Nga Nuri Dragoj/ Pesë dëshmorët e fshatit tim

Nga Nuri Dragoj/ Pesë dëshmorët e fshatit tim

810
0

 / Nuri Dragoj

 Zhepova është një fshat i dëgjuar në Përmet, që nuk u është shmangur asnjëherë luftërave për liri. Luftë kundër osmanëve për pavarësi, më pas grekëve për të shmangur një tjetër robëri. Fshati i përjetoi ashpër sulmet andartëve grekë, në vitin 1914. Qenë 30 të vrarë nga ky fshat, burra, gra e fëmijë. Thika e ushtarëve helenë goditi zemrën e vajzave, që nuk mundën të bëheshin nëna. Në flakët e zjarrit barbar, që u vunë shtëpive, u dogjën edhe fëmijë. Ata fatkeq mund të ishin bërë doktorë, agronom, mësues e inxhinier, por s’mundën. U përcëlluan nga flakët, e jeta e tyre mbeti në një pikë, mes atyre viteve, sa heroike aq dhe të vështira.

Dhe erdhi sërish një tjetër luftë. Qenë këmishzinjtë e Musolinit. Nga fshati Zhepovë kishin dalë në mal disa partizanë. Por u bë një mbledhje e madhe në popull, e u fol për luftën, për nevojën e saj. Ishte vjeshtë e vitit 1943. Dolën shumë vullnetarë të tjerë për të luftuar. Pas natës me furtunë, bubullima e shi të rrëmbyeshëm, u ngdhi një mëngjes i qetë e kohë të kthjellët. Oxhakët përhapnin mbi çatitë e laguara të shtëpive një mjergull të hollë tymi. Shtëllungat e tymit përqafonin njëra tjetrën, ngriheshin lart dhe përziheshin në një masë të shndritshme që lëvizte drejt lindjes. Ndër të rinjtë që rrëmbyen armët ishin dhe Shefqet Nurçellari, Ethem Habibaj, Asim Lamllari, Avni Xhaferraj e Ali Abazaj. Të pestë ranë dëshmorë. Ishin idealistë. U vranë për një ideal, për atdheun.

Ngjeshën krahëve pushkën, fjetën netëve duke vënë kokën mbi gur, shihnin në ëndërr lirinë, shkolla me fëmijë të gëzuar, por… Lufta nuk largohet duar bosh. Merr me vete jetë njerëzish. Ata tashmë kanë një varr, kanë një emër të shenjtë, që ta jep vetëm lufta, emrin e nderuar “dëshmor i atdheut”. Prandaj para këtij lapidari mbajmë qetësi, vendosim lule dhe duke u  përulur para mermerit të bardhë, duket sikur dëgjojmë zëra. Janë zërat e tyre, zërat e shokëve të vrarë. Çdo detaj i jetës së dëshmorëve na vjen me një kurorë drite, prerë nga heroizmi që ata treguan. Vitet plotë ngjarje vijnë dhe na flasin shumë për ta. Dëgjojmë historitë e tyre dhe heshtim. Heshtin edhe të rënët. Ata janë bashkë, komandantë e partizanë, të gjithë njëlloj. Gur i bardhë i gdhëndur. Anash dridhet bari. Këtu janë ata që bënë luftën dhe dhanë gjënë më të shtrenjtë për lirinë, – jetën. Lule shohim përherë në lapidar. Prindërit e dëshmorëve nuk jetojnë më. Shumicës së tyre nuk u jetojnë as motrat e vëllezërit. Por nipërit nuk harrojnë. Ata shkojnë atje, se ndihen krenarë, sepse e dinë që janë flijuar për atdheun. Ndaj numrit të popullsisë së vendit duhet t’i shtojmë dhe numrin e heronjëve, të dëshmorëve, sepse ata janë gjallë. Ata janë vrarë në muaj të ndryshëm, në vite të ndryshme, por i bashkon një ditë, Dita e Dëshmorëve të Atdheut.

Ali Abazi ka rënë më 12 qershor1944. Asim Lamllari më 16 gusht 1944. U vra në Postribë të Shkodrës. Ka histori të veçantë ai trim. Eshtrat janë sjellë në Përmet shumë vonë, pasi nuk gjendeshin. Për fat, komandanti i batalionit ku ishte inkuadruar Asimi, kishte mbajtur diku ca shënime, të cilat i gjeti. Kishte shënuar vendin ku u vra dhe cili u mor me varrimin e tij. Ai nuk u varros nga partizanët. Asimi ishte plagosur keq dhe shokët e çuan në një familje për ta kuruar. Por plagët ishin të shumta dhe nuk mundi të mbijetonte. Ndaj fshatari e varrosi në bahçen e tij.

Ngjiteshim drejt fshatit, për të shkuar pranë lapidarit. Dielli ishte i ëmbël dhe era e sertë. Majat e veshura me borë dukeshin sovrane. Pamje relievi që i ke shkelur me këmbë, apo i ke parë nga largë, por që të japin shumë dashuri.  Ja si ka rënë dëshmor Avni Xhaferraj, tregonte një i moshuar. Ka qenë fundi i tetorit të vitit 1945. Ethem Habibaj qe vrarë në mars të atij viti, sepse partizanët e ndoqën armikun përtej kufijve. Rrimë pranë lapidarit. Bari përreth dridhej nga era. Më kujtohet një varg i bukur i një poeti, për dëshmorët, kur thotë: “Përkëdhëlnin barin që ka mbirë”. Një gjethe peme e këputur nga era vjen e përreth lapidarit. U drodh disa herë. Dukej sikur kërkonte të shihte një emër në pllakën përkujtimore.

-Ja si është vrarë Avniu, – tregon Nafiz Xhaferraj. Një tjetër flet për jetën e Aliut. Era vazhdon të puthë barin e bukur të maleve, mbirë aty, në atë tokë, me aq luftë. Sytë tanë kalojnë mbi tërë emrat e dëshmorëve. Çdo të ishin ata vallë, por të mos ishin vrarë? Mundet të ishin thjesht bujqë, blegtorë, por edhe mësues, shkrimtarë, politikanë… Gjithçka mund të ishin.

Duke parë këtë lapidar, doemos flasim edhe me dëshmorët. Ata janë ende me ne, ecim bashkë, flasim bashkë, përshëndetemi, sepse i kemi në emra rrugësh e shkollash. I nderojmë sepse duhet t’i nderojmë. Kemi nevojë për ta. Ne kemi nevojë, jo ata. Kemi nevojë t’ua paraqisim të rinjëve si model. Model të heroizmit, të dashurisë për atdheun. Shqipëria ka patur, ka dhe do të ketë përherë nevojë për trima, për luftëtarë, për heronjë e dëshmorë. Sepse kombet qëndrojnë në këmbë mbi themelin e gjakut të të rënëve.

Hysni Dragoj tregonte: Luftonim dhe s’kishim kohë të shihnim njëri-tjetrin. Qe 20 mars i vitit 1944. Shefqet Nurçellari qe rërzuar. Bëri të ngrihej, por nuk e urdhronte dot trupin. Pas një copë rruge nisi të mërmëriste ca fjalë dhe emra të ngatërruar. Dora e majtë, me të cilën e kisha kapur për mezi, mu mbush me gjak. Kjo m’i preu shpresat. I mblodha të gjitha forcat dhe vazhdova ngjitjen duke u mbajtur në shkurre e gurë. E nxora në breg dhe u ula për të parë nga i dilte tërë ai gjak. Ai i kishte mbyllur sytë. I fola i trembur, por nuk mu përgjigj. Kishte dhënë shpirt në shpinën time. U ngrita në këmbë dhe nuk dija si të kërkoja ndihmë. Era e kishte pushuar ulërimën, por bora binte e dëndur. Jehona e zërit fluturoi mbi gjithë fshatin. Shefqetin e vranë! E vranë pushtuesit, tradhëtarët, e vranë ata që as vet nuk e dinin përse kishin ardhur. Gjaku buçiti e lagu tokën amë. Ajo tokë është e vaditur shumë herë me gjakun e bijëve të vet, që nuk e duronin pushtimin, që ndëshkonin tradhëtinë. Emrin e tij e mban shkolla e fshatit. Këndohet dhe një këngë:

“Kushtrimi që dha Atdheu, / Ushtoi anë e mbanë / Pesëdhjetë djem nga Zhepova/ Dolën partizanë. / Pesë prej tyre u vranë, / Në luftë me italianë e gjermanë / Aliu, Shefqeti, Avniu, Ethemi me Asim Lamllarë.

Ja dhe një tjetër këngë: Ky Aliu nga Zhepova, / Trim i madh, i lumtë dora / Ishte në brigadë të tretë / Komisar i vërtetë. / Luftoi si trim i rrallë, / Me pushkë dhe me fjalë. / Zini shtigjet partizanë, / Gjermanët t’i zëmë të gjallë./ Si trim sulet në ballë, / Mbi armiq e tradhëtarë. / Në Nemërçkë e dha xhanë, / Vrau shumë, po e vranë.

Me këto këngë njerëzit kujtojnë ato ditë lavdie, atë kohë heroike, kohën e luftrave çlirimtare. Duke dëgjuar këngët e kësaj krahine, shpirti trazohet e ngrohet njëkohësisht. Duke soditur vallet, zemra të thërret të ngrihesh, të fluturosh, të mbrosh e garantosh lirinë.