se të më takonte mua, kishte kërkuar Komandantin e Burgut dhe i kishte thënë se nipin tim e kam rritur që kur ishte shumë i vogël dhe di se ai nuk ka bërë asgjë të dëmshme për të qenë në burg. Komandanti i thotë se kur ta takosh, thuaji se, nëqoftëse ai pranon të bëjë atë që i themi ne, do i ulet dënimi. Dhe ajo ashtu e gëzuar, më vjen dhe më thotë se ti e paske në dorë, nëqoftëse do të lirohesh apo jo. Dhe unë i them, por e di çfarë kërkojnë ata prej meje, duan që të bëhem spiun. Jo, thotë ajo, mos më hajde në shtëpi, nëse pranon. Kaq ishte takimi me gjyshen dhe nuk e pashë më, sepse ajo u sëmuar dhe më pas ndërroi jetë. Ndërsa me babain, nuk pata asnjëherë takim.

Çfarë ndodhi pasi u liruat?

Dënimi im përfundonte në shkurt të vitit 1983, por për shkak të një amnistie, u lirova në nëntor 1982. Për mua, kjo amnisti nuk kishte vlerë, pasi më kishte mbetur vetëm 1 muaj e 20 ditë për t’u liruar. Isha në moshën 38 vjeçare kur u lirova. Më duhej të kthehesha në shtëpi, atje ku nuk më priste askush. Kam shkuar në fshat dhe i vetëdijshëm që babai im nuk do më pranonte, dërgoj një djalë të vogël tek shtëpia për të lajmëruar atë. Por fjalët e tij ishin po ato që kishte shprehur në gjyq. Kështu u nisa drejt Degës, duke i shpjeguar problemin tim. Zyrtarët e saj më strehuan në zyrën e oficerit të rojes, që ishte një ambjent tepër i vogël, ku nuk kishte as krevat për të fjetur. Kam qëndruar gati 4 muaj atje. Më pas, më çuan në minierën e Mborje-Drenovës, ku u strehova në hotelin që ishte për beqarët dhe vazhdova jetën, sigurisht me njollën e biografisë, derisa ndryshoi sistemi.