Deputeti socialist Spartak Braho ka bërë për një kohë të gjatë edhe avokatin e një pjese të mirë të përfaqësuesve të lartë të së majtës shqiptare. Në librin e tij “Masakroni Servet Pëllumbin”, Braho nën titullin “Angazhimi në vite si avokat i së majtës”, rrëfen se si ka nisur avokatinë e tij ndaj përfaqësuesve të politikës gjatë kohës së opozitës së parë të socialistëve, vitet 1992-1997.
Mbrojtjen e parë ndaj gjyqeve politike, siç i cilëson ai, e ka bërë ndaj Fatmir Kumbaros, anëtar i kryesisë socialiste, i cili u akuzua për organizime të protestave të paligjshme pas burgosjes së kreut të PS-së, Fatos Nano.
Braho akuzon ish-Presidentin Sali Berisha për urdhra arresti të eksponentëve të spikatur të së majtës, por dhe presioneve ndaj prokurorisë dhe gjykatave për dënimin e tyre. Braho rrëfen dhe përfshirjen e tij në çështjen Nano, të burgosur për korrupsion dhe shpërdorim detyre, kur arriti të marrë nga prokurorët italianë materiale të dosjes hetimore për të njëjtën akuzë ndaj zyrtarëve italianë e që ndihmuan në rrëzimin e akuzave penale ndaj Nanos.
Në rrëfimet e tij si avokat i të majtës, është interesante mbrojtja që ai i ka bërë profesor Sabit Brokës, i cili akuzohej nga Prokuroria si organizator i kryengritjes në Vlorë në mars 1997, akuza që u rrëzuan për prova të pamjaftueshme. Edhe akuzat ndaj Gramoz Ruçit, i cili për shkak të përndjekjes ishte larguar në Greqi, ishin pjesë e punës së Brahos, i cili arriti të zhvillonte një takim me Ruçin në Athinë në kushte ilegaliteti për shkak të përndjekjes nga SHIK-u i asaj kohe. Braho rrëfen edhe pozicionin e tij ndaj akuzave të ngritura ndaj Ilir Metës në çështjen Meta-Prifi dhe video-përgjimit ku ai akuzohej për korrupsion pasiv. Sipas Brahos, Gjykata e Lartë e cilësoi të pafajshëm për shkak të provave që u cilësuan të paligjshme, ndërsa arrin të bëjë dallimin mes pafajësisë ligjore dhe përgojimit moralisht si “fajtor”.
SPARTAK BRAHO
ANGAZHIMI NË VITE SI AVOKAT I TË MAJTËS
Pas largimit tim nga “Albkontrolli”, strukturë e Ministrisë së Tregtisë së Jashtme, si jurist në vitin 1991 dhe gjendjes pa punë, iu drejtova Ministrisë së Drejtësisë për t’u pajisur me licencën e avokatit. Padyshim unë i plotësoja të gjitha kriteret profesionale, përveç se njërës… Isha afishuar ndërkohë hapur në shtyp, si militant socialist dhe për këtë shkak se isha i papranueshëm në zyrat e kësaj ministrie nga një ministër i përfolur si bixhozxhi, i quajtur Hektor Frashëri, i cili emrin tim e kishte rrethuar me laps të kuq. Ishte një jurist tjetër Nuro Hoti, ish-i dënuar politik, i cili drejtoi në vitet ’92-’94 Gjykatën e Kasacionit (Gjykata e Lartë), i cili ndërhyri dhe me mirësjellje më dorëzoi licencën e avokatit. Ishte po ky njeri i nderuar, ndonëse erdhi në pozicionin e kryetarit të Gjykatës së Kasacionit i rekomanduar nga PD-ja që u përplas shumë shpejt me Sali Berishën për shkak të ndërhyrjeve të tij në punët e Gjykatës, duke dhënë dorëheqjen.
1.ARRESTONI FATMIR KUMBARON, SE ËSHTË I RREZIKSHËM
Biografia ime si “avokat” fillon në 30 korrik 1993 dhe lidhet me demonstratën e madhe të socialistëve kundër arrestimit të Fatos Nanos. Po atë ditë ku u gjakosën, u goditën dhe arrestuan edhe mjaft drejtues të tjerë të PS-së. Midis tyre edhe Fatmir Kumbaro, anëtar i kryesisë së PS-së, ish-profesor imi i Fakultetit Juridik, ish-drejtor i “Televizionit Shqiptar”. Sali Berisha kishte pasur një mllef të madh hakmarrës ndaj Fatmir Kumbaros, veçanërisht gjatë kohës që ai drejtonte TVSH-në.
Me porosi të Servet Pëllumbit, u njoftova dhe u thirra urgjent nga Durrësi për të ndjekur si avokat akuzën ndaj Fatmir Kumbaros për “organizim të mitingut të paligjshëm”. Fatmir Kumbaro u dënua thjesht politikisht si drejtues i PS-së me 6 muaj burg. Pas shumë peripecish dhe ndërhyrjesh edhe të Azem Hajdarit, ai u lirua edhe nga Gjykata e Apelit, e cila ia shkurtoi dënimin me 4 muaj, ndonëse ishte krejtësisht i pafajshëm. Kjo ishte përballja e parë si avokat me pushtetin. Gjyqësor i komanduar tashmë nga Sali Berisha.
