Bjellorusia po çudit të gjithë Europën me mënyrën se si po reagon ndaj Koronavirusit.
Atje çdo gjë vazhdon normalisht edhe pse ka pasur raste të infeksionit në vend, pasi presidenti Aleksander Lukashenko përsërit vazhdimisht bindjen e tij se populli bjellorus është më i fortë se çdo virus.
Ndaj edhe futbolli vazhdon normalisht, duke e bërë një nga vendet e pakta në botë ku luhen ndeshje.
E përditshmja sportive spanjolle “Marca” i ka kushtuar një speciale kësaj situate të veçantë dhe ka dashur të dëgjojë edhe zërin e protagonistëve të këtij kampionati.
Një nga emrat me të cilët ka zgjedhur të flasë ishte edhe ai i Elis Bakajt, i cili ka zbritur në fushë në të dy ndeshjet e para të kampionatit me fanellën e Dinamo Brest ku luan aktualisht.
“E dimë që nuk është e lehtë të luash tani, por duhet të tregohemi profesionsitë, edhe pse e dimë që mund të jemi në rrezik. Para çdo ndeshje duhet të kalojmë disa teste për Koronavirusin dhe pastaj na matin temperaturën çdo dy ditë”, shprehej Bakaj në fjalët e tij rreth situatës që po kalon në klubin bjellorus.