Muzikë nga ballkoni: Enea, dee jay-i nga Elbasani që ka krijuar diskon...

Muzikë nga ballkoni: Enea, dee jay-i nga Elbasani që ka krijuar diskon e tij dhe publiku është lagjia!

923
0

Sa herë bie muzgu në lagjen Kongresi Elbasanit, Enea Gjordeni një i ri pasionant, shpërndan muzikë house, elektronike apo dhe gold, falas për të gjithë kalimtarët dhe banorët e lagjes së tij. Në fillim, ideja e tij pati shumë kundërshtime duke nisur që nga familja e tij me fjalë të tipit: ‘’boll se na fëlliqe’’ apo dhe komshinjtë e acaruar që i kujtonin Eneas se nuk ishte në Itali. Por tani kemi arritur në pikën ku ata ‘zihen’ me njëri tjetrin për playlistat e Eneas dhe kush do marr përshëndetjen i pari. Ju ftojmë të lexoni intervistën frymëzuese të Eneas, ku çdo gjë duke filluar nga puna e DeeJay-t dhe radion që e trasmenton drejtëpërsëdrejti, e ka mësuar e bërë vetë online. A nuk është koha që dhe ne të mësojmë një profesion online?

Intervistoi me krenari: Arlis Alikaj

– Enea si lindi pasioni yt për dee jay?
– Pasioni im i të luajturit dj më lindi nga dashuria personale që kam për muzikën. Nuk di si ta shpjegoj por di si ta tregoj nëse do më ndiqnit live në Instagramin tim: andrewgjordeni.
– Ku ke mësuar të luash? Po pajisjet si i ke siguruar?
– Profesionin e kam mësuar vetë. Duke marr leksione online dhe duke e praktikuar. Kështu kam mësuar vetë rregullat e të luajturit si dee jay dhe gjithmonë jam përmirësuar gradualisht derisa e përvetësova si zanat. Tani publiku e adhuron atë që unë bëj dhe gjithmonë më thërrasin për të festuar me muzikë të mirë në festa të ndryshme. Gjatë punës në sezonin e verës nëpër dasma apo punë të ndryshme kam kursyer para për të siguruar dhe mjetet që luaj muzikë.

– Çfarë rryme luan…?
– Personalisht, luaj rrymën House në evenimente përkatëse duke mbledhur dhe adhuruesit e muzikës elektronike.
– Si të lindi idea që të luash muzikë nga ballkoni?
– Në këtë kohë karantinimi ku ka më mirë sesa të zbavitesh psikologjikisht dhe të përhapësh lumturi nga ballkoni shtëpisë tënde. Të rrethohesh nga fytyra të gëzuara.
Për mendimin tim është një mundësi e të shprehurit nga ana muzikore, ku edhe në kohë të vështira muzika luan një rol të madh në jetët tona duke na dhënë buzëqeshje dhe shkëputur nga realiteti sadopak.

– A e kanë mikpritur njerëzit?
– Njerëzve u ka pëlqyer ideja edhe pse në këtë lagjen që banoj momentalisht nuk janë të mësuar me këtë eveniment, por thellë thellë u pëlqen. Ka disa raste ku eksperimentoj dhe rryma elektronike, të cilat mund të përputhet dhe me rrymat popullore tradicionale dhe del diçka e bukur. Unë luaj edhe për moshat e treta muzika gold duke marr në konsideratë se ballkoni është një hapësirë relaksuese dhe pak muzikë e qetë të shijon me një kafe turke në dorë.

– Ka pasur nga ata që janë bezdisur?
– Normalisht që jo çdo njeri preferon muzikën me volum të lartë kur bie qetësia absolute në rrugë, por pas kalimit të ditëve vihet re që edhe ata që bezdiseshin tashmë preferojnë të dëgjojnë muzikë me volum të lartë. Është një ndjenjë që të pushton dhe ndez harmonitë e tyre.
– Enea ti karakterizohesh nga pozitiviteti, nga të buron kjo gjë?
– Pozitiviteti për mendimin tim egziston tek çdo njeri. Thjesht duhet të gjejmë butonin për ta ndezur, sidomos në këto ditë të vështira pandemie. Burimi pozitivitetit është një çelës që na bën më të fortë e kështu e kalojmë këtë situatë sa më shpejtë. Çelësi im është fakti që bëj njerëz të lumtur përmes muzikës që vë në ballkon.

– Çfarë mesazhi ke për bashkëqytetarët elbasanas dhe Shqiptarët në këto kohë të vështira?
– Mesazhi që dua të dërgoj tek elbasanllinjtë por dhe tek të gjithë shqiptarët e mi është që të gëzojnë çdo moment të jetës së tyre me familjen dhe të afërmit e tyre qoftë edhe nga larg në këto momente të vështira virusi. Duke qëndruar pozitivë dhe me gaz në shpirt çdo problem do të zgjidhet shpejt.

© Ndalohet riprodhimi pa përmendur autorin dhe burimin origjinal të publikuar.

Shperndaje