Policia e Lezhës ka reaguar sërish në lidhje me aksidentin që ndodhi mbrëmjen e djeshme në Milot-Thumanë, ku u përfshi dhe një prej makinave të ish-kryeministrit Sali Berisha.
Ndryshe nga sa u tha fillimisht, se një prej makinave ishte futur kundravajtje, policia thotë në njoftimin zyrtar se të tre mjetet e përfshira në aksident ishin në një sens lëvizje, në korsinë e shpejtësisë.
Policia ka proceduar penalisht shtetasin nga Kosova Ard Mulliqi, i cili ishte në drejtimin e mjetit, që dyshohet se shkaktoi aksidentin. Mulliqi së bashku me dy pasagjerë në mjetin e tij përfunduan në spital pas aksidentit, por pas marrjes së ndihmës së parë ata u lanë të ktheheshin në banesat e tyre.
Njoftimi i policisë:
Specialistët e Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë proceduan penalisht shtetasin A.M., 24 vjeç, banues në Prishtinë, Kosovë.
Ky shtetas, në aksin rrugor Milot-Thumanë, në Fushë Mamurras, duke drejtuar automjetin tip “Benz ” ka goditur mjetin tjetër tip “Benz ” me drejtues shtetasin S.L., 28 vjeç, banues në Tiranë dhe ky i fundit ka goditur mjetin shoqërues të deputetit S.B. Të 3 automjetet qarkullonin në një sens lëvizjeje, në korsinë e shpejtësisë.
Si pasojë e goditjes kanë marrë dëmtime të lehta drejtuesi i mjetit shtetasi A.M., dhe pasagjerët në këtë mjet E.S.,dhe A.M., banues në Kosovë, të cilët pasi kanë marrë mjekim në spital, janë larguar për në banesë.
Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor “.
Çfarë deklaroi dje shoferi i një prej makinave të eskortës së Berishës:
Pas takimit ne qytetin e Laçit, rreth ores 19:02, rruges ne kthim ne autostraden Milot-Mamurras, ne drejtimin tone vjen nje Mercedes i Bardhe 190 me targa te Kosoves, me shpejtesi ne kundravajtje.
Fale aftesise te shoferit te makines se z. Sali Berisha u be e mundur shmangia e menjehershme e perplasjes, pasi makina ne kundravajtje ishte me shpejtesi tej normave te lejuara, po keshtu edhe dy makinat pas makines se z. Berisha, ndersa makina e trete e ndodhur balle per balle ka bere nje frenim te forte per ta shmangur ku si pasoje eshte goditur nga mbrapa nga nje mjet rastesor.
E gjitha kjo ka ndodhur per shkak te shoferit qe po I jepte makines me shpejtesi ne autostrade ne korsine e gabuar. Fale zotit te gjithe jemi ne gjendje te mire shendetesore, perfshire doktor Berisha.