Të nderuar miq,
Tash në prag të zgjedhjeve lokale në Maqedoni, si pjesëtar i botës së biznesit, dua të ndaj me ju disa pikëpamje për të kontribuar sadopak në këtë proces, kuptohet, nga këndvështrimi i investimeve dhe zhvillimit ekonomik të vendit.
Si gjithkund në botë, e në veçanti në vendet e sfiduara me problemet e funksionimit të tregjeve dhe institucioneve, afaristët kërkojnë ambient biznesi atraktiv për të vepruar të lirë e për t’i rritur bizneset e tyre. Është një gjë e ditur tashmë se klima e biznesit krijohet nga institucionet qendrore ndërsa këto dalin përmes zgjedhjeve parlamentare, por megjithkëtë nuk duhet të nënçmohet rëndësia e institucionave lokale.
Së pari, uroj të kemi fushatë të qetë garuese, me ide, projekte e vlera dhe jo me inate e përçarje. Kjo aq më tepër në disa komuna ku akoma garojmë edhe me ngjyra etnike. Dua të besoj se lidershipi shqiptar do t’i kontribuojë kësaj klime politike duke i shmangur elementet negativiste në fushatë e duke promovuar kulturë demokratike me vlera perëndimore.
Së dyti, kushdo që të fitojë s’do të ketë shumë komoditet për të festuar. Lista e nevojave dhe problemeve me të cilat ndeshen qytetarët tanë është shumë e gjatë. Prandaj, sigurisht që rezultatet paraqesin besimin e marrë nga populli por gjithsesi ato paraqesin edhe detyrimin ndaj tij. Këtë mentalitet duhet ta ngulisim në kokat tona, kështu madje na mësojnë përvojat perëndimore ku kam patur fatin të kaloj një pjesë të jetës sime.
Së treti, në programet e qeverisjes lokale, rëndësi e veçantë duhet t’i kushtohet krijimit të ekipeve profesionale e të dëshmuara që do mund ta konvertojnë në vepra konkrete vullnetin dhe besimin e dhënë. Ka shumë mundësi për gjetje fondesh gjithandej e posaçërisht në institucionet ndërkombëtare. Vetëm duhen profesionistë të aftë që do të dinë si t’i realizojnë ato. Nuk duken të justifikueshme mospërmbushjet duke u ankuar për mungesë fondesh pasi shumë vende përreth nesh, madje fqinjët tanë të parë, e kanë dëshmuar të kundërtën, pra se sa shpejt mund të ndryshojnë gjërat për të mirë.
Nëse çdonjëri do ta bënte punën e vet si duhet, me ndërgjegje të lartë profesionale e morale, gjërat do të ndryshonin shumë shpejt për të mirë. Sidoqoftë, institucionet e qeverisjes lokale së bashku me ato qendrore, përbëjnë forcën që e çon shoqërinë drejt së ardhmes. Funksionimi i mirëfilltë i institucioneve krijon kushte dhe ambient për zhvillim ekonomik duke sjellë lehtësira për nxitjen e investimeve nga investitorë vendës dhe sidomos të huaj. Zhvillimi ekonomik sjell lëvizje dhe zhvillim në të gjithë sektorët tjerë që përbëjnë zhvillimin e gjithmbarshëm të një vendi.
Me rastin e nisjes së fushatës zgjedhore, uroj për garë korrekte e të ndershme dhe suksese në zgjedhjet lokale të 15 tetorit.