Në Podujevë dhe Mitrovicën e Veriut mbahen zgjedhjet e parakohshme

Në Podujevë dhe Mitrovicën e Veriut mbahen zgjedhjet e parakohshme

509
0

Më 29 nëntor, qytetarët e dy komunave të Kosovës, Podujevës dhe Mitrovicës së Veriut zgjedhin kryetarët e rinj.

Në zgjedhjet e parakohshme në Podujevë, të drejtë vote kanë 87 mijë e 381 votues, të cilët do të mund të votojnë në 45 qendra të votimit me 115 vendvotime.

Në garë për të parin e Podujevës, për një mandat njëvjeçar, janë Nexhmi Rudari nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Shpejtim Bulliqi nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Naim Fetahu nga Partia Demokratike e Kosovës.

Zgjedhjet në Podujevë, ishin paraparë të mbaheshin më 15 mars, por për shkak të përhapjes së koronavirusit, ky proces u pamundësua. Për dallim prej Podujevës, në Mitrovicën e Veriut garojnë katër kandidatë për kryetar komune.

Erden Atiq nga Lëvizja Vetëvedosje, Millan Radojeviç nga Lista Serbe, Florent Azemi nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Dushan Millunoviq, i cili është kandidat i pavarur.

Në këtë komunë do të jetë të hapura shtatë qendra të votimit me 27 vendvotime, derisa të drejtë vote kanë 23 mijë e 313 qytetarë.

Partitë dhe nismat opozitare serbe në veri ‘dorëzohen’ para Listës Serbe

Podujeva mbeti pa kryetar pasi Agim Veliu u emërua Ministër i Punëve të Brendshme në qeverinë e udhëhequr nga ish-kryeministri Albin Kurti. Kurse Mitrovica e Veriut mbeti pa kryetar më datën 3 qershor,kur u votua Qeveria e re e Kosovës, e udhëhequr nga Avdullah Hoti.

Ish-kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, mori dy pozita, atë të zëvendëskryeministrit dhe mori në udhëheqje Ministrinë e Pushtetit Lokal. Rakiç ishte kryetar i Mitrovicës së Veriut për dy mandate.

Kjo është hera e parë që misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), në veri të Kosovës nuk do të sigurojë mbështetje teknike, siç kanë bërë gjatë gjithë këtyre viteve, përfshirë zgjedhjet për parlamentin serb, të cilat u mbajtën në komunat me shumicë serbe në Kosovë në qershor të këtij viti.

Në përputhje me rekomandimet e institucioneve shëndetësore, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) mori vendim për miratimin e një udhëzimi administrativ për masat mbrojtëse për parandalimin e përhapjes së koronavirusit për votuesit dhe stafin e zgjedhjeve në ditën e zgjedhjeve.

“Qëllimi i këtij udhëzimi është të përcaktojë masat mbrojtëse për të parandaluar infektimin me COVID-19 të votuesve dhe stafit zgjedhor në qendrat e votimit; përcaktimin e masave mbrojtëse gjatë procesit të numërimit të fletëve të votimit në qendrat e votimit; si dhe masat mbrojtëse gjatë dorëzimit të materialit zgjedhor”, thuhet në udhëzimin e KQZ-së.

Sipas udhëzimit të miratuar nga KQZ, votuesit duhet të mbajnë një maskë mbrojtëse dhe të mbulojnë hundën dhe gojën, dhe pas verifikimit me një llambë UV, të dezinfektojnë duart e tyre me alkool.

Gjithashtu, pasi të tregojnë dokumentin e identifikimit, duhet të heqin maskën, në mënyrë që votuesi të identifikohet nga një anëtar i qendrës së votimit, dhe pastaj maska duhet të vendoset përsëri, thuhet në udhëzimin e KQZ-së.