Nis mbjellja e pemëve në rrugën dytësore të autostradës Tiranë-Durrës. Veliaj:  Brenda...

Nis mbjellja e pemëve në rrugën dytësore të autostradës Tiranë-Durrës. Veliaj:  Brenda vitit nis puna për terminalin e Lundrës

690
0

Tirana do të ketë hyrje dinjitoze, jo vetëm si infrastrukturë, por edhe nga ana estetike e saj. Pas gjelbërimit të të dyja anëve të autostradës Tiranë-Durrës, Bashkia e Tiranës nisi punën për mbjelljen e pemëve të reja edhe në rrugën dytësore të aksit, ku ushtrojnë veprimtarinë e tyre ekonomike shumica e bizneseve të kryeqytetit. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj iu bashkua aksionit për mbjelljen e 100 fidanëve të parë, nga 1 mijë që do të mbillen në total në këtë segment.

“Jam gjithmonë i lumtur sa herë që mbjellim pemë e më shumë pemë, e më pak sherr duhet të mbjellim në qytetin tonë, për të pasur harmoni. Sot kemi kaluar në zonën e Kasharit. Pasi kemi gjelbëruar edhe dy anët e autostradës, vazhdojmë me brezin e dytë, brezin e rrugës dytësore, aty ku ndodhet shumica e biznesit dhe ku është pulsi ekonomik i Tiranës. Ne do të merremi me konturin e rrugës”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku ftoi që kësaj nisme t’i bashkohen edhe bizneset e zonës. “Në total do të mbjellim rreth 1000 pemë në secilën anë, që do të kornizojnë rrugën dytësore të Tiranës. Megjithatë, ka një ftesë për bizneset: Në të gjitha hapësirat e parkingjeve të tyre, në hapësirat e brendshme, në oborre, mund të na ndihmojnë me gjelbërimin. Parimi është: për çdo makinë që përdorin këto biznese në qytet duhet të mbjellin 2 pemë”, tha ai, teksa shtoi se nisma merr një domethënie edhe më të veçantë për Tiranën pasi është jo vetëm 100-vjetori i shpalljes Kryeqytet, por edhe marrja e Presidencës së OSBE-së.

“Ky është një vit shumë i rëndësishëm për Tiranën, një vit unik. Është një vit ku ne kemi presidencën e OSBE-së, do të presim Samitin Digjital të Ballkanit, do të kemi Samitin e Ministrave të Mbrojtjes së NATO-s. Pra, është një vit ku qindra-mijëra njerëz do të shohin Tiranën dhe prej Tiranës do të krijojnë një opinion edhe për Shqipërinë. Ndaj, do të doja shumë që jo vetëm bashkia, jo vetëm njësitë tona administrative dhe sipërmarrjet që janë vendosur në Tiranë, por çdo familje mund të mbjellë një pemë”, u shpreh ai.

Veliaj foli edhe për terminalin e ri të autobusëve të Jugut dhe të Veriut, i cili u zhvendos në anën tjetër të rrugës tek “Kthesa e Kamzës”. Kryebashkiaku tha se për të lehtësuar qytetarët, ka filluar nga puna edhe operimi i autobusëve fizarmonikë. “Qytetarët e kanë vënë re se terminali ka kaluar në anën tjetër të sheshit Shqiponja, pra te Kthesa e Kamzës; është zhvendosur vetëm në anën tjetër të rrugës. Ndërkohë, sot në qytet kanë filluar të operojnë autobusë fizarmonikë me 2 artikulacione; është një mënyrë sesi trafiku në Tiranë lirohet nga transporti interurban dhe shtojmë transportin urban për ata që duan të lëvizin brenda përbrenda”, shtoi më tej ai.

Në bashkëpunim me qeverinë, Bashkia e Tiranës do të fillojë punën që terminali i ri të bashkohet edhe me terminalin e trenit. “Sot kemi vetëm një hapësirë parkimi provizore, për ta çuar në një projekt afatgjatë ku treni, autobusi interurban dhe autobusët urbanë do të mblidhen në një vend. Ndërkohë, kemi stacionuar 4 linja urbane të qytetit në terminal, që do të thotë se pasi dikush vjen nga veriu ose jugu i Shqipërisë, mund të marrë një nga këto 4 linja për të vijuar udhëtimin e tij në Tiranë, me abone ose me biletë të transportit urban”, tha Veliaj.

Një tjetër lajm i mirë është edhe ndërtimi i terminalit të ri në Lundër, që do të çlirojë përfundimisht qarkullimin e automjeteve që vijnë nga juglindja. “Brenda vitit do të jemi gati edhe me terminalin në Lundër, ku të gjitha linjat që vijnë nga juglindja, por edhe ndërkombëtarët nga Maqedonia, Greqia dhe Turqia, do kenë mundësi të vendosen aty, duke krijuar kështu një portë perëndimore dhe lindore të qytetit për transportin interurban, çka lehtëson sistemin e qarkullimit brenda qytetit”, sqaroi kryebashkiaku.