Pas 8 vitesh në pushtet, në mungesë të një bilanci qeverisës, kryerilindasi ka zgjedhur si platform politike për zgjedhjet e 2021-it, rrëke helmi me sharje e fyerje për median dhe opozitën. Kryemjeshtri i manipulimit, për t’i ikur përgjegjësisë mundohet t’i fshihet realitetit. Më kot, gropa ekonomike, sociale e politike ku e ka zhytur vendin rilindja nuk mbushet dot as me recitime gallataxhinjsh as me diversion dhe demagogji.
Askush s’e ka ushtruar me drejtësi pushtetin e fituar me poshtërsi thotëTaciti. Sipas vlerësimit të BERZH, pikëzimi për mirëqeverisjen e Shqipërisë ranë 4.5 në 2020. Referuar këtij rezultati, ne jemi vendi i dytë me qeverisjen më të keqe në Europën Juglindore, pas Bosnjë- Hercegovinës. Sipas raportit, qeveria ka dështuar me shëndetësinë, korrupsionin, drogën, PPP-të, pastrimin e parave dhe informalitetin, ndërsa institucionet e ndëshkueshmërisë janë të kapura nga qeveria.
Shqiptarët po jetojnë kohën e mortit. Jemi të kënaqur me 50 viktima deklaronte kryerilindasja e Durrësit pas tërmetit nëntorin e kaluar, por kurrë nuk ndërmori ndonjë hap për të nxjerrë para drejtësisë vrasësit e ndërtimeve jashtë standartit. Ndërsa tani, ministresha e shëndetësisë falas deklaron se do të bëjmë seleksionim nëse rëndohet gjendja. Krim shtetëror. Në vend të shërbimit, sekto-rilindja i ofron shqiptarëve vdekjen. Çfarë keni bërë ju zotërinj që gjendja të mbahet nën kontroll?
Shifrat e vdekjeve janë të manipuluara. Gjatë muajve korrik-shtator ministria raportoi 322 vdekjen dërsa INSTAT 1300. Sigurisht shifrat janë akoma më të mëdha. Harta e përhapjes së pandemisë sot përfshin 24 bashki ku shërbimi mjeksor është katandisur si mos më keq. Vetëm në Peqin javën që kaloi vdiqën 6 persona nga Covid, ndërsa mbrëmë në spitalin psikiatrik të Elbasanit janë infektuar 10 të sëmurë.
Jemi të fundit, jo vetëm në Europë, por edhe rajon për përballimin e Covid-19. Medikamentet nuk rimbursohen, spitalet nuk përballojnë as fluksin e tamponëve. Të papunët, invalidët, njerëzit me aftësi të veçanta, familjet me asistencë, nuk kanë asnjë mbështetje financiare nga shteti. Shqiptarët po marrin kredi për t’u trajtuar nga Covid-19. Referuar të dhënavetë OBSH-së kostot për t’u kuruar shtyjnë drejt varfërisë 8% të familjeve shqiptare dhe rrënojnë ekonomikisht 12% të familjeve më të varfëra.
Shqiptarët janë të varfër sepse kanë 8 vite që vidhen nga një bandë hajdutësh që po u merr dhe shpirtin. 100 milion euro ishte shuma që u është paguar koncesioneve PPP të oligarkeve të qeverisë deri nëmaj 2020. Ndërsa 4 oligarkët e PPP-ve të deritanishme në shëndetësi (check-up, sterilizimi, dializa dhe laboratorët), do t’i kushtojnë buxhetit plot 370 milion euro.
Strategjia botërore e trajtimit të Covid-19 testim-gjurmim-trajtim tek ne nuk ekziston. Kryevirologu jonë i partisë-shtet, me “kompetencë”, deklaron se testimet nuk kanë asnjë vlerë, duke na kujtuar se pushteti në duart e një të padituri, është si shpata në dorën e një të çmenduri. Me metoda fashiste i turret me gjoba njerëzve pa maska, ndërkohë që të diagnostikuarit positive, gjezdisin serbes rrugëve.
Njerëzit po vetëvriten nga spitalet e shëndetësisë falas, kurse kryevirologu insiston në kompetencën e tij, se kjo ndodh kudo. Ka humbur arsyen dhe ekuilibrin mendor. Askund në botë, pacientët me Covid-19 nuk hidhen nga spitalet, askund. Parrulla “shëndetësia falas” e sekto-partisë qeverisëse e ktheu sistemin e shëndetësisë në një maskaradë. Projekti i sektit të rilindjes pë rshëndetësinë nënkupton kondrabandë dhe tendera për oligarkët. 69 tendera në shëndetësi i janë dhënë një kompanie të vetme, 78% e të cilave pa garë, në mungesë totale të konkurrencës. Kjo është vetëm maja e ajsbergut. Sipas KLSH, 63% e kontratave të qeverisë janë në shkelje të rënda të ligjit.
Qeveria e hienave nuk ngopet as me vdekjen. Kryevirologu i kërkon mandatin e tretë popullit që e ka dënuar me vdekje. Ethet e kryeqeveritarit tone dhe sektit të tij nuk janë të kovidit, por të pushtetit. Janë ethet e humbjes së pushtetit të vjedhur me paratë e krimit. Ai i ngjan një fantazme hipur mbi gërdallën që tërheq qerren e korrupsionit qeverisë. Edhe po të keni kështjella, nuk ju shpëtojnë dot nëse urreheni nga populli- thotë Makiaveli. Ikni dhe lërini shqiptarët të jetojnë.
Ermir Gjinishi, 17 nëntor 2020