Partia Demokratike ka vijuar akuzat ndaj qeverisë dhe Edi Ramës, duke thënë se nën drejtimin e këtij të fundit Shqipëria është bërë parajsa e krimit të organizuar dhe trafikut ndërkombëtar të drogës.
Ish-deputeti i PD, Enkelejd Alibeaj, deklaroi në një dalje për media se dokumentari i televizionit italian ‘Rai 3’ faktoi në mënyrë dramatike se Shqipëria po rimbillet me kanabis, se krimi i organizuar shqiptar është i mbështetur në të gjitha nivelet e qeverisjes.
Deklaratë e Partisë Demokratike, ish-deputeti Enkelejd Alibeaj:
Dokumentari i televizionit publik italian Rai 3, ‘Narcotica’ faktoi në mënyrë dramatike se Shqipëria po rimbillet me kanabis, se krimi i organizuar shqiptar është i mbështetur në të gjitha nivelet e qeverisjes dhe se Shqipëria është qendra e shpërndarjes në Europë të kokainës nga Amerika Latine dhe heroinës dhe Afganistani.
As heshtja e Edi Ramës, as fshehja e Sandër Lleshajt dhe as mashtrimet e Ardi Veliut nuk e ndryshojnë dot të vërtetën e mësuar ndërkombëtarisht se Shqipëria operon si një narkoshtet.
Nën drejtimin e Edi Ramës, Shqipëria është parajsa e krimit të organizuar dhe trafikut ndërkombëtar të drogës, që veprojnë me garanci politike e qeveritare.
Me zë dhe figurë drejtuesit e antimafias italiane pohojnë se vendi ynë është kthyer në qëndër të trekëndëshit të trafikut të drogës Meksikë-Kolumbi-Shqipëri, bazë e tranzitit të drogës nga Afganistani si dhe vend ku kultivimi i kanabisit është 5-fishuar krahasuar me një vit më parë, me një qarkullim monetar prej 3 miliard euro në vit.
Edi Rama hesht për veprën e tij ‘Kanabistan 2019’, sepse, me mbështetjen e tij, Shqipëria, veçanërisht Tirana, është shndërruar në lavatriçen më të madhe në Ballkan për pastrimin e miliardave të drogës.
Dyshja që helmoi shqiptarët me drogë dhe me gaz, që nuk lënë rast pa sulmuar qytetarët e vet, nuk guxojnë të thonë asnjë fjalë, jo më të veprojnë kundër mafias me të cilën po qeveris mbi miliardat e drogës.
Shndërrimi i Shqipërisë në parajsën e krimit të organizuar dhe kriminelëve të kërkuar në Europë është një akt i rëndë kundër interesit kombëtar.
Për një vend të qeverisur në ortakëri me mafian që trafikon drogën nga Amerika Latine, Afganistani dhe Kolumbia, Bashkimi Europian nuk ka për të hapur negociatat e anëtarësimit.
Kjo është tradhëtia më e madhe kombëtare e Edi Ramës.
Në Tetor nuk ka negociata me Bashkimin Europian, sa kohë kemi një qeveri që është ortake me krimin e organizuar dhe trafikun ndërkombëtar të drogës.
Shqipëria mund të hapë derën e Europës vetëm duke larguar nga drejtimi i vendit organizatën kriminale të Rilindjes dhe kryeministrin, që ka blerë pushtetin me paratë e trafikut të kanabisit, heroinës afgane dhe kokainës kolumbiane.
Shqipëria mund të hapë derën e Bashkimit Europian vetëm duke ndëshkuar politikanët e lidhur me krimin, ata që me krimin dhe paratë e drogës blenë zgjedhjet.
Shqipëria e hap derën e integrimit vetëm me prangat në duart e atyre që e kanë kthyer vendin në bazë të trafikut të drogës nga Amerika Latine e Afganistani drejt Europës.