Nje Gerdec u harrua te tjerët janë ngado ku banojmë ne! Standardet...

Nje Gerdec u harrua te tjerët janë ngado ku banojmë ne! Standardet e munguara që na vrasin! Nga ARTUR NURA

439
0

Ndërsa kisha në mendje një artikull të sapolexuar të z. Mustafa Nano, botuar në gazetën “Shqip” ku në fjalë të thjeshta thoshte se ngjarja e dhimbshme e Gërdecit po harrohet me dashje dhe nga të gjithë, me një kolegun tonë britanik isha duke ecur në këmbë nëpër rrugët e Tiranës.

 

Ky i fundit sapo, kaluam në një nga të shumtat pika të shitjes së gazit të lëngshëm nëpër katet e para të pallateve, u trondit nga kjo papërgjegjshmëri e shtetit! I çoroditur nga ky fakt absurd për të (por aspak për ne dhe institucionet tona), ai më tregoi se në Britaninë e Madhe nuk lejohet ngrohja me gaz të lëngshëm në ndërtesat publike më të mëdha se dykatëshe.

 

Padyshim që probabiliteti i një aksidenti në rast të përdorimit të gazit të lëngshëm në Britaninë e Madhe me një shoqëri shumë të emancipuar është shumë i vogël, por megjithatë, i palejueshëm. Atje konsiderohet edhe risku më i vogël për jetën dhe kjo e fundit respektohet si një e drejtë e pakthyeshme, e cila në përgjithësi tek ne dhe midis nesh injorohet.

 

Kjo masë – vazhdoi kolegu Britanik – merret thjesht për shkak të rrezikshmërisë së këtij produkti dhe potencialit të madh rrezikues të tij kundër jetës së individit dhe shoqërisë, dhe personalisht mendova se kjo masë është padyshim një nga standardet e shumta për të ruajtur jetën në Britani. Sigurisht, si në të gjithë Evropën, ku ne shqiptarët ëndërrojmë të shkojmë padyshim me “vrap”…

 

Personalisht, ndërsa ecja së bashku me mikun britanik në rrugët e Tiranës i tregova atij për fjalën e urtë “Me këmbë në tokë” dhe filozofinë popullore që ajo përcjell, e cila me ka shtyrë të përdor sa më pak makinën time dhe të njoh më mirë realitetin tonë shumëdimensional dhe problematik.

 

Ai, pra kolegu britanik, me ftohtësinë karakteristike angleze më tregoi se realiteti na thoshte se mendimi i urtë këtej nga anët tona bie vetëm në “vesh të shurdhët”.

 

Standarde të tilla nevojiten ngado në Shqipëri

 

Personalisht besoj se për Gërdecin është folur dhe flitet më shumë se nevojitet dhe kjo bëhet në mënyrë irracionale si nga politika, po ashtu edhe nga mass-media. Sot besoj se duhet “bërtitur” deri në eliminimin e “Gërdecëve” të tjerë, të cilët i kemi tek pallatet tona, dera e shtëpisë apo pragu teorik i mundshëm (ndonëse minimalist) i jetës me vdekjen.

 

Besoj se është e nevojshme të kujtohet që, sipas ekspertëve dhe institucioneve të fushës, ngjarja në Gërdec rezultoi edhe si shkak i moszbatimit të rregullave teknike dhe mungesës së përgjegjësisë për jetën nga institucionet përkatëse, por në veçanti dhe në mënyrë domethënëse, vetëm nga një individ, i cili paska salduar aq pranë barutit të shumtë!

 

Ky stereotip “shqiptar” sipas mendimit tim, padyshim që është i kudogjendur, si midis nesh ashtu edhe institucioneve tona, të cilat drejtohen po nga “ne”. Ky stereotip tregon se në tashmë duhet të reflektojmë ndaj një standardi evropian të munguar, i cili nevojitet fillimisht të konceptohet dhe pastaj të ndërtohet dhe të bëhet me dije opinionit publik.

 

Nëse politika jonë në vend që të merrej kaq shumë me çfarë ka ndodhur tashmë në fshatin Gërdec, të panjohur për të gjithë deri para ngjarjes së rëndë, të konceptonte projektligje, të cilat do të impononin këto standarde të nevojshme në jetën e përditshme të shqiptarëve, sigurisht që ne do të ishim më të sigurt për jetën në të ardhmen.

 

Nëse mass-media, opinionistët, gazetarët dhe qytetarët në vend që të merren kaq shumë me çfarë ka ndodhur tashmë në Gërdec, të konceptonin të ardhmen më me përgjegjësi dhe të ndërgjegjësojnë opinion publik për këto rreziqe të mundshme, pa dyshim që do të tregonte emancipim.

 

Nëse flitet në shtypin e përditshëm dhe televizionet tona për pikat e shitjes së karburanteve dhe gazit të lëngshëm pranë zonave të banuara, risqet që ato sjellin në favor të vdekjes, të paktën sa 1/100 e asaj që është thënë dhe po thuhet për Gërdecin, padyshim që të nesërmen do e kishim të gjithë më të sigurt.

 

Nëse në vend të tureve pafund propaganduese dhe ineficente të kishin qëndruar më shumë “me këmbë në tokë” si evropianët e tjerë, pra, ne do të kishim plotësuar një standard evropian më shumë dhe do të kishim konceptuar një fillim të mbarë të së ardhmes.