2.PËRSE U BURGOS PROFESOR FAHRUDIN HOXHA
Angazhimi i dytë ka të bëjë me profesorin e Energjetikës dhe projektuesin e Hidrocentraleve, z. Farudin Hoxha, i akuzuar për shpërdorim detyre dhe për këto akuza e përplasën në burgun e Tiranës për 6 muaj. Ky njeri i nderuar dhe me kontribute të shquara për shtetin shqiptar asnjëherë nuk e kuptoi pse ishte arrestuar dhe çuditej me arsyetimin e akuzave që ishin formuluar ndaj tij, të cilat ishin krejtësisht qesharake.
Qëndrova dhe e shoqërova disa muaj në burgun e Tiranës profesor Farudinin, duke i dhënë zemër dhe kurajë e më pas, për shkak të afishimit tim të hapur politik dhe për të mos e dëmtuar atë, e orientova të zëvendësohesha si avokat nga një mbesë e tij. Pas disa muajsh burg, edhe profesor Farudini u lirua.
- ÇËSHTJA “NANO”
Angazhimi im i tretë si “avokat” në hije, lidhet me “çështjen Nano”, i cili u dënua me 12 vjet burg me akuza të montuara nga Blerim Çela, të formuluara nga Prokurori Alush Dragoshi, Arben Qeleshi dhe Fatos Dervishi për “Shpërdorim detyre” dhe “Vjedhje në favor të të tretëve”. Takimet me Nanon, në Burgun e Tiranës dhe më pas në Bënçë të Tepelenës, pas përfundimit të gjyqit së bashku me gruan e tij, Rexhina Nano dhe vetë akuzat e ngritura vetëm mbi baza politike me qëllim goditjen e kreut të PS-së, më motivuan jo vetëm politikisht, por edhe profesionalisht për ta vlerësuar këtë çështje thjesht si një hakmarrje politike pa asnjë bazë ligjore.
Akuza për vjedhje në favor të të tretëve ishte një “shpikje” e drejtësisë së Sali Berishës dhe prokurorëve të tij. Kuptimi i saktë dhe i qartë i falsitetit të kësaj “vjedhjeje” dhe fakti se të tretët që kishte ndihmuar Nano në vjedhje, kishte të bënte me disa struktura dhe ministra italianë që kishin organizuar ardhjen e ndihmave në operacionin “Pelikani” në Shqipëri, por që siç mora vesh këta të “tretë” ndonëse hetoheshin nga Prokuroria italiane nuk ishin dënuar.
Drejtuesit e Partisë Socialiste në atë periudhë u angazhuan fuqishëm në mbrojtjen e figurës së Fatos Nanos, veçanërisht në arenën ndërkombëtare dhe mjaft prej tyre si Këshilli i Europës, Unioni Ndërparlamentar, Internacionalja Socialiste e një sërë personalitetesh të së majtës Europiane, e dënuan burgosjen e Fatos Nanos, duke e cilësuar atë si një të burgosur politik. Ishte kjo arsyeja që Nano u kthye në mit. Vetë militantët dhe Partia Socialiste mblodhën me mijëra firma për lirimin e tij, por asgjë nuk ndodhi. Berisha nuk tundej!
Nano duhet të qëndronte në burg dhe Partia Socialiste të shkërmoqej. Ky ishte dhe qëllimi kryesor i Berishës. Bisedova me disa nga drejtuesit e Partisë Socialiste, Servet Pëllumbin, Gramoz Ruçin, Ermelinda Meksi etj, si dhe kolegët që ndiqnin direkt procesin, Përparim Sanxhaku dhe Agim Tirana, të cilëve u shpjegova rrethanat e reja që kisha njohur në Itali.
Takimet e mia me prokurorët italianë Vitorio Barbieri dhe Xhiuzepe Montardi më krijuan idenë e saktë se “çështja e Nanos” nuk ishte thjesht politike, por një kazus i mirëfilltë juridik, duke e goditur juridikisht. Hapësira dhe mundësia që më krijuan prokurorët italianë në atë kohë, e cila pushoi akuzën për shpërdorim dhe vjedhje për ndihma ndaj një sërë personalitetesh qeveritare italiane, u përdorën për rigjykimin e Nanos duke i dhënë atij pafajësinë.
- TAKIMI ME GRAMOZ RUÇIN NË ATHINË
Angazhimi i katërt lidhet përsëri kundër arrestimeve dhe ndjekjes të disa prej udhëheqësve kryesorë të Partisë Socialiste nga pushteti i Sali Berishës. Kështu, në shkurt të 1996 u ngritën akuza të rënda ndaj Gramoz Ruçit me synim burgosjen e tij, të nxitura nga Azem Hajdari me porosi të Sali Berishës. Këtij arrestimi, Gramoz Ruçi iu shmang, pasi u largua në mënyrë të detyruar për në Greqi.
Takimi im, sipas kërkesës që na përcolli Vero Ruçi, vëllai i Gramozit, u organizua në kushte ilegaliteti në Athinë, pasi ai dhe ne ndiqeshim nga SHIK-u. Sqarimi prej tij i mjaft çështjeve për të cilat akuzohej, më krijoi mundësinë për një mbrojtje dinjitoze, mbas të cilës më pas çështja e tij u pushua për mungesë provash dhe ai mori pafajësi.
- TË GODITET SABIT BROKAJ SI ORGANIZATOR I KRYENGRITJES NË VLORË
Angazhimi i pestë lidhet me arrestimin e prof. dr. Sabit Brokajt në shkurt të vitit 1997, i akuzuar për organizim të kryengritjes së armatosur. Ndaj prof. Brokajt u organizua një gjyq farsë me prova të falsifikuara dhe Gjykata e gjendur përpara evidentimit të këtyre fakteve u detyrua ta lirojë nga burgu dhe ta çojë në arrest shtëpie. Edhe prof. Brokaj më pas u çlirua nga akuzat si i pafajshëm. Peza u bë për të, si dikur gjatë luftës antifashiste, jataku i doktor Sabitit së bashku me miqtë e tij pezakë, Sokol Pezën, Fatos Klosin, etj.
- TË FRIKËSOHET PROFESOR REXHEP MEIDANI
Po në këtë periudhë është edhe tentativa për të burgosur prof. Rexhep Meidanin, i cili u akuzua për organizim të mitingjeve të paligjshme nga Gjenerali i zi i Policisë, Agim Shehu, çështje e ndjekur nga prokurori Blerim Tomini. E shoqërova prof. Meidanin disa herë në zyrat e prokurorisë, por për hir të së vërtetës, prokurori i çështjes, ndonëse nën presion, edhe për shkak të rrokullisjes së madhe që solli viti 1997, e hetoi çështjen me objektivitet dhe u detyrua ta pushonte pas disa përplasjesh e presionesh për ta frikësuar profesor Meidanin, por që nuk sollën dobi.
- ÇËSHTJA META-PRIFTI
Çështja “Meta” dhe akuzat e ngritura nga Prokuroria e Përgjithshme ndaj tij për korrupsion në vitin 2012, apo siç quhet ndryshe “çështja 7 apo 700”, ndonëse ishte i një karakteri tjetër nga çështjet e ndjekura vite më parë, ishte angazhimi im si deputet dhe këshilltar ligjor pranë grupit të avokatëve të tij, G. Veleshnja dhe P. Seriani, proces që zgjati për një periudhë të gjatë kohe. Në thelb synohej burgosja dhe eliminimi politik i Ilir Metës si drejtues i LSI-së, pas divorcit të tij nga Partia Socialiste.
Kam pasur gjithmonë mendimin se kjo çështje u nxit mbi bazën e disa intrigave midis “miqsh politikë” që synonin të mahisnin situatën sociale në janarin e vitit 2012 e shoqëruar kjo edhe me mitingun ku u vranë katër demonstrues që merrnin pjesë nga garda e Sali Berishës. Kjo çështje u hetua keq, me gabime procedurale dhe ekspertiza audio-video tregoi se regjistrimet shfaqura në emisionet e F. Çakullit ishin të manipuluara, siç ka pohuar relatori dhe anëtari i trupit gjykues në Gjykatën e Lartë, Ardian Dvorani.
Ishte kjo arsyeja që asnjëherë nuk u vërtetua ligjërisht dhe nuk u provua korrupsioni pasiv i Metës, ndaj dhe Gjykata e Lartë i dha pafajësi, ndonëse ai ishte treguar i “zellshëm” dhe i pakujdesshëm në komunikimet me ish-ministrin e tij, Dritan Prifti dhe një sërë biznesmenësh. Meta sipas vendimit unanim të Gjykatës, u shpall i pafajshëm ligjërisht, por i përgojuar dhe “fajtor” moralisht. Shpesh ligji dhe morali nuk udhëtojnë në një trajektore logjike.
Duke analizuar këtë “biografi” kam bindjen se kam bërë vetëm detyrën si jurist në fushën penale, duke pasur si qëllim dhe moto veçse përballjen me padrejtësitë e të gjitha natyrave në këto vite të tranzicionit, të mbushura me intriga, me epshe dhe pasione politike e korruptive për të eliminuar kundërshtarin reciprokisht, brenda dhe jashtë llojit. Për ne juristët e vjetër, të formuar si profesionistë në shkollën e Luan Omarit, Nazmi Pezës, Aleks Luarasit, Kleanthi Koçit, Grigor Gjikës, etj., aksioma “më mirë njëqind fajtorë jashtë, sesa një i pafajshëm brenda”, ka mbetur si moto dhe në thelbin e formimit tonë profesional. Ligji mbi gjithçka.