Një vit më parë ishte trajner i Kombëtares, sot Altin Rraklli rrezikon...

Një vit më parë ishte trajner i Kombëtares, sot Altin Rraklli rrezikon 7 vite burg

528
0

Ish-sulmuesi i Kombëtares shqiptare të futbollit, Altin Rraklli, rrezikon të përfundojë pas hekurave për një kohë të gjatë. Për 46-vjeçarin, i cili deri vitin e kaluar ishte edhe trajner i Kombëtares shqiptare të futbollit të femrave, Prokuroria ka kërkuar 7 vite burg për veprën penale të mashtrimit me pasoja të rënda.

Organi i akuzës ka argumentuar sot para Gjykatës së Tiranës se Rraklli ka mashtruar një shtetas duke i marrë një shumë prej 150 mijë eurosh, pa ia kthyer më. Vetëm ish-futbollisti nuk ishte i pranishëm në gjyq, por avokati i tij kërkoi gjykim të shkurtuar ndërsa pranoi aktet e dosjes hetimore.

Një kërkesë e tillë, e pranuar nga Gjykata, do të mundësojë që dënimi i mundshëm i Rrakllit të ulet me 1/3 e masës së tij. Vendimi përfundimtar pritet të jepet nga Gjykata e Tiranës pas dy javësh.

Edhe në të kaluarën Rraklli ka pasur probleme me drejtësinë, por jo me atë shqiptare. Ai ishte pjesë e një gjyqi në Austri sa i përket pjesëmarrjes së tij në një skandal manipulimi ndeshjesh në futbollin austriak.