Mund të marrin nga 3 mijë paund/ Ndikimi i rrezikshëm i blogereve...

Mund të marrin nga 3 mijë paund/ Ndikimi i rrezikshëm i blogereve të “Instagram”-it me reklamat e “papërgjegjshme”

341
0

Blogeret e “Instagram”-it po inkurajojnë ndjekësit e tyre që të bëjnë operacione plastike dhe të bëjnë mbushje të buzëve, përmes postimeve “tepër të papërgjegjshme”. Kjo është çështja e hapur së fundmi në Britaninë e Madhe.

Sipas “The Times”, yjet e mediave sociale kanë nisur duke promovuar profile që tregtojnë procedura të rrezikshme, së bashku me lojërat e fatit në një varg postimesh.

Ish-pjesëmarrësja e “Lover Islanders”, 23-vjeçarja Belle Hassan dhe 29-vjeçarja, Rae Kinght, janë në mesin e ndikuesve britanikë që kanë ndarë detaje në llogaritë e tyre në rrjetet sociale, si pjesë e konkurseve.

“The Times” shkruan se yjet televizivë kanë shpërndarë 75 llogari në një faqe në “Instagram”, të drejtuar nga kompania e marketingut të mediave sociale, “Play Social”.

Ndjekësve të këtyre personazheve të njohur të ekranit u thuhet se duhet të ndjekin këtë llogari që të bëhen pjesë e garës, ku mund të bëhen fitues të çmimeve me shifra të mëdha. Problemi qëndron se faqet që yjet promovojnë inkurajojnë lojërat e fatit me kuaj, tregojnë klinika për injeksionin e buzëve të cilat nuk janë të akredituara dhe kirurgë plastikë që promovojnë përmirësime të gjoksit.

Sipas “The Times”, Hassan mund të paguhet me 3000 paund për një post të tillë. Ashton Collins nga “Save Face”, e ka cilësuar konkursin si “tepër të papërgjegjshëm”, pasi shumica e ndjekësve të Hassan dhe Knight janë adoleshentë.

 

Collins gjithashtu theksoi se pesë nga gjashtë llogaritë e mbushjes së buzëve nuk janë në regjistrin kombëtar të praktikuesve të akredituar të Mbretërisë së Bashkuar.

 

Ajo tha se postimet krijojnë përshtypjen se yjet e ekranit “i njohin mirë këto llogari, i kanë verifikuar ose përdorur në një farë mënyre”